E Shtunë, 31 Tetor 2026

Elis Bakaj, pranë Borusias së Dortmundit

Elis Bakaj, i cili është edhe pjesëtar i kombëtares kuqezi, është ndër shqiptarët më të lakmuar në këtë merkato verore. Shërbimet e sulmuesit të kuq i kërkojnë disa ekipe të ndryshme europiane. Por gjatë ditës së djeshme është mësuar nga vetë presidenti i "demave të kuq", Albert Xhani, se gjermanët e Borusias së Dortmundit kanë bërë një ofertë zyrtare dhe mjaft të kënaqëshme për Elis Bakajn. Sipas njëshit të kuq, Bakaj është shumë pranë kalimit te Dortmundi, pasi parimisht është rënë dakord midis dy klubeve dhe në ditët në vijim pritet që të zyrtarizohet edhe transferimi i golashënuesit më të mirë të Partizanit në Bundesligën e parë gjermane. "Gjatë ditëve të fundit është folur shumë për kalimin e Elis Bakajt në skuadra të ndryshme europiane. Personalisht nuk merrem me menaxherë emigrantë, të cilët i shkëmbejnë futbollistët shqiptarë me thasë patatesh. Prandaj, Elis Bakaj nuk mund të binte në dorë të këtyre menaxherëve, kështu që nuk bëhet fjalë për transferimin e sulmuesit në Qipro, Zvicër, apo në ndonjë futboll të këtij rangu. Elis Bakaj është shumë pranë kalimit te Borusia e Dortmundit dhe për realizimin e këtij transferimi, bisedimet kanë nisur prej kohësh. Me këtë çështje po merret një kompani austriake, e cila po kryen të gjitha procedurat e kalimit të Bakajt nga Partizani te Dortmundi. Drejtuesit e klubit gjerman kanë qenë të pranishëm edhe në takimin miqësor, që ka zhvilluar kombëtarja jonë ndaj Polonisë, por këtu ka dështuar misioni i tyre, pasi Elisi nuk u aktivizua. Gjithsesi, drejtuesit e Borusias kanë një vizion të qartë për futbollistin, pasi kompania menaxheriale austriake u ka dhënë informacionin e duhur, ku përfshihen edhe kaseta të ndryshme. Gjithashtu, pala gjermane i ka kërkuar një mendim edhe trajnerit të kombëtares, Ari Han. Mësohet se holandezi ka folur me superlativa rreth vlerave të sulmuesit. Prandaj, Elis Bakaj është shumë pranë kalimit te Borusia e Dortmundit. E vetmja pengesë për realizimin e këtij transferimi mund të bëhet, nëse gjermanët do të ndryshojnë çmimin për të cilin kemi rënë dakord. Nuk dua të përmend shifra, por mund të them se është një ofertë e leverdisshme për të dy klubet. Kështu që më 15 qershor një përfaqësi e skuadrës së Partizanit do të udhëtojë drejt Dortmundit, ku do të kryhen bisedimet e fundit, si dhe do të mbyllen edhe procedurat e transferimit të lojtarit. Bakaj do të vijë në Gjermani disa ditë më vonë, ku do të kryejë analizat mjekësore dhe do të zhvillojë disa përgatitje me skuadrën e Borusias së Dortmundit,"- ka deklaruar dje presidenti i Partizanit, Albert Xhani. Ilir CARA

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›