Juristi i zhytur në konflikt borxhesh alarmon policinë
Familjarët e 29-vjeçarit Ervin Llozhi denoncojnë pengmarrjen, por të akuzuarit e dorëzojnë vetë në polici. Sherri mes tyre, për një borxh të pakthyer nga Llozhi
Familjarët e një 29-vjeçari kanë alarmuar dje policinë me denoncimin për pengmarrjen e tij, por pas dy orësh është sqaruar se bëhej fjalë për një konflikt për borxhe. Ervin Llozhi, për të cilin u dha alarmi se ishte rrëmbyer, pasditen e djeshme në afërsi të vendit të quajtur “Kafja e Rremës” në kryeqytet, dy orë pas denoncimit është shoqëruar në polici së bashku me tre “rrëmbyesit” e tij për të dhënë shpjegime. Mësohet se tre personat e dyshuar për pengmarrje e kanë dorëzuar vetë 29-vjeçarin në komisariatin nr.4 të policisë, pas presionit publik që u krijua nga përhapja e lajmit, ndërsa Llozhi ka refuzuar të japë shpjegime të mëtejshme për këtë ngjarje dhe nuk ka bërë as kallëzim penal për autorët. Policia e Tiranës konfirmoi se ngjarja ndodhi për shkak të mosmarrëveshjeve mes palëve në lidhje me një borxh të pashlyer. Ndërkohë, nuk bëhet i ditur as identiteti i autorëve të ngjarjes. Mësohet se 29-vjeçari Llozhi është jurist dhe pronar i një biznesi në Tiranë. Policia mori informacione për futjen me dhunë të një personi në një makinë tip “Wolksvagen” rreth orës 17:15, në periferi të Tiranës. Strukturat e policisë së komisariatit nr.4 u vunë menjëherë në lëvizje për të zbuluar vendndodhjen e makinës, ndërkohë që morën në pyetje edhe bashkëshorten e personit të marrë peng, nga dëshmia e së cilës u ngritën pistat e hetimit. 29-vjeçari u konfliktua fizikisht me 2 persona, për shkak të mosmarrëveshjeve në lidhje me një borxh dhe më pas këta të fundit e kanë futur me forcë në makinë. Pasi ballafaqimit në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, zyrtarë të këtij institucioni i thanë MAPO-s se në fakt nuk bëhej fjalë për një rrëmbim, por për një situatë konflikti e gjaknxehtësie për një borxh të pashlyer. Të njëjtat burime thonë se pasi 29 -vjeçari ka replikuar me tre personat që u detyrohej disa mijëra euro, i ka sfiduar ata duke u thënë se nuk dëshironte të ulej e të fliste në lidhje me këtë çështje. Ky fakt duket se ka tensionuar situatën dhe ka irrituar tre personat, të cilët e kanë futur me dhunë në makinë 29-vjeçarin. Kaq është dashur dhe familjarët e Llozhit të bëjnë denoncimin në polici. Gjatë deklarimeve të dhëna në polici, tre të dyshuarit për rrëmbim dhe Ervin Llozhi kanë pranuar faktin se kishim mosmarrëveshje për çështje borxhi mes tyre dhe se nuk ka pasur rrëmbim.