E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prokuroria, 'në sitë' pasurinë e familjes Dajti

TIRANË- Prokuroria e Krimeve të Rënda në kryeqytet, e cila prej dy javësh po heton dosjen e penale të vrasjes së katër agjentëve të policisë nga dora e të dënuarit me 25 vite burg Dritan Dajti, ka kërkuar verifikimin e pasurisë së tij dhe pjesëtarëve të ngushtë të familjes. Ky lajm konfirmohet nga zyrtarët e institucionit qendror të akuzës, të cilët shtuan se po verifikohet pasuria e ngritur gjatë këtyre gjashtë viteve të fundit, kohë kjo që përkon me kohën e shpalljes së tij në kërkim. "Pas kontrollit të ushtruar në banesat e familjarëve të ngushtë të shtetasit Dritan Dajti, është konstatuar se ata disponojnë disa prona dhe hyrje në kryeqytet. Për këtë qëllim, është urdhëruar verifikimi i pasurisë së tyre, sidomos për pasurinë e vendosur këto gjashtë vitet e fundit kur Dajti ndodhej në arrati. Është kërkuar nga Zyra Qendror e Regjistrimeve të Pasurisë së Paluajtshme që të evidentoi dhe t'i vë në dispozicion të hetimit pasurit e paluajtshme të regjistruar në emër të familjarëve të ngushtë të Dritan Dajti apo vetë atij. Si dhe është kërkuar nga të gjitha filialet e bankave të nivelit të parë, dytë dhe tretë në vend, që të analizojnë dhe përshkruajnë me imtësi llogaritw bankare që figurojnë të hapura në emrin e Dajtit apo familjarëve të ngushtë të tij"-thuhet nga burimet hetimore.


Sipas tyre, arsye e verifikimit të kësaj pasuri bëhet për të evidentuar se gjatë kohës së arratisë së Dajtit çfarë pasuri është vendosur dhe me të çfarë të ardhura. Deri më tani, sipas burimeve nga Prokuroria e Përgjithshme mësohet se kanë ardhur vetëm disa përgjigja nga Hipoteka e Tiranës, e cila ka evidentuar hyrjet ku banojnë prej vitesh prindërit e Dajtit dhe vëllai i tij si dhe banesa ku banonte prej kohësh bashkëshortja e Dajtit. "Këto dy prona të evidentuara figurojnë të regjistruara se ndodhen, një banesë në rrugën "Mine Peza" ku banojnë prindërit dhe një hyrje në rrugën "Myslym Shyri" ku banonte bashkëshortja Dajtit me vajzën 10 vjeçe dhe vëllanë e saj tashmë të arrestuar Ergest Xhoxhi. Ndërkohë, ende asnjë nga filialet e bankave të niveleve të ndryshme që janë të akredituara në vend, nuk ka sjell pranë Prokurorisë së Krimeve të Rënda ndonjë të dhënë mbi llogarit bankare të regjistruar në emër të vetë Dritan Dajtit, bashkëshortes së tij apo prindërve dhe vëllait. Gjithashtu, përveç këtyre dy hyrjeve që tashmë janë provuara, prokuroria ka në duar edhe dokumentet e sekuestruara të dy makinave që përdoreshin nga bashkëshortja e Dajtit, Dorela (Xhoxhi) Dajti dhe nga kunati i Dajtit tashmë i arrestuar Ergest Xhoxhi.


Makina e bllokuar e bashkëshortes së Dajtit është një "BMW" e modeleve të reja, e cila është bllokuar menjëherë pas "masakrës" së vrasjes së katër agjentëve të policisë. Si dhe automjeti tjetër që është i bllokuar dhe shërben si provë materiale në procesin hetimore dhe më pas gjyqësor, është makina e tipit "Volkswagen Tuareg" me ngjyrë blu të errët dhe me xhama të errëta mbrapa, që mbante targa italiane "CR 535 FR" që përdorej për lëvizje nga Dajti dhe që ditën e ngjarjes nga brenda saj ka vrarë dy nga katër efektivwt e policisë. Të dy këto automjete rezultojnë, në bazë të informacioneve të prokurorisë, se janë blerë nga Dritan Dajti por që janë regjistruar në emër të bashkëshortes dhe kunatit të tij tashmë i arrestuar Xhoxhi.


*****

Avokat Qeleshi kërkon leje nga akuza për takuar Dajtin


TIRANË- Mbrojtësi ligjor i të dënuarit me 25 vite burg Dritan Dajti dhe mbi të cilin rëndojnë akuzat e vrasjes së katër policëve, shoqëruesit të tij dhe plagosjes së një adoleshenti, avokat Arben Qeleshi kërkoi leje nga Prokuroria e Krimeve të Rënda që ta takoi klientin e tij. Ka qenë ora 10:30 minuta kur avokati Qeleshi me disa shkresa në duar ka hyrë brenda ambienteve të institucionit të akuzës, duke i dorëzuar ato në zyrën e protokollit të Prokurorisë së Krimeve të Rënda. I kontaktuar nga "Shekulli" avokat Qeleshi u shpreh se dorëzoi kërkesën për leje, që ta takonte klientin e tij në ambientet e Spitalit të Burgut, ku po shërohet për tre plagët e marr gjatë shkëmbimit të zjarrit me agjentët e policisë pasditen e 7 gushtit. "Erdha në Prokurori sot (dje) për të dorëzuar kërkesën time për leje, që ta takoj klientin tim Dritan Dajti në Spitalin e Burgut. Këtë kërkesë e dorëzova dhe pres tani përgjigjen zyrtare nga drejtuesit e këtij institucioni"-tha Qeleshi, duke shtuar ka përsëritur sërish kërkesën për një mjekim më të specializuar për klientin e tij. "Gjithashtu, kërkova nga zyrtarët e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, që të krijojnë kushtet që klienti im Dritan Dajti të kryej disa vizita të detyrueshme tashmë mjekësore për shkak të shëndetit të tij të keqësuar, në institucionet më të specializuara pasi Spitali i Burgut nuk i ofron këto kushte"-theksoi avokat Qeleshi, duke shtuar se gjendja e tij shëndetësore është e rëndë për shkak të mos heqjes së predhave që ka në trup. Përveç këtyre kërkesave, avokat Qeleshi kërkoi nga institucioni i akuzës, që të lejoj prindërit dhe bashkëshorten e Dajtit që ta vizitojnë atë, pasi janë të shqetësuar për gjendjen e tij shëndetësore. Ndërkohë, këto kërkesa, sipas zyrtarëve të Prokurorisë priten të shqyrtohen gjatë javës që vjen dhe t'i jepet drejtim.

*****

Zhduken dokumentet e udhëtimit të Dajtit


TIRANË- Prokuroria e Krimeve të Rënda në kryeqytet, edhe pas kontrolleve të shumtë të kryera në banesat dhe strehët ku mendohej se fshihej i shumë kërkuari Dritan Dajti këto kohët e fundit ende nuk e ka gjetur pasaportën e të arrestuarit tashmë me dy plumba në trup. Sipas burimeve nga akuza, mësohet se nga kontrolli i ushtruar në banesat e të afërmve të tij dhe nga sekuestrimi i dokumenteve që kishte ditën e arrestimit, Dajtit nuk i është gjetur pasaporta. Gjithashtu, gjatë këtyre veprimeve nuk i janë gjetur asnjë dokument tjetër udhëtimi, për të hedhur dritë mbi lëvizjet e tija të kryera gjatë kohës së arratisjes gjashtë vjeçare. Sipas akuzës, deri më tani nuk kemi mundur të verifikojmë apo të sigurojmë ndonjë të dhënë që provon se Dritan Dajti gjatë këtyre 6 viteve ka dal jashtë territorit shqiptar, duke hedhur poshtë kështu pretendimet se ai mund të jetë strehuar në Spanjë këto kohët e fundit. Të vetmet dokumente që i janë gjetur dhe sekuestruar, sipas akuzës, janë tre kartat e identitetit të Policisë dhe një patentë italiane, të gjitha këto me foton dhe gjeneralitetet e tij por me emrin Agron Zeneli. "Tre kartat e policisë me gradën nën\komisar i Policisë së Korçës me emrin Agron Zeneli dhe një patentë shoferi të shtetit italian po me këtë emër, janë të vetmet dokumentet që i janë sekuestruara shtetasit Dritan Dajti",-thanë burimet nga akuza. Gjithashtu, këto burime saktësuan se Policia e Shtetit deri më tani nuk ka sjell ndonjë informacion apo shkresë zyrtare se shtetasi i arrestuar për vrasjen e katër agjentëve të policisë dhe dënimit që ka me 25 vjet burg Dritan Dajti, dyshohet se ka kryer ndonjë vepër penale, si ajo e "trafikut të drogës" apo "gjobëvënës". E vetmja gjë për të cilën prokurorët e çështjes Eugen Beçi e Ardian Nezha po hetojnë, sipas akuzës, janë për vrasjen e katër agjentëve të policisë, shoqëruesit të tij Ledion Mara dhe adoleshentit me inicialet F.S., i cili nuk është marr ende në pyetje. Zyrtarët e prokurorisë, konfirmuan se janë në pritje të ekspertimeve të armëve, për të hedhur dritë mbi dyshimet se armët e gjetura në vendin e ngjarjes e që janë përdor nga i arrestuari Dajti të jenë përdorur në ndonjë krim tjetër penal.



 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›