Prokuroria: Do hetojmë edhe cilësinë e karburantit. Në çdo 10 litra, gjysmë litri vidhet
Zyrtarisht pikat e karburantit të zbuluara me abuzime akuzohen nga prokuroria e Tiranës për vjedhje me anë të mashtrimit. Hetimet janë ende në fazën ku nuk ka persona konkretë të akuzuar, por nuk përjashtohet mundësia që pas sekuestrimit të raportit të Metrologjisë, të ketë së shpejti edhe të pandehur. Por, ndërkohë që kanë nisur hetimet për zbardhjen e kësaj skeme abuzimi, organi i akuzës thotë se nuk do të mjaftohet vetëm me hetimin e mashtrimit me sasinë, por edhe me cilësinë e karburanteve, pasi ka dyshime se disa subjekte përdorin lëndë të ndryshme përzierjesh, që rrisin sasinë, ndërkohë dëmtojnë cilësinë e karburanteve.
Sipas Vizion Plus, aktualisht nga 14 pika që janë gjetur me shkelje pas kontrollit të Metrologjisë në 3 muajt e fundit, prokuroria e Tiranës është duke hetuar vetëm katër raste që ndodhen në territorin e saj, ndërsa 10 të tjera i takojnë të verifikohen nga prokuroritë e rretheve.
Grupi hetimor i Prokurorisë së Përgjithshme ka zbardhur për A1Report! detajet e para të vjedhjes së qytetarëve në karburante, sipas dosjes voluminoze të sekuestruar dje në Drejtorinë e Përgjithshme të Metrologjisë.
Nga dosja rezulton se për çdo 10 litra karburant, qytetarët vidhen gjysmë litri; pra, për çdo blerje prej 2 000 lekësh, konsumatorëve ju vidheshin 100 lekë./ep