Vetëdorëzohet bashkëpronari tjetër i firmës së nderimit
Gjykata e Gjirokastrës, lë të lirë dy nga 10 të akuzuarit për rënien e pallatit
Gjykata e Shkallës së Parë e Gjirokastrës vendosi dje masën e arrestit "me burg” për dy të ndaluarit të cilët dyshohen si shkaktarë të shembjes së pallatit të lagjes “11 Janari” në këtë qytet, ndërkohë dy të ndaluar të tjerë do të gjykohen në gjendje të lirë.
Admir Shehaj, përgjegjës në inspektoratin e ndërtimit në bashkinë Gjirokastër, i cili akuzohet për “shpërdorim detyre”, Thanas Llahana, inxhinier gjeolog që akuzohet për veprën penale “shkelje e rregullave në punë”, do të vazhdojnë të qëndrojnë në burg deri ditën e gjykimit. Ndërsa, Jani Ndriço, ekskavatorist në firmën “Arti” sh.p.k, i cili akuzohet për veprën penale “shkelje e rregullave në punë” dhe Njazi Çobani, arkitekt i shoqërisë së ndërtimit “Arti” sh.p.k, akuzohet për veprën penale “shkelje e rregullave në punë”, do të gjykohen në gjendje të lirë.
Burime zyrtare nga Prokuroria e Gjirokastrës, pohuan të dje se, bashkëpronari i shoqërisë së ndërtimit “Arti” sh.p.k., Aristotel Haxhi, i cili u vetëdorëzua në polici, do të dalë para drejtësisë pas tri ditësh.
...