Prokurori i Përgjithshëm, ja 3 kandidatët e parë
Fana, Zaganjori emrat e PD-së. LSI pretendon postin, përflitet Spartak Braho
BLEDAR HOTI
Posti i Prokurorit të Përgjithshëm pritet të jetë beteja e re politike, ku mazhoranca është e vendosur të heqë një orë e më parë drejtuesen aktu
ale, Ina Rama. Mazhoranca pretendon se muaji nëntor përkon me mbarimin e mandatit të Ina Ramës, e se që tani kanë nisur të gëlojnë emrat e parë për pasuesin e kryeprokurores. Pas zgjedhjes së Presidentit të ri nga radhët e demokratëve, Bujar Nishani, mazhoranca duket se nuk ka asnjë pengesë për të larguar pa problem kryeprokuroren. Ndër e emrat e parë që përflitet është ai i kandidatit për postin e presidentit, Xhezair Zaganjori. Pas tërheqjes së anëtarit të Gjykatës Kushtetuese nga posti i presidentit, në ambientet politike u përfol se posti i kreut të organit të akuzës mund ti jepej atij në të ardhmen. Zaganjorit i ka mbaruar mandati i anëtarit të Gjykatës Kushtetuese që prej tre vitesh. Caktimi në këtë detyrë të Zaganjorit nga ana e mazhorancës, mund të shihet si një falënderim për koston që ai mori për të dalë si një kandidat jo konsensual për postin e presidentit. Zaganjori është vetëm një emër i mazhorancës, pasi PD-ja ka si kartë rezervë edhe një tjetër kandidat të saj. Sipas burimeve brenda mazhorancës, PD-ja nuk e përjashton mundësinë që të propozojë në këtë post edhe Neshat Fanën, aktualisht anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Fana është në prag të mbarimit të mandatit, ndaj kjo ishte arsyeja që ai nuk u zgjodh si nënkryetar i KLD-së, por Elvis Çefa. Ai njihet edhe si një nga avokatët mbrojtës të dikurshëm të Kryeministrit aktual Sali Berisha. Fana është zgjedhur në vitin 2008 si anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Partia Demokratike për përcaktimin final të kandidatit për postin e Prokurorit të Përgjithshëm, më parë duhet të marrë konsensusin me aleatët e saj. Lëvizja Socialiste për Integrim është forca politike që ka katër vota deputetësh, të cilat janë të domosdoshme në votimin për kryeprokurorin e ri. Pas shkarkimit të kreut të SHISH-it, Bahri Shaqiri, u përfol se mes PD-së dhe LSI-së ishte arritur një pakt, i cili parashikonte heshtjen e Metës për këtë ndryshim që prek kreun e shërbimit sekret shqiptar, në këmbim të ofrimit të postit të Prokurorit të Përgjithshëm. Në radhët e mazhorancës, ndonëse nuk është i konfirmuar plotësisht, përflitet se LSI-ja mund të propozojë emrin e ish-deputetit Spartak Braho për postin e Prokurorit të Përgjithshëm. Gjatë këtyre muajve pritet një takim mes dy drejtuesve të PD-së dhe LSI-së, Sali Berisha dhe Ilir Meta, për të përcaktuar emrin e Prokurorit të ri të Përgjithshëm. Nëse Berisha pranon ndonjë emër nga LSI-ja për këtë post, atëherë Meta duhet të përzgjedhë një emër. Kur Zaganjori u zgjodh si kandidat për postin e presidentit, u përfol se vetë kreu i LSI-së, Meta, ishte një nga njerëzit që e propozoi në këtë post, e kjo me konsulencën e kryebashkiakut të Tiranës, Lulzim Basha. Enigma e emrit final mendohet të zgjidhet vetëm pas takimit të Kryeministrit Sali Berisha me kreun e LSI-së, Ilir Meta, si aleatin kryesor të koalicionit qeverisës. Me zgjedhjen e Nishanit në postin e kreut të ri të shtetit, PD-ja tashmë e ka më të lehtë të zgjedhë drejtuesit e organeve kushtetuese. Kështu mazhoranca veproi me zgjedhjen e nënkryetarit të KLD-së, drejtorit të përgjithshëm të SHISH-it. Posti i Prokurorit të Përgjithshëm tashmë është i vetmi që ka mbetur pa u ndryshuar. Vetë i sapozgjedhuri në postin e kreut të shtetit, Nishani, në intervistat e dhëna ka shprehur pakënaqësinë për performancën e punës së organit të akuzës.
Në 2008-n u zgjodh me votat e PD-së si anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Në 2013-n i mbaron mandati. Ai, kohë më parë, ka qenë edhe avokati i Kryeministrit Sali Berisha
I propozuari i mazhorancës për postin e presidentit shihet si një nga emrat potencialë për tu zgjedhur Prokuror i Përgjithshëm. Atij i ka mbaruar mandati në Gjykatën Kushtetuese
LSI-ja mund të jetë një nga partitë aleate që mund të përfitojë të drejtën e propozimit të emrit për kreun e organit të akuzës. Përflitet emri i ish-deputetit Spartak Braho, porse LSI-ja ende nuk ka përcaktuar në mënyrë finale një kandidaturë
Prokurori i Përgjithshëm, ja 3 kandidatët e parë burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip


