Prokuroria heton pasurinë e familjes Dajti
Hetuesit kanë kërkuar informacione nga hipoteka e bankat për të zbuluar pasuritë e Dajtit dhe të së afërmve të tij
Deri më tani prokuroria ka evidentuar dy shtëpi dhe dy makina. Ende asnjë përgjigje nga bankat
TIRANË- Prokuroria e Krimeve të Rënda në kryeqytet, e cila prej dy javësh po heton dosjen penale të vrasjes së katër agjentëve të policisë nga dora e të dënuarit me 25 vite burg Dritan Dajti, ka kërkuar verifikimin e pasurisë së tij dhe pjesëtarëve të ngushtë të familjes. Ky lajm konfirmohet nga zyrtarët e institucionit qendror të akuzës, të cilët shtuan se po verifikohet pasuria e ngritur gjatë këtyre gjashtë viteve të fundit, kohë kjo që përkon me kohën e shpalljes së tij në kërkim.
"Pas kontrollit të ushtruar në banesat e familjarëve të ngushtë të shtetasit Dritan Dajti, është konstatuar se ata disponojnë disa prona dhe hyrje në kryeqytet. Për këtë qëllim, është urdhëruar verifikimi i pasurisë së tyre, sidomos për pasurinë e vendosur këto gjashtë vitet e fundit kur Dajti ndodhej në arrati. Është kërkuar nga Zyra Qendrore e Regjistrimeve të Pasurisë së Paluajtshme që të evidentojë dhe të vendosë në dispozicion të hetimit pasuritë e paluajtshme të regjistruara në emër të familjarëve të ngushtë të Dritan Dajti apo vetë atij. Si dhe është kërkuar nga të gjitha filialet e bankave të nivelit të parë, të dytë dhe tretë në vend, që të analizojnë dhe përshkruajnë me imtësi llogaritë bankare që figurojnë të hapura në emrin e Dajtit apo familjarëve të ngushtë të tij",- thuhet nga burimet hetimore.
Sipas tyre, arsye e verifikimit të kësaj pasurie bëhet për të evidentuar se gjatë kohës së arratisë së Dajtit çfarë pasuri është vendosur dhe me çfarë të ardhura. Deri më tani, sipas burimeve nga Prokuroria e Përgjithshme, mësohet se kanë ardhur vetëm disa përgjigja nga Hipoteka e Tiranës, e cila ka evidentuar hyrjet ku banojnë prej vitesh prindërit e Dajtit dhe vëllai i tij si dhe banesa ku banonte prej kohësh bashkëshortja e Dajtit. "Këto dy prona të evidentuara figurojnë të regjistruara se ndodhen, një banesë në rrugën "Mine Peza" ku banojnë prindërit dhe një hyrje në rrugën "Myslym Shyri" ku banonte bashkëshortja e Dajtit me vajzën 10 vjeçe dhe vëllanë e saj tashmë të arrestuar Ergest Xhoxhi. Ndërkohë, ende asnjë nga filialet e bankave të niveleve të ndryshme që janë të akredituara në vend, nuk ka sjellë pranë Prokurorisë së Krimeve të Rënda ndonjë të dhënë mbi llogaritë bankare të regjistruar në emër të vetë Dritan Dajtit, bashkëshortes së tij apo prindërve dhe vëllait.
Gjithashtu, përveç këtyre dy hyrjeve që tashmë janë provuara, prokuroria ka në duar edhe dokumentet e sekuestruara të dy makinave që përdoreshin nga bashkëshortja e Dajtit, Dorela (Xhoxhi) Dajti dhe nga kunati i Dajtit tashmë i arrestuar Ergest Xhoxhi. Makina e bllokuar e bashkëshortes së Dajtit është një "BMW" e modeleve të reja, e cila është bllokuar menjëherë pas "masakrës" së vrasjes së katër agjentëve të policisë. Si dhe automjeti tjetër që është i bllokuar dhe shërben si provë materiale në procesin hetimor dhe më pas gjyqësor, është makina e tipit "Volksëagen Tuareg" me ngjyrë blu të errët dhe me xhama të errëta mbrapa, që mbante targa italiane "CR 535 FR" që përdorej për lëvizje nga Dajti dhe që ditën e ngjarjes nga brenda saj ka vrarë dy nga katër efektivët e policisë. Të dy këto automjete rezultojnë, në bazë të informacioneve të prokurorisë, se janë blerë nga Dritan Dajti por që janë regjistruar në emër të bashkëshortes dhe kunatit të tij.