E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prokuroria: Nazime-Fiqiri, të dashur pa presione

TIRANË- Fakte të reja kanë dalë në dritë gjatë seancës së djeshme për caktimin e masës së sigurisë për Nazime Vishën, e akuzuar për vrasjen e Fiqir Muçës. Pas përfundimit të afatit 30-ditor të arrestit me burg, Prokuroria i është drejtuar sërish Gjykatës së Tiranës me kërkesën për caktimin e masës burg pa afat për 18-vjeçaren. Prokurori nga ana e tij deklaroi se pasi është administruar telefoni dhe i është nënshtruar ekspertizës, ka rezultuar se 18-vjeçarja nuk ka pasur presion nga Muça, por ka qenë një komunikim normal mes dy personave që kanë një lidhje mes tyre. Ndërkaq, Gjykata e Tiranës pasi dëgjoi pretendimet e të dy palëve, vendosi të lërë në burg pa afat 18-vjeçaren. 

PROVAT E PROKURORISË
Gjatë seancës së djeshme, përfaqësuesi i organit të akuzës, prokurori Blerim Tominaj është shprehur se gjatë kësaj periudhe është administruar telefoni i viktimës, ku janë gjetur disa sms dhe foto. “Nga analiza e tyre rezulton që e dyshuara nuk ka pasur asnjë presion. Mes tyre ka pasur një komunikim normal dhe se është komunikimin mes dy njerëzve që kanë një lidhje të qëndrueshme dhe solide”, – është shprehur në sallë prokurori. Gjithashtu, prokurori bën të ditur se është provuar se Nazime Visha nuk ka pasur asnjëherë presion nga viktima, njëkohësisht dhe largimi i saj nuk është bërë në kushtet e presionit, sepse sipas prokurorit, ekziston një SMS një ditë përpara largimit nga banesa, ku 18-vjeçarja i shkruan se “nesër do ikim”. 

Nga ana tjetër, organi i akuzës shprehet se nuk është i qartë fakti nëse familjarët e Vishës ishin në dijeni të lidhjes së tyre, por në mënyrë indirekte ata mund të kenë pasur dijeni, pasi në SMS-të e shkëmbyera, 18-vjeçarja përveç se kërkonte gjëra për vete, i kërkonte dhe gjëra për shtëpinë. I vetmi moment ende
enigmë, sipas Prokurorisë, është fakti që nuk kuptohet ndryshimi i qëndrimit të Nazime Vishës, nga sjellja normale, e cila konfirmohet dhe nga dëshmia e taksistit, tek vrasja.
(e.m/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›