Prokuroria: Policia e la të lirë Fatmir Kujollin
Ministria e Brendshme dhe prokuroria janë përplasur në lidhje me arrestimin e Fatmir Kujollit. Ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, deklaroi dje se Policia e Shtetit nuk e disponon listën e personave të shpallur në kërkim, por kjo listë ndodhet në Prokurori. Por, sipas prokurorisë, listën e zotëron pikërisht Interpoli, që është nën varësinë e Policisë së Shtetit. Sipas prokurorisë, ka qenë pikërisht policia që e ka lënë Kujollin të lirë gjatë kësaj periudhe.
Lidhur me disa deklarime që kanë të bëjnë me çështjen e arrestimit të shtetasit Fatmir Kajolli, Prokuroria e Përgjithshme ndihet e detyruar ti bëjë me dije opinionit publik, se shtetasi i sipërpërmendur është në listën e personave të shumëkërkuar ndërkombëtarë, pas vendimeve gjyqësore që ka marrë drejtësia italiane për vepra penale të kryera në këtë vend. Për sa më sipër, për të sqaruar edhe procedurën që ndiqet në këto raste, personat që janë në kërkim ndërkombëtar shpallen si të tillë nga Zyrat Kombëtare të Interpolit të çdo vendi. Zyra kombëtare e Interpolit Tiranë, e cila është pjesë e strukturës së Policisë së Shtetit shqiptar, disponon për pasojë, në lista të plota dhe të detajuara, të gjithë emrat e personave në kërkim ndërkombëtar. Në bazë të kësaj praktike, strukturat e Policisë së Shtetit mund të konsultohen në çdo kohë me këto lista dhe mund të veprojnë me iniciativën e tyre për arrestimin e personave në kërkim ndërkombëtar, pasi kjo është në kompetencën e tyre të plotë. Në këto kushte, sqarojmë opinionin publik, se Prokuroria Shqiptare, nuk është institucioni të cilit autoritetet e huaja i komunikojnë listën e personave në kërkim ndërkombëtar, thuhet në një reagim të prokurorisë.