E Shtunë, 31 Tetor 2026

TEODOR KEKO DHE VDEKJA

Gazeta Shqip

ILIR YZEIRI

Nesër bëhen dhjetë vjet nga dita kur ndërroi jetë Teodor Keko. Kam dashur dhe më parë të hedh në letër dy apo tri rreshta për Dorin, madje sa herë që ndeshesha në rrugë me Ilirin, vëllain e Dorit, ndihesha si në faj, e shpeshherë më dukej sikur më thoshte, po mirë, ti nuk ke gjë për të shkruar për Dorin. Ai kishte të drejtë të mendonte ashtu, sepse sillte ndërmend ditët dhe netët që unë kaloja në shtëpinë e tyre duke mësuar morfologjinë, kujtonte miqësinë që kishim dhe nuk e kuptonte dot se përse unë nuk kisha gjetur mundësinë dhe kohën që të hidhja në letër dy shënime për Dorin. Unë vetë e kisha një shpjegim dhe vijoj ta kem ende, por kjo është një gjë tjetër. Tani, pas dhjetë vjetësh, më duket se Teodor Keko më në fund është i lirë nga ata që e deshën, sidomos pas vdekjes dhe ditën që vdiq. Tani Teodor Keko mund të vështrohet si fenomeni unikal i letërsisë shqiptare që zotëron kapërcyellin e viteve 90. Ai nisi të shkruajë në mesin e viteve 80, por u bë i njohur sidomos pas viteve 90. Nga viti 1990 e deri sa vdiq, më 2002-shin, pra përreth 12 vjet, ai regjistroi, tregoi dhe analizoi një nga periudhat më të vështira e më komplekse të historisë së Shqipërisë. Nga kjo pikëpamje ai është i vetmi dhe ndoshta i fundit shkrimtar ekzistencialist shqiptar që nga rreth dymbëdhjetë temat qendrore të ekzistencializmit kishte më për zemër temën e vdekjes. Teodor Keko jetoi sikur të ishte i vdekur, pra e çonte jetën si të ishte në ferr dhe tani që mungon fizikisht, duket se po jeton dikur larg në paqe dhe i qetë, ndoshta jo tamam në parajsë, por në një vend pa njerëz dhe pa dhunë, në një vend pa vdekje. Kapërcimi nga diktatura në shthurje totale, në anarki e rrëmujë, në kaos e në kacafytje, pra në të ashtuquajturën demokraci shqiptare, mund të shënjohet e mund të kuptohet, veç të tjerash, edhe duke vështruar jetën e Teodorit dhe veprën e tij. Të gjithë ata që e kanë njohur, e mbajnë mend si bohemin e fundit, si njeriun e lirë që nuk besonte në asnjë skrupull shoqëror, që kishte si kult vetëm dashurinë për djemtë dhe për Xhulin, dashuri të shprehur keq, por të ruajtur thellë. Dashuri që ai e manifestonte jo duke u përgjëruar me fjalë, por duke u shkatërruar nëpër labirintet e ankthit ekzistencial në një vend që sapo kishte dalë nga diktatura dhe jetonte dehjen në liri me shthurje, me shpërqendrim e me shkatërrim total. Në të njëjtën kohë Dori shkruante vazhdimisht. Kishte ndjesinë se do të ikte shpejt fizikisht, kishte parandjenjën e vdekjes. Sipas një studiuesi të ekzistencializmit, te kjo rrymë letrare thotë ai, ne ndeshim dymbëdhjetë tema. (E. PoMounier, 1905-1950, “Introduction aux existentialismes”, éd. Gallimard 1962). Nëse i vështron ato, do të vëresh se edhe krijimtaria e Kekos i përmban thuajse të gjitha. E para, thotë studiuesi, është kushtëzimi i qenies njerëzore. Qenia njerëzore nuk është një gjë e nevojshme. Pra, secili nga ne edhe mund të mos ishte. Ne ndodhemi në jetë pa asnjë arsye thelbësore. Ne jemi këtu dhe pikë. Ne duket sikur jemi tepër. Pothuajse në të gjithë krijimtarinë e Kekos shfaqet kotësia e jetës, asgjëja dhe hiçi i unit. Mjaft të shohësh poezinë e tij dhe do të vëresh se njeriu aty është një aksident, madje vetë ai shpesh ndihet i tepërt dhe pa asnjë kuptim në këtë botë. Ja si e parodizon ai qenien dhe veten e tij në këtë poezi të shkruar në vitin 1993:

VETVETES

- Teodorit të dashur -

Nga jeta ime shtegtuan zogjtë

dhe njerëzimi e humbi seksin.

Tani unë flas për çdo të lindë

pa parë turmat që po vdesin.

 

O miku im, oportunizëm,

ma hëngre kokën, ma bëre gropën!

Kujt ti ankohem? Kë të mallkoj?

Më mirë po ik, të plehroj botën!

1993

Karakteristika e dytë e krijimtarisë së ekzistencialistëve është angazhimi i qenies. Ekzistencializmi nuk është filozofia e qetësisë, përkundrazi, ajo e nxit njeriun që ta bëjë jetën e tij gati si një ferr, me përpjekje e mundime, duke kapërcyer shpeshherë gjendjen aktuale dhe duke e përqeshur atë. Askush më mirë sesa Dori nuk e ka shfaqur këtë tipar të ekzistencializmit. Ishte i angazhuar që në fillim në Lëvizjen Demokratike, deputet i Kuvendit të Shqipërisë, madje i larguar që aty dhe i angazhuar në publicistikë. Ishte kampion i lirisë dhe i shtrënguar të mbetet më shumë pa punë sesa me punë. Dhe këtu dua të hap një parantezë. Më kujtohet kur e kam takuar diku nga dhjetori ose marsi i vitit 1998. Ishin ditët më të vështira të Dorit. Kishte kaluar 97-a dhe ai ishte thellësisht i tronditur dhe i zhgënjyer. Ishte fillikat vetëm, as me socialistët që kishin ardhur me triumfin e kallashnikovit dhe as me demokratët e rrëzuar dhe të mallkuar nga të gjithë. Ashtu, duke ecur me kokën ulur po zbriste nga rruga që të çon nga godina e ish të përndjekurve drejt urës së Lanës. Unë po dilja nga një kthinë prapa ambulancës së dikurshme aty ku ishte selia e partisë së Laços. Diku aty rrinim dhe nxirrja në atë kohë revistën Blic. E takoj dhe hymë në një lokal aty pranë. Nisim e kujtojmë vitet e fakultetit, shokët e paktë që na kishin mbetur dhe e pashë që ishte tejet e trishtuar. I propozoj që të më bëjë dy editorialë te revista dhe herën tjetër kur u takuam, më solli me vete librin e fundit me tregime e novela Prostituta, me një kushtim për bashkëshorten time dhe për mua, për dy miqtë e tij të fakultetit. Nuk e di si rrodhën më pas vitet, por mbaj mend që Xhanoja, mamaja e dashur e Dorit, që e ndiqte nga pas si një hije dhe që nuk u mësua kurrë me idenë se Dori ishte burrë, madje baba, ma kujtonte shpesh këtë episod. Në qoftë se Ilir Meta ka një meritë në këto vite tranzicion, ai do të kujtohet si njeriu që në një farë mënyre e shpëtoi përkohësisht Teodor Kekon. Vetëm ai u kujtua që ta afrojë dhe ti japë një punë. Gjithë të tjerët dhe për fat të keq një pjesë e mirë e atyre që i bënë ceremoninë e varrimit dhe që nuk lanë njeri të fliste për Dorin për dhjetë vjet, në atë kohë, në më të shumtën e rasteve, e lanë vetëm me vdekjen, ma ankthin e jetës që i ishte bërë si një varr. Ashtu siç ndodhi edhe me Ardian Klosin. Por le të kthehemi te karakteristika tjetër. Një temë e preferuar e ekzistencialistëve është brishtësia e njeriut. Unë jam i ekspozuar gjithmonë, thonë ata, drejt humbjes, drejt shkatërrimit, sepse nëse ekzistoj, nëse jam gjallë, kjo ndodh për shkak të mundimeve që bëj. Që këtej buron ndjenja e ankthit, të cilën ai e jep të plotë në një prej poezive të shkruara në vitet 90-91 me titull Shqipëria dhjetor 90 – janar 91. Aty, mes të tjerash, thotë.

Po shkon një njeri i rrënuar në rrugë,

Vdekjen lyp dhe ik Kuturu.

Svret dot veten; Ska gjak në vena,

Zemër në gjoks e në kafkë tru.

Temë tjetër e ekzistencializmit është edhe tjetërsimi. Njeriu që humb, tjetërsohet, ai nuk e zotëron më veten. Një temë tjetër është vetmia dhe sekreti. Çdo qenie njerëzore ndien nevojën që të jetë vetëm dhe i papenetrueshëm nga të tjerët, për të kaluar pastaj te hiçi, te asgjëja. Ekzistencialistët ateistë këmbëngulin në idenë se njeriu është qenie e hiçit. Ndërsa tema e shndërrimit vetjak zotëron gjithashtu një pjesë të madhe të veprës së tyre. Ata thonë se njeriu nuk duhet ta jetojë jetën nga dita në ditë me shqetësimin e fatit të tij si qenie e vdekshme, jo, ai duhet të çojë një jetë tërësisht vetjake. Deviza e tij nuk është unë jam, deviza e tij është unë jam mbi atë që jetoj. Pastaj vjen përsëri tema e angazhimit, njeriu duhet të zgjedhë në raport me veten dhe me të tjerët, si dhe tema e njeriut në raport me tjetrin. Njeriu sheh që në jetë nuk është vetëm. Ka dhe njerëz të tjerë, me të cilët ai duhet të jetojë. Qenia njerëzore, shkruante Hajdeger, është një unë + të tjerët. Jeta, gjithashtu sipas tyre, duhet të jetë e ekspozuar përballë të tjerëve. Njeriu duhet të veprojë, të guxojë, të jetojë jetën, ta gëzojë atë gjithmonë nën vështrimin e pashm

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›