Dritëroi: Dënimi i shkrimtarëve ishte i gabuar

Dje nga ceremonia e zhvilluar në Akademinë e Shkencave
Sot, kur mbi supe numëron plot 80 vjet, ai i ka të gjitha të drejtat të thotë: Kam penën e mprehtë dhe mendjen e kthjellët. Pikërisht kështu titullohet libri që UET Press boton për nder të tij. Një libër që përmbledh 50 vite histori të Dritëro Agollit, që vijnë në faqe mes intervistash që datojnë prej fillimviteve 70, deri në ditët e sotme, mendime e polemika në dy epokat e rëndësishme të historisë së vendit. Janë mendime të vyera që shkrimtari jep për letërsinë shqipe në të dyja kohët, para dhe pas viteve 90, por edhe për politikën, ku mendimi i tij ka shumë peshë. Partitë, qeveritë, lojërat politike, në syrin e shkrimtarit të urtë. Nga largësia e tetë dekadave jetë në krye të vendit, Dritëro Agolli ka shumëçka që mund të thuhet për jetën dhe veprën e tij, për veprimtarinë e tij publike, në shërbim të artit dhe kulturës, në shërbim të shoqërisë dhe popullit të vet. Ka një vepër letrare të plotë, ka një rol të dorës së parë në shumë momente të zhvillimit të historisë të Shqipërisë në këto 50 vjetët e fundit. Talenti, imagjinata, largpamësia dhe humanizmi janë tiparet të padyshimta të jetës dhe veprës së tij, shkruan Henri Çili në parathënien e kësaj përmbledhjeje prej 285 faqesh, e cila prezantohet sot në ambientet e UET-së. Në këtë mori intervistash e shkrimesh kushtuar atij, dhënë në momente të veçanta të krijimtarisë së tij letrare, siç mund të jetë botimi i një libri, por edhe në kulme politike, kemi zgjedhur një pjesë interviste dhënë 7 vjet më parë, në gazetën Dita, ku Agolli flet për dënimin e shkrimtarëve gjatë viteve të diktaturës. Kjo intervistë është dhënë pas një akuze që i është bërë nga Agim Musta, sipas të cilit ai kishte qenë kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve në kohën kur u dënua Bilal Xhaferri. Në këtë intervistë Agolli shpreh edhe vlerësimin e tij për disa shkrimtarë si Kasëm Trebeshina, të cilin e quan disidentin e vetëm shqiptar, si dhe për të ashtuquajturat dosje të Lidhjes.
Çfarë funksioni kishit ju kur u diskutua për romanin Dasma të Ismail Kadaresë në vitin 1968?
Unë në atë kohë kam qenë një gazetar i thjeshtë në gazetën Zëri i Popullit. Kam marrë pjesë në atë mbledhje kur u bë diskutimi i romanit Dasma të Ismail Kadaresë dhe pastaj kam pirë cigare, gjë që nuk na lejohej aty në sallë. Më pas kam takuar Bilal Xhaferrin dhe kemi dalë bashkë nga Lidhja e Shkrimtarëve. Gjatë ecjes, folëm për këtë ngjarje që i ndodhi atij. Çështë e vërteta, në atë mbledhje vetë Kadareja nuk foli, ata që folën ishin të tjerët. Pra me pak fjalë, për hir të së vërtetës duhet të pohoj se në Lidhjen e Shkrimtarëve nuk kam pasur ndonjë funksion, as në Partinë e Punës, as në Komitetin Qendror apo në ndonjë forum tjetër drejtues të partisë. Unë vetëm shkruaja në gazetë. As Anastas Kondo nuk ka qenë, me sa di unë, në atë kohë ai ishte inxhinier në Patos dhe panteolog, një njohës i mirë i shtresave të tokës së hershme. Mua personalisht më vjen keq që Agim Musta në intervistën e tij më akuzon si fajtorin e dënimit të Bilalit. Në atë kohë nuk zotëroja gjë tjetër, veçse një laps dhe një fletore. Unë u bëra kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve në vitin 1973. Nëse Agim Musta ka ndonjë informacion për shkrimtarët apo artistët gjatë periudhës kur unë isha në krye të kësaj Lidhjeje, atëherë ai mund ta lakojë emrin tim, në të kundërtën, unë nuk kam asnjë përgjegjësi. Kur është bërë diskutimi i romanit Dasma të Ismail Kadaresë, kishte tre vjet që edhe mua më ishte ndaluar botimi i librit Zhurma e erërave të dikurshme. Pra, edhe unë kisha pësuar pak a shumë të njëjtin fat si romani i Ismailit. Nëse unë do të kisha ato pozita që mendon Agimi, libri im do të ishte botuar.
Çfarë mendoni për hapjen e dosjeve në Lidhjen e Shkrimtarëve?
Dosje në Lidhjen e Shkrimtarëve nuk ka dhe nuk ka pasur. Atëherë kishte një tip kurrikulumi, siç quhet sot, por dosje nuk kanë ekzistuar kurrë. Lidhja e Shkrimtarëve nuk ishte një organizatë që punonin të gjithë vetëm në Lidhjen e Shkrimtarëve. Aty kishin gazetën Drita, tre sekretarë për letërsinë, artet figurative dhe muzikë. Aty kishte dhe një sektor për letrarët e rinj. Kurse shkrimtarët ishin vendosur në qytete të ndryshme. Nuk kishte një institucion që të mblidhte gjithë shkrimtarët brenda, sepse numri i tyre ishte shumë i madh. Në institucion ishin vetëm përgjegjësit kryesorë për mbarëvajtjen e punës. Dosje mund të kishte në Ministrinë e Brendshme, në Komitetin Qendror të Partisë, në forume të tjera që ishin. Pas rënies së sistemit socialist këto dosje shkuan në arkiva të shtetit. Këtu, sipas rregullave, është mirë që të dalin të gjitha dosjet, të paredaktuara, dhe të njihet e vërteta pa u lënë shkas njerëzve të flasin sipas mënyrës së tyre. Vetëm kështu njihet me hollësi jeta dhe veprimtaria e çdo shkrimtari.
Cili është opinioni juaj për dënimin e disa shkrimtarëve, si Bilal Xhaferri, Kasëm Trebeshina, Dhora Leka, Kin Dushi dhe Robert Vullkani?
Disa nga këta nuk ishin njerëz të njohur. Robert Vullkani ka redaktuar Pol Eluarin, por jo përkthyer. Deri në atë kohë ai nuk kishte botuar asnjë libër. Ka mbaruar në Moskë, afërsisht me mua dhe më vonë pati fatkeqësinë që u arrestua. Roberti rridhte nga një familje patriotike dhe revolucionare. Dhora Leka, të cilën e kam mikeshë familjeje, është autore e pothuajse të gjitha këngëve partizane dhe me këto këngë nuk do vdesë kurrë. Edhe ajo pati fatin e keq të burgosjes dhe internimit. Dhora është një nga intelektualet e nderuara dhe kompozitore. Ka qenë sekretare e Lidhjes së Shkrimtarëve në vitet 50, për letërsinë. Kur ajo u dënua, unë kam qenë me studime në Rusi.
Kasëm Trebeshina është disidenti ynë i vërtetë. Në vitin 1954, ai pati guximin për ti bërë një letër Komitetit Qendror, Enver Hoxhës, për problemet e realizmit socialist, duke e kritikuar këtë metodë të ngurtë. Kasëmi është njeri me talent, me vlera të padiskutueshme dhe një trim i vërtetë.
Kin Dushi ka qenë një nga gazetarët e parë të Zërit të Popullit, ka shkruar librin e parë në Gojën e ujkut, ku flet për kampin nazist të Prishtinës, i arrestuar së bashku me Llazar Siliqin. Mirëpo, Kin Dushi në tetor të vitit 67 u arrestua dhe u burgos gjatë, deri në prag të ndryshimeve demokratike, kohë kur doli nga burgu. Ishte një njeri i gëzuar, bashkëbisedues i shkëlqyer, të jepte kënaqësi në çdo moment që rrije me të.
Në atë kohë ai bëri një komedi që pati mjaft sukses në teatër, me anë të së cilës tallej shumë bukur me të metat e shoqërisë së asaj kohe.
Si e cilësoni ju dënimin e këtyre intelektualëve?
Doemos është krejtësisht i padrejtë. Shkrimtari nuk burgoset, por në atë kohë ishte një sistem i tillë që nuk ishte vetëm në vendin tonë, por në të gjithë vendet socialiste. Të gjithë kemi dëgjuar për disidentët e asaj kohe. P.sh., në Rusi u burgos dhe vdiq Babeli, Rënaku, i cili u dënua dhe për më tepër, iu ndaluan edhe botimet. Pra, ishte një fenomen i përgjithshëm i atij sistemi, por duhet ta pranojmë se te ne ishte më i egër.
Cilët ishin përgjegjësit e ndalimit të botimit të librit tuaj?
Në vitin 1965, në Plenumin e Komitetit Qendror të Partisë, që u bë për kulturën dhe letërsinë, aty u kritikua dhe pastaj u ndalua të botohej. Pavarësisht nga kjo, unë e ribotova në vitin 1997. Në atë kohë u ndalua edhe drama Rrëfimi Bardhë i Naum Priftit, gjithashtu një dramë e Qamil Buxhelit, një tjetër e Fatos Arapit, si dhe romani Tuneli i Dhimitër Xhuvanit. Këto vinin nga qarqet e larta.
Cilët ishin disa nga njerëzit që sulmuan Bilal Xhaferrin?
Jo, preferoj të mos flas në lidhje me këtë temë. Më pëlqen të flas për veten time. Ata që i kanë bërë mba