Gjykata: 54 mijë fishekët e Beratit, drejt Gërdecit
Bie akuza e trafikut të fishekëve drejt Kosovës, për katër ushtarakët. Dënohen me 19 vjet burg
TIRANË- Trumbetimi i prokurorisë për arrestimin e katër ushtarakëve, që në mënyrë private dhe me mjete të Forcave të Armatosura të Ushtrisë dërgonin fishekë në Kosovë u fanit dje nga Gjykata e Krimeve të Rënda. Pas shqyrtimit gjyqësor u arrit në përfundim se pesë të pandehurit nuk i dërgoninfishekët jashtë vendit, por në fabrikën ogurzezë të Gërdecit për shitje skrapi. Sipas vendimit të togave të zeza, të kryesuara nga gjyqtari Luan Hasneziri, pesë të pandehurit nuk kanë kryer veprën penale të “trafikut të armëve dhe municioneve luftarake”, por atë të “mbajtjes pa leje të armëve dhe municioneve luftarake” në bashkëpunim dhe në aplikim të gjykimit të shkurtuar, të pandehurit dënohen me 18 vjet e 11 muaj burg. Sipas vendimit të gjykatës, i pandehuri Medi Hasani, me detyrë shofer pranë Repartit Ushtarak Pezë- Helmes në kryeqytet ishte ideatori dhe blerësi i 54 mijë fishekëve nëpër fshatrat e Beratit, ku për kryerjen e këtyre veprimeve ai ka konsumuar veprën penale të “prodhimit, mbajtjes dhe shitjes së armëve luftarake” dhe “mbajtjes së tyre pa leje”, duke u dënuar në aplikim të gjykimit të shkurtuar përfundimisht me 4 vjet e 7 muaj burg. Ndërkaq, të pandehurit Gramoz Bendo, me detyrë magazinier në repartin eMbreshtanit të Beratit, Arif Mata me detyrë oficer në Pezë Helmes dhe shoferi i këtij reparti, Pajtim Lame u deklaruan fajtor për kryerjen e veprës penale të “mbajtjes pa leje të armëve luftarake” dhe u dënuan secili nga 3 vjet e 7 muaj burg. Dy javë më parë, prokurori i çështjes, gjatë leximit të konkluzioneve përfundimtare kërkoi nga gjykata që pesë të pandehurit të dënohet përfundimisht me 47 vjet burg, për kryerjen e akuzës së “trafikut të armëve dhe municioneve luftarake në bashkëpunim”. Akuzë kjo e kundërshtuar nga pesë mbrojtësit e të pandehurve të cilët njëzëri u shprehën se këta fishekë nuk ishin për trafik, po për shitje në Gërdec për skrap. Sipas akuzës, të pandehurit: Medi Hasani e Pajtim Lamaj, Arif Mata, Gramoz Bendo dhe Nasi Strori u arrestuan në flagrancë më 22 mars të vitit të kaluar duke transportuar 54 mijë copë fishekë luftarakë të paketuara në 90 pako metalike.