Prokuroria, hetime për skandalin e AKKP

Një nga pronat në breg të detit pranë Spillesë, që i është kthyer familjes Jenisheri
Prokuroria nis hetimet për tokat e kthyera familjes Jenisheri në vijën bregdetare pranë fshatrave Vilë-Bashtovë, Spille, Greth dhe Domen, në bazë të vendimit të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave nr. 276, datë 10.09.2008. Sinjalizimet e para për të hapur hetimet duket se kanë shkuar disa muaj më parë nga përfaqësues të autoriteteve lokale nga dy komuna që përfshijnë këto fshatra, Gosë dhe Kryevidh. Dyshimet janë shtuar më pas me pretendimet e katër personave të tjerë për të njëjtat prona. Në këto rrethana, mësohet se aktualisht Prokuroria e Tiranës ka mbledhur të plotë dokumentacionin, në bazë të të cilit i është kthyer toka familjes Jenisheri (Neime) në 4 fshatrat bregdetare dhe po verifikon vërtetësinë e tyre.
Çfarë po hetohet
Pikat kryesore se ku janë përqendruar hetimet e Prokurorisë kanë të bëjnë me llojin e tokës së kthyer, zhvendosjen e saj në pronë publike, largësinë sipas ligjit me vijën bregdetare (duhet 300 metra larg), verifikimit nëse ka apo jo mbivendosje, si dhe çdo dokument tjetër që ka argumentuar vendimin për kthimin e pronave familjes Jenisheri. Më konkretisht, burime pranë Prokurorisë bëjnë me dije se po hetohen dokumentet mbi pronësinë e vjetër para vitit 1946, pra Vërtetimit Nr. 70, protokolluar datë 01.06.2007 të Këshillit të Qarkut Tiranë. Sipas këtij vërtetimi, rezulton se prona e vjetër është tokë buke dhe jo rërë deti, siç i është kthyer familjes Jenisheri. Dyshimet e Prokurorisë vijojnë edhe për një zhvendosje të pronës gjatë procesit të kthimit. Referuar dokumentit të pronësisë së vjetër, lëshuar nga zyra e Regjistrimit të Pasurisë Kavajë, rezulton se prona e pretenduar është me vendndodhje në fshatin Rreth-Greth, të komunës Kryevidh, dhe jo në fshatin Vilë-Bashtovë. Kufizimet e pronës së vjetër, referuar dokumenteve që janë paraqitur, nuk përputhen me pronën e kthyer nga Komisioni, sipas plan-rilevimit. Ndërsa harta me të cilën është pasqyruar prona e kthyer është ajo e vitit para 1991, e jo sipas hartës së Zyrës së Regjistrimit të Pasurisë. Vendimi numër 276, datë 10.09.2008 i Komisionit të Kthimit të Pronave për familjen Janisheri, referuar plan-vendosjes së saj, për pjesën që është kthyer, ndodhet e gjitha në brezin ranor, aq më tepër deri në ujin e detit, bëjnë të ditur burime të Prokurorisë, teksa na informojnë mbi pistat e hetimit. Sipas tyre, po mëshohet edhe mbi faktin nëse prona e kthyer subjektit të familjes Jenisheri është pasuri publike apo jo. Sipas ligjit, deri në 300 metra larg vijës bregdetare, e gjithë sipërfaqja e tokës ka qenë pronë e shtetit. Me kthimin e pronës familjes Jenisheri, dyshohet se është shkelur ky ligj.
Katër pretendentë
Zyrtarisht, tokave Vilë-Bashtovës, Grethit, Spillesë dhe Domenit i kanë dalë edhe katër pretendentë, ku secili prej tyre thekson se është pronar i një pjese. Numri i tyre shkon deri në 8, por këta katër persona janë marrë parasysh, duke qenë se kanë pasur një dokumentacion për tu marrë në konsideratë. Ndërkaq, sipërfaqja që i është njohur familjes Jenisheri është shumë herë më e madhe sesa ajo e kthyer. Bëhet fjalë për qindra dynymë të tjerë, për të cilat kjo dinasti pret kompensim financiar. Së bashku me tokat e kthyera, gjithçka do të ndahet në mes pasardhësve të Neime Jenisherit, pasi ajo ka ndërruar jetë prej vitesh. Trashëgimtarë ligjorë të saj janë njohur Ferzilet Spahiu dhe Minerva Jenisheri.
Kaja: Dy herë shkresë AKKP për tokat e komunës
Gjatë intervistës së një dite më parë, kryetari i komunës Kryevidh tha se i ka dërguar zyrtarisht dy herë një shkresë AKKP-së, që të na dërgojë informacion mbi pronat e regjistruara, kopje të hartave treguese, si kopje të dokumentacioneve të tjera, me anë të së cilës i ka kthyer tokat pranë bregdetit Spille, Greth dhe Domen familjes Janisheri, por nuk kemi arritur që ti marrim. Sipas tij, AKKP-ja i ka rekomanduar që për zgjidhjen e çështjes komuna tu drejtohet organeve gjyqësore.
Kreu i AKKP-së sqaron përplasjen me komunën Kryevidh
Çefa: Vendimi i ish-zyrës rajonale, Kushtetuesja na e ndalon rishqyrtimin

Kreu i AKKP, Elvis Cefa
Nuk ka qenë kryetitullar i AKKP-së në kohën kur ky institucion i ka kthyer familjes Jenisheri tokat në katër bregdete të Adriatikut, por tani që është, Elvis Çefa përgjigjet se si është marrë ky vendim. Përgjigjet e tij vijnë duke u forcuar edhe më shumë kur bëhet fjalë për një akuzë të kryetarit të komunës Kryevidh, Fatos Kaja, sipas të cilit, AKKP-ja nuk i ka dhënë kopjet e dokumentacionit për dosjen Jenisheri. Herë me gjuhë institucionale e herë personale, Çefa sqaron gjithçka rreth përplasjes me Kajën, si dhe shkrimeve që ka bërë këto ditë gazeta Panorama, mbi dyshimet e hedhura për pronat e kthyera në bregdet familjes Jenisheri
Z. Cefa, AKKP i ka kthyer familjes Jenisheri disa toka në Vilë-Bashtovë, Spille, Greth dhe Domen. Dyshohet si një vendim i paligjshëm nga disa autoritete lokale. Po për AKKP-në pse është i ligjshëm?
Vendimi në fjalë për familjen Jenisheri është dhënë në vitin 2008 nga ish-Zyra Rajonale Tiranë e AKKP dhe është nënshkruar nga drejtori në detyrë në atë kohë, z. Bledar Dervishaj, në datën 10.9.2008 (vendimi nr.276). Megjithatë, si drejtues aktual i AKKP-së, më duhet të sqaroj faktin se vendimi i dhënë nga një zyrë rajonale prezumohej i ligjshëm për AKKP-në qendër.
Çfarë është kjo zyrë rajonale?
Është fjala për ish-zyrën rajonale Tiranë të AKKP-së, e cila ka dhënë vendimin dhe AKKP-ja e miratonte në fund, në rast se nuk kishte ankime. Ajo zyrë (rajonale) ishte organi kompetent sipas ligjit për të verifikuar dhe vlerësuar dokumentin e paraqitur nga subjekti dhe për të bërë ekspertimin hartografik të vendndodhjes së pronës objekt trajtimi. Më parë, AKKP-ja kishte në varësi 12 zyra rajonale, për 12 qarqe. Këto zyra jepnin vendime, të cilat mund të shqyrtoheshin pas një ankimi nga AKKP-ja në qendër. Tani këto zyra janë suprimuar dhe ka vetëm AKKP.
Pra, para 3 vitesh nuk ka pasur ndonjë ankimim nga AKKP qendër për këto toka ndaj zyrës rajonale?
Jo, nuk ka pasur.
Si mund të ishte kundërshtuar ligjërisht ky vendim i AKKP-së në atë kohë?
Referuar ligjit Për kthimin dhe kompensimin e pronës, ky vendim mund të ankimohej brenda 30 ditëve në rrugë administrative në AKKP vetëm nga dy subjekte – Avokati i Shtetit dhe subjekti kërkues. Nga faktet rezulton se ky vendim nuk është ankimuar brenda afatit ligjor nga asnjë nga subjektet e mësipërme. Referuar po këtij ligji, edhe afati i shqyrtimit kryesisht të vendimit nga AKKP ka përfunduar pas 30 ditëve, pra në tetor 2008. Kjo ka sjellë si pasojë që vendimi në fjalë, me kalimin e këtij afati, të bëhej titull ekzekutiv. Pra, ankimimi brenda afatit 30-ditor i një vendimi të dhënë nga një zyrë rajonale e AKKP-së nga të paktën njëri nga subjektet e përcaktuara në ligjin Për kthimin dhe kompensimin e pronave, mund të shërbente si indicie që ai (vendimi) të kishte parregullsi. Me kalimin e periudhës në fjalë, këto vendime janë bërë titull ekzekutiv, çka përjashtonte çdo mundësi ligjore që të shfuqizoheshin kryesisht.
Kryekomunari i Gosës dhe dy kryetarë të mandatuar njëri