Prokuroria: 10 mln lekë gjobë Neranxit

Ish- deputeti i LSI-së akuzohet nga Prokuroria e Tiranës, për kontrabandimin e mallrave gjatë periudhës '01- '04
Ish- Prokurori i Përgjithshëm, Theodhori Sollaku, mbronte biznesmenin ish- deputet i Lëvizjes Socialiste për Integrim
TIRANË- Prokurori i njësisë së Task-Forcës së luftës kundër Krimit Ekonomiko Financiar në Prokurorinë e kryeqytetit, i kërkoi gjyqtarit të çështjes, Sokol Tona, deklarimin fajtor për ish-deputetin e LSI-së të pandehurin Nikollaq Neranxi për kryerjen e veprës penale të "Kontrabandës me mallra të tjera" dhe ta dënojë atë me 10 milionë lekë të reja gjobë.
Por, i pandehuri Neranxi nëse deklarohet fajtor do të përfitojë uljen e 1/3 së dënimit përfundimtar, për shkak të gjykimit të çështjes së tij në aplikimit të procedurave të posaçme, atë të shqyrtimit të gjykimit të shkurtuar.
Paraditen e djeshme, gjatë shqyrtimit të seancës së pestë gjyqësore në ngarkim të të pandehurit Neranxi, prokurori Xhengo lexoi konkluzionet, duke renditur 21 rastet e kontrabandës së mallrave të kryer nga punonjësit e kompanisë së drejtuar nga ish-deputeti i LSI-së në Kuvend gjatë vitit 2001-'04 nga Greqia në Shqipëri.
Sipas konkluzioneve, punonjësit e ish-deputetit Neranxi kanë kaluar mallra pa paguar detyrimet doganore në 21 raste, duke i shkaktuar shtetit një dëm prej rreth 13 milionë e 664 mijë lekë të reja.
Vetë ish-deputeti i LSI-së Neranxi nuk ishte i pranishëm në sallën e gjyqit, duke u përfaqësuar nga avokati i tij mbrojtjes ish-Prokurori i Përgjithshëm Theodhori Sollaku që pas leximit të konkluzioneve i kërkoi gjyqtarit Tona dy javë kohë për të përgatitur pretendimet përfundimtare.
Ndërkaq, në seancat e kaluara vetë ish-deputeti i pandehur ka mohuar akuzat, duke i cilësuar ato si "politike". Këtë qëndrim i pandehuri Neranxi e ka mbajtur edhe gjatë fazës hetimore, në kohën kur Prokuroria e Përgjithshme kishte filluar hetimet duke i kërkuar kryetares së Kuvendit heqjen e imunitetit të deputetit të LSI-së.
Të cilit pas mbarimit të mandatit, dosja iu kthye njësisë së task-forcës së prokurorisë së kryeqytetit, e cila ka pranuar me letër-porosi edhe disa të dhëna zyrtare nga autoritetet e drejtësisë greke në lidhje me kontrabandimin e mallrave të ndryshëm nga kompania e ish-deputetit Neranxi.
Sipas konkluzioneve të prokurorisë, gjatë vitit 2001-'04 firma që drejtohej nga babai i ish-deputetit tashme i ndjerë i ka shkaktuar shtetit një dëm prej 13 milionë e 664 mijë lekë të reja.
Kjo shumë, është shkaktuar nga mos pagimi i doganës nga punonjësit e kompanisë së ish-deputetit në pikat e kalimit kufitar me Greqinë, në 21 raste duke kaluar kontrabandë mallra si kaseta, albume fotografike, CD apo filma fotografikë.
"Ka qenë dogana greke e cila kishte filluar një hetim ndaj shoqërisë greke me emrin "Sacofot", e cila kishte deklaruar disa fatura për shitjen e mallit të saj tek një kompani shqiptare e ish-deputetit Neranxi.
Nga verifikimet e kryera rezultonte se në 21 raste kompania e ish-deputetit Neranxi kishte futur mallin në Shqipëri por nuk e kishte zhdoganuar duke e futur atë kontrabandë"-tha prokurori Xhengo.
Për të provuar këto akuza, sipas prokurorisë, janë sekuestruar një sërë shkresash të dërguara në Drejtorinë e Doganave, konkretisht pranë zyrës së drejtorit të përgjithshëm nga i pandehuri Neranxi duke i "kërkuar lehtësira" për biznesin e tij.
Gjithashtu, edhe vetë punonjësit e kompanisë së tij, të pyetur për këto veprime i kanë konfirmuar prokurorisë se në atë kohë firmën e drejtonte faktikisht ish-deputeti tashmë Nikollaq Neranxi ndërkohë me letra ishte regjistruar në emër të babait të tij.