E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prokuroria: 3 shtetas plan për vrasjen e Edi Ramës

TIRANE-Gjykata e Tiranës pritet të vlerësojë sot masat e sigurisë për tre shtetas Luan Ramin, Fatos Ramin dhe Afrim Kicja pasi sipas Prokurorise kane patur plan per eliminimin fizik te kreut te Opozites, Edi Rama.

Prokuroria pretendon se nga përgjimet për 3 shtetasit Luan Rami 37 vjec, Fatos Rami, 29 vjec dhe Afrim Kica 33 vjec, të tre lindur në Burrel dhe banues në Tiranë janë përgjuar teksa thurnin plan për eliminimin fizik të kryesocialistit Edi Rama.
Prokuroria pretendon se nga përgjimet që ka bërë Shërbimi Informativ Shtetëror (SHISH), 3 shtetasit do të kryenin eliminimin në 27 Janar. Që pas marrjes së kërcënimeve, për kreun e PS, Edi Rama janë shtuar edhe masat e sigurisë.

Plani
SHISH ka siguruar një përgjim ku Fatos Rami i deklaronte Afrimit se nipi I tij (Fatosit) do të vinte në Tiranë me një stilolaps. Përgjimi i kaloi menjëherë Prokurorisë që hodhi dyshimet se bëhet fjalë për një stilolaps-pistoletë. Një mesazh i tillë ka mjaftuar që kreu i opozitës Edi Rama të ndihet i kërcënuar për jetën ndërkohë që nga policia e Tiranës u arrestuan shtetasit, Luan Rami e Fatos Rami, (djem xhaxhallarësh) si dhe Afrim Kica, të tre shtetasit nga Burreli.

Arrestimi
Aksioni për arrestimin e tyre është bërë në zonën e Bllokut në kryeqytet, ndërkohë që të tre personat kanë qenë së bashku. Zyra e shtypit në drejtorinë e Policisë së Shtetit bëri të ditur sot se pas një hetimi të kryer në bashkëpunim nga drejtoria Kundër Krimeve të Rënda, Policisë së Tiranës dhe Prokuroria për Krimet e Rënda, mundësuan ditën e djeshme parandalimin e një akti kriminal. Sipas policisë, ndalimi i tyre është bërë, pasi po siguronin kushte dhe mjete materiale për të kryer vrasje. Materialet hetimore në ngarkim të këtyre shtetasve i kanë kaluar për hetime të mëtejshme Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë.
Nderkohe burime për Gazeta Shqiptare thonë sot se janë në kërkim edhe katër persona të tjerë. Tashmë është ngritur akuza ndaj tyre për “vepër terroriste” dhe sot paradite, ata do të dalin për masë sigurie përpara togave të zeza në gjykatën e Tiranës.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›