E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prokuroria bën kualifikimin e akuzave për "Gërdecin"

Kualifikimi i akuzave për personat që dyshohen si përgjegjës për ngjarjen e ndodhur më 15 mars në Gërdec është një tjetër procedurë që po ndiqet nga Prokuroria e Përgjithshme, bënë të ditur burime nga kjo prokurori. Sipas këtyre burimeve, grupi hetimor mendon se në këtë ngjarje janë konsumuar një sërë veprash penale dhe po punohet për kualifikimin e tyre. Aktualisht, nën hetimin e prokurorisë për veprat penale "shkelje të rregullave të sigurisë mbi lëndët plasëse, djegëse dhe radioaktive" dhe "shpërdorimit të detyrës" janë drejtuesit e subjekteve që administronin fabrikën që demontonte municione luftarake në Gërdec, si dhe të Ministrisë së Mbrojtjes dhe konkretisht shtetasit Ylli Pinari, Mihal Delijorgji, Dritan Minxholli, Dashnor Çaushi dhe Sokol Gjeci. Ndërkohë, për llogari të këtyre hetimeve, prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama, i ka kërkuar Parlamentit autorizim për ndjekjen penale të ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu. Nga shpërthimi i 15 marsit, në fabrikën e Gërdecit humbën jetën 26 persona, 12 të tjerë janë plagosur rëndë, 32 lehtë dhe me dëmtime më të lehta janë 206 persona. Gjithashtu, janë dëmtuar 5413 banesa, 32 biznese, 34 ferma bujqësore me vlerë monetare rreth 2 miliardë e 39 milionë lekë. Ndërkaq, qeveria bëri të ditur se 1500 personave - që normalisht janë familje të dëmtuara - deri tani u janë shpërndarë rreth gjysma e fondeve të parashikuara nga qeveria për dëmshpërblimin e humbjeve të pësuara nga shpërthimi i arsenalit që po demontohej në Gërdec të Vorës. 843710800 lekë kanë tërhequr 1500 persona të dëmtuar, si në Bashkinë e Vorës, ashtu edhe direkt nga dikasteri i Financave Publike. Ministria njofton se deri në orën 17:00 të ditës së premte, 25 prill 2008, kanë kaluar në llogaritë personale të 1500 shtetasve të dëmtuar nga shpërthimi "teknologjik" i Gërdecit, gati 844 milionë lekë. Ndërkohë, specialistët e Thesarit në Ministrinë e Financave po përgatisnin dje edhe listën prej 409 personash të tjerë, të cilët përfitojnë një shumë prej 135239848 lekësh. Në bazë të Vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 336, datë 24.03.2008, të dëmtuarit janë 3825 persona, që përfitojnë në total një dëmshpërblim prej 1559000000 lekësh.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›