Prokurori serb: Në Shqipëri iu hoqën organet 300 serbëve
BEOGRAD-Bruno Vekariç, zëdhënësi i prokurorit serb për Krimet e Luftës, Vladimir Vukçeviç i deklaroi dje së përjavshmes “Nedeljni Telegraf”, se “300 është numri i serbëve, romëve dhe jo shqiptarëve nga Kosova”, të cilëve sipas tij “u janë hequr organet në të ashtuquajturën klinikë transplanti në Gurrë të rrethit të Matit”. Vekariç në prononcimin e tij, ka thënë se “është zbuluar që organet e një prej trupave të vrarë shiteshin në tregun e zi për një vlerë totale rreth 2 milionë euro”. Sipas zëdhënësit të prokurorit serb për Krimet e Luftës, “një veshkë është shitur për 15 mijë deri në 100 mijë euro, ndërsa një zemër deri në 1 milion euro. Për Vekariç, transplantet e organeve kryheshin në fakt në një ndërtesë me nr. 320, rreth 20 km larg Gurrës dhe jo në këtë fshat, sikundër pretendon në librin e saj “Gjuetia”, ish-kryeprokurorja e Hagës, Karla del Ponte. “Kjo ndërtesë me nr.320 është një klinikë neuro-psikiatrike. Ne besojmë se shumë prej operacioneve të transplanteve janë kryer këtu. Kjo ndërtesë në fakt është shfrytëzuar si burg nga UÇK-ja, ku ushtarë të kësaj të fundit dërgonin pengjet e kapura, të cilëve më pas u hiqeshin organet”, - vijon mandej Vukariç. Brenda të njëjtit kontekst, ai shton se faktet e gjithë kësaj masakre janë zhdukur nga autoritetet shqiptare fill pas marrjes në dijeni të kësaj çështje nga misioni humanitar i Kryqit të Kuq. Në momentin kur përfaqësues të saj kanë shkuar në këtë godinë, të gjitha faktet sipas Vukariç, ishin zhdukur. Ndaj për të gjitha këto arsye, zëdhënësi i prokurorit serb për Krimet e Luftës i ka deklaruar “Nedeljni Telegraf”, se Beogradi zyrtar nuk do të rreshti së zbardhuri njëherë e mirë këtë çështje.
(d.b/BalkanWeb)