E Shtunë, 31 Tetor 2026

MASH, ndryshon financimi i universiteteve

Nëse do të duan të mbushin arkën e tyre, universitetet tashmë do të konkurojnë me projektet e tyre për të marrë fonde nga buxheti i shtetit. Këto janë rregullat e reja të funksionimit të universiteteve, të cilat, do fillojnë të aplikohen që më 1 janar 2009-tës. 

TIRANE- Ndryshon formula e financimit të Universiteteve. Ato nuk do të marrin më një fond fiks, të paracaktuar nga qeveria. Nëse do të duan të mbushin arkën e tyre, universitetet tashmë do të konkurojnë me projektet e tyre për të marrë fonde nga buxheti i shtetit. Këto janë rregullat e reja të funksionimit të universiteteve, të cilat, sipas Ministrisë së Arsimit do të fillojnë të aplikohen që më 1 janar 2009-ë. Myqerem Tafaj, këshilltari i kryeministrit për arsimin ka shpjeguar se buxheti vjetor për 11 universitetet shtetërore në vend, nga 1 janari i vitit të ardhshëm do të shpërndahet sipas një formule të re, e cila pritet të kalojë për miratim në Kuvend. "Bëhet fjalë për një formulë të krijuar nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës me konsulencë të Bankës Botërore. Ajo bazohet në shumë parametra si në numrin e studentëve, kualifikimin e pedagogëve, zhvillimin e kërkimit shkencor, programet studimore, etj", - ka sqaruar Këshilltari për Arsimin i Kryeministrit, Myqerem Tafaj. Sipas tij, formula e re e shpërndarjes së buxhetit vjetor të universiteteve do të bazohet vetëm në meritat e institucioneve të arsimit të lartë. E thënë ndryshe, vitin që vjen, universitetet do të konkurrojnë me projekte për investime. "Në këtë mënyrë buxheti nuk do të ndahet më sipas një ndarje aritmetike, ku merret në konsideratë vetëm numri i studentëve, por sipas kontributit të universitetit", - ka sqaruar Tafaj, i cili shtoi se formula e re e buxhetit nxit rritjen e cilësisë së arsimit të lartë. Gjithashtu ai ka sqaruar se në Ligjin e Arsimit të Lartë parashikohet që ai institucion që paraqet projekte të mira, do të përfitojë fonde. "Eshtë i njëjti parim si me pushtetin vendor, lidhur me grantet. Por parakushti është: struktura të afta administrate në universitete që mundësojnë hartimin në kohë të projektit, marrjen e fondeve dhe realizimin e tyre sipas afateve", - ka shpjeguar këshilltari i kryeministrit për çështjet e Arsimit, Myqerem Tafaj.

(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›