E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prokuroria Gruaja e kryebashkiakut mashtrim per shtatzenise

Një hetim i denjë për telenovela por që rezultoi se nuk ishte aspak i vërtetë. Griselda Roshi ka mashtruar, ky është rezultati i hetimeve paraprake të Prokurorisë së Krimeve të Rënda dhe ekspertiza e mjekësisë ligjore.

Bashkëshortja e kryebashkiakut të ri të Kavajës, Elvis Roshi me denoncimin e saj se e kishin rrëmbyer dhe detyruar të abortonte në muajin e nëntë të shtatëzanisë ngriti në këmbë Policinë e Shtetit.

Policia gjeti fillimisht klinikën private në rrugën “Kongresi i Manistirit”, ku 28-vjeçarja pretendonte se ishte detyruar të merrte një serum. Rezultati I hetimit ishte befasues për hetuesit dhe pretendimet e Roshit.

Ajo kishte shkuar e vetme për të kërkuar trajtim me serum pasi sipas dëshmisë së mjekëve të klinikës kishte pretenduar se kishte diare e të vjella si pasojë e konsumit të një sanduiçi të skaduar.

Personeli i klinikës i tha abc neës se 28-vjeçarja ishte paraqitur me emrin e rremë Erisilda Mulaj, dhe edhe pse i kishte të gjitha mundësitë të kërkonte ndihmën e mjekut nëse kishte probleme kërcënimi, nuk e bëri.

Po sipas tyre gruaja ishte e vetme në klinikë rreth orës 2:00-2:30 në të gdhirë të së mërkurës dhe pasi kishte marrë serumin për helmim ushqimi, ishte larguar.

Policia e njohu gruan nga pamjet e kamerave të sigurisë, pasi emri i saj nuk rezultonte në regjistra për shkak të emrit të rremë që kishte përdorur.

Gjithashtu personeli i mjekëve të klinikës siguroi se 28-vjeçarja që kishte kërkuar trajtim me serum nuk kishte shenja shtatëzanie, aq më tepër të muajit të nëntë dhe as shenja lindjeje apo aborti.

Policia ka bastisur disa klinika private obsetrike gjinekologjike që ndodhen pranë Maternitetit të Ri Kiço Gliozheni në Tiranë, por nuk ka gjetur asnjë provë që të vërtetojë që në ndonjë nga këto, të ketë kryer abort apo lindje zonja Roshi.

Një fakt i tillë ka shtuar dyshimet e grupit të hetimit për një histori të stisur nga 28-vjeçarja. Prokuroria e Krimeve të Rënda deklaroi me anë të një njoftimi për shtyp se nuk ka asnjë provë që të vërtetojë që 28-vjeçarja të jetë rrëmbyer, nënshtruar dhunës fizike e psikologjike apo mbajtur peng, si dhe ka rrëzuar sit ë pabazë edhe kallëzimin për abort apo marrje peng e zhdukje të foshnjës.

Mjekësia Ligjore pretendon se nuk ka gjetur asnjë gjurmë të shtatëzanisë apo abort, që edhe nëse ka ndodhur ka qenë normal dhe të paktën 1 muaj më parë. Ekipi i ekspertëve përbëhej nga një specialist i përgjithshëm i mjekësisë ligjore dhe ekspert gjinekolog dhe një psikologe. Gjithsesi për vetë rëndësinë e këtij hetimi pritet që raporti të konsultohet edhe me një specialist tjetër gjinekolog para se të marrë formën përfundimtare.

Gjetja e gjurmëve të një tentative vetëvrasjeje me anë të prerjes së damarëve kohë më parë nga zonja Roshi, ka shtuar dyshimet e policisë për gjendjen psikike të saj dhe mundësinë e stisjes së një historie të tillë rrëqethëse rrëmbimi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›