E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prokuroria bllokon llogaritë e “Albanian Ailines”

Bllokimi i llogarive bankare konfirmohet nëpërmjet një komunikate nga vetë “Albanian Airlines”, ku thuhet se kjo masë është marrë me një kërkesë të Prokurorisë së Përgjithshme.

Ngrirja e këtyre llogarive bankare, thuhet në reagimin e kompanisë, automatikisht bllokon gjithë aktivitetin tregtar të kësaj shoqërie.

“Kjo masë krijon ngërç dhe paqartësi për vijimësinë e vetë ekzistencës juridike të kësaj shoqërie, pasi ngrirja është shtrirë mbi llogaritë dhe jo mbi shoqërinë si e tillë dhe asetet e saj”, thuhet në komunikatën e “Albanian Ailines”.

Fillimisht, njësia task forcë bllokoi vetëm llogaritë personale të shtetasit turk Ali Evsen, rreth një milion euro, ndërkohë që tashmë vlera e llogarive të bllokuara i kalon 3 milionë eurot.

Biznesmeni Ali Evsen, njëkohësisht pronar i “Albanian Airlines” u arrestua javën e kaluar në Madrid, i dyshuar për pastrim parash.

Prokuroria e Përgjithshme konfirmoi disa orë më pas se kishin nisur hetimet, kryesisht në bashkëpunim me Spanjën dhe Turqinë, për të zbardhur nëse janë pastruar para dhe nëse po, si ka qenë skema e pastrimit të parave.

Burimet e prokurorisë thonë se ka nisur procesi i verifikimit të pronave që 49-vjeçari Evsen ka në Shqipëri dhe paraprakisht rezulton se ai nuk ka kryer veprime dhe transaksione të shumta bankare.

Aktualisht Evsen rezulton të jetë pronar i disa kompanive në Shqipëri, ndërsa në Spanjë ai u arrestua si i dyshuar për nënshkrim kontratash fiktive me egjiptianin Hysein Salem, person i afërt me ish-presidentin Hysni Mubarek. /Start/

                                                                                             2011-07-01 09:13
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›