E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prokuroria, dy provat e reja kundër Sefgjinit

TIRANË- Prokuroria e Krimeve të Rënda pritet të dorëzojë prova shtesë pranë togave të zeza të cilët brenda 10 ditëve do ta shqyrtojnë kërkesën e akuzës për vlerësimin e masës shtrënguese të “arrestit shtëpiak” ndaj të pandehurit Arben Sefgjini e Avni Koldashi. Burimet e rezervuara pranë organit të akuzës, konfirmuan për “Shekullin” se prokuroria ka bërë gati prova të tjera shtesë për të bindur gjykatën që të pandehurit Arben Sefgjini dhe Avni Koldashi duhet të izolohen në shtëpi, me masën shtrënguese “arrest shtëpie” pasi ekziston rreziku i ushtrimit të ndikimit të tyre tek dëshmitarët në proces. “Prokurori i çështjes, Xhevat Hana, pas prishjes së masës së sigurisë nga Gjykata e Apelit dhe rikthimin e saj për rishqyrtim ka siguruar edhe dy prova të reja, që do të përdoren për të bindur gjykatën se të pandehurit Sefgjini e Koldashi duhet të izolohen nën masën shtrënguese “arrest shtëpie”. Prova këto që ka vendosur t’i depozitojë pranë Gjykatës së Krimeve të Rënda në momentin e rishqyrtimit të kërkesës për caktimin e masës shtrënguese”,-thuhet nga burimet pranë prokurorisë. Mësohet se prokurori Hana, si prova të reja që do t’i përdorë në seancën e vlerësimit të masës shtrënguese ndaj të pandehurve janë dëshmitë e tyre dhënë pak ditë më parë në media, që forcojnë provat e siguruara gjatë fazës hetimore. Dëshmi kjo e viktimës së këtij rrëmbimi, shtetasit Ziso Kristopuli i cili konfirmoi se i pandehuri Arben Sefgjini, gjatë marrjes në pyetje në ndërtesën e SHIK-ut në Vain të Lezhës ka ushtruar dhunë ndaj tij bashkë me oficerët që ai urdhëronte në atë kohë. Përveç kësaj dëshmie, prokurori Hana do të përdorë para gjykatës edhe “rrëfimin” e të pandehurit Avni Koldashi i cilirikonfirmoi për të disatën herë se ka qenë ai rrëmbyesi i shtetasve Ziso Kristopuli dhe Remzi Hoxha, rrëmbime të cilat i ka kryer nën urdhërat e shefit të tij, të pandehurit Arben Sefgjini që vazhdon të mbajë prej gati 5 muaj postin e Drejtorit të Përgjithshëm të Tatimeve. Ndërkohë, sipas burimeve pranë togave të zeza, mësohet se me ardhjen e vendimit të Gjykatës së Apelit, e cila vendosi pesë ditë më parë prishjen e vendimit të dhënë nga Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda, pesë anëtarët e kësaj gjykate të kryesuar nga gjyqtari Xhelal Elezi që po gjykojnë çështjen e themelit ndaj katër të pandehurve do të caktojnë datën e rishqyrtimit të kësaj kërkesë brenda këtyre 10 ditëve. “Vendimi i Gjykatës së Apelit dhënë pesë ditë më parë, thotë ndër të tjera se vendimi i dhënë më 4 maj të këtij viti nga gjyqtari Fran Prendi pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda ka shkelje procedurale. Këta pesë gjyqtarë duhet ta shqyrtojnë kërkesën e prokurorisë dhe jo gjyqtari i vetëm i hetimit”,thuhet ndër të tjera në diapozitivin e vendimit të prishjes së masës shtrënguese të “arrestit shtëpiak” të caktuar ndaj dy të pandehurve të dosjes së Remzi Hoxhës. Ndërkohë, po në këtë vendim thuhet se brenda 15 ditëve nga dhënia e këtij vendimi, gjyqtarët e Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda duhet të vlerësojnë këtë masë shtrënguese të kërkuar nga prokuroria. Mësohet nga burimet e akuzës, se prokurori i çështjes pritet që gjatë rishqyrtimit të kërkesës për caktimin e masës shtrënguese të kërkojë nga gjykata që përveç izolimit të tyre në shtëpi, t’i vendosë edhe kushtin e mos komunikimit me persona të tjerë përveç pjesëtarëve të familjes së ngushtë. Pasi sipas tyre, komunikimi me persona të ndryshëm mund të ndikojë në dëshmitarët që do të thirren nga prokuroria për të dëshmuar në lidhje me ngjarjen.

NGJARJA

Remzi Hoxha u zhduk në Vain të Lezhës

TIRANË- Të pandehurit Arben Sefgjini, aktualisht drejtor i Përgjithshëm i Tatimeve, Ilir Kumbaro, Avni Koldashi dhe Budjon Meçe akuzohen për rrëmbimin dhe zhdukjen e Remzi Hoxhës. Sipas kërkesës për gjykim, katër të pandehurit akuzohen se në bashkëpunim me njeri-tjetrin, në muajin shtator-tetor 1995 kanë rrëmbyer shtetasit Remzi Hoxha, Avdyl Loshaj dhe Ziso Kristopuli dhe në mënyrë të dhunshme i kanë çuar në një ndërtesë në administrim të SHIK-ut, në vendin e quajtur Vain të rrethit Lezhë. Aty “pengjet” janë torturuar për disa ditë nga ku ka gjetur vdekjen biznesmeni kosovar, shtetasi Remzi Hoxha, trupi i të cilit ende nuk është gjetur, ndërsa dy të tjerët kanë mundur t’i shpëtojnë torturave të agjentëve të SHIK-ut që drejtoheshin nga i pandehuri Arben Sefgjini. Sipas prokurorisë, Remzi Hoxha është rrëmbyer mesditën e datës 21 tetor të vitit 1995, në afërsi të firmës së tij të quajtur “Albatros”, e cila prodhonte konstruksione duralumini. Nga verifikimet e kryera të prokurorisë dhe dëshmisë së Avni Koldashit, rezulton se biznesmeni kosovar është rrëmbyer nga Koldashi dhe agjentët e SHIK-ut të cilët nën urdhrat e Arben Sefgjinit e kanë dërguar në Vain të Lezhës dhe makina me të cilën është vërtetuar se ka qenë e SHIK-ut janë verifikimi i targave që mbante makina e rrëmbimit TR 2449 C që i përkiste Drejtorisë së SHIK-ut në Tiranë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›