PD rrëzon Sali Shehun. Replikat e plota në Kuvend

Sali Shehu dhe Sali Berisha
Emirjon Senja
Deputetëve të maxhorancës iu është dashur të përballen me një nga sprovat më të mëdha gjatë jetës së tyre parlamentare në mbledhjen së djeshme të Komisionit të Ekonomisë, kur u diskutua dekreti i Presidentit të Republikës për Kryetarin e Kontrollit të Lartë të Shtetit. Nga njëra anë ishte vendimi politik i maxhorancës dhe Kryeministrit Berisha për rrëzimin e dekretit të Topit,njëkohësisht më të edhe të dekretuarin dhe nga ana tjetër, një ish-koleg, vjetër, i njohur si qëndrestar i Partisë Demokratike, ish-deputeti Sali Shehu. Në fund, ka fituar vendimi politik duke rrëzuar 11 me zero dekretin e Presidentit Topi për emërimin e Sali Shehut për Kryetar të Kontrollit të Lartë të Shtetit. Një qëndrim i tillë shkaktoi debate të ashpra në sallë, ku Shehu i tradhtuar nga ish-kolegët, zbardhi shkaqet të cilat sipas tij bënë anëtarët e djathtë që të shpreheshin kundër tij. Sipas Shehut, ishte afrimiteti me Presidentin Topi shkaku se përse maxhoranca refuzonte ta votonte si Kryetar të KLSH-së.
Seanca dëgjimore nisi e qetë ku anëtarët e djathtë të Komisionit e pyetën Shehun për projektet e reja që kishte ai për institucionin e Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe format e kontrollit që njihte. Si Situata u rendua, kur deputetët e djathtë, Igli Cara, Flamur Noka dhe kryetari i komisionit, Edmond Spaho dhanë mendimet e tyre në lidhje me këtë kandidaturë. Fillimisht e mori fjalën deputeti i Durrësit, Igli Cara, i cili vlerësoi kontributin e tij në PD, por tha se Shehu nuk ishte i denjë për postin e Kryetarit të KLSH. Më pas, u shpreh Flamur Noka, i cili gjithashtu vijoi në të njëjtën linje. Në fund, e mori fjalën Edmond Spaho për të shprehur vlerësimet, i cili ndryshe nga të tjerët, e justifikoi vendimin me faktin se Presidenti Topi nuk ishte konsultuar më parë me Kuvendin për kandidaturën.
Kaq është dashur që Shehu të reagojë duke thënë se ish-kolegët nuk kanë asnjë arsye për ta kundërshtuar përveç se për faktin se kanë marrë urdhër nga Kryeministri Berisha për shkak të miqësisë me Presidentin Topi. Pse më thotë Sali Berisha mua që duhet të jap dorëheqjen? Se më 14 shtator dola nga zyra dhe shkova i thashë se duhet të mbroj shtetin dhe braktisa familjen time apo se isha me një çadër në dorë në varrimin e Azem Hajdarit dhe bëra 13 muaj burg, apo se fitova dy beteja të rëndësishme në Dibër. Ka dy mundësi, ose se kam qenë kundërshtar i hapur i ndryshimeve kushtetuese dhe koha më ka dhënë të drejtë, ose se jam mik i Bamir Topit dhe këtë e kam ndër të madh. Por unë kam ngrënë bukë më pak se të tjerët në shtëpinë e tij, – tha Shehu duke replikuar ashpër me Flamur Nokën, i cili zakonisht merr pjesë të mbledhjet e rëndësishme të Komisionit të Ekonomisë.
Më shumë se me Shehun duket se maxhoranca e ka problemin me Presidentin Topi, gjë e cila u shpreh qartë edhe nga deputeti Flamur Noka, njëkohësisht edhe sekretari organizativ i PD-së, i cili theksoi se nuk bëhet fjalë për rrëzimin e tij, por të dekretit të Presidentit. Ka një konflikt interesi, Presidenti nuk është konsultuar me parlamentin. Nuk është më Sali Shehun, por me Presidentin. Ai nuk është konsultuar me Kuvendin. Ne sot po rrëzojmë dekretin e presidentit, jo Sali Shehun, – vijoi Noka. Pavarësisht rrëzimit në Komisionin e Ekonomisë, kandidatura e Shehut do të kalojë për votim në seancë plenare.
Pjesë nga debatet
Igli Cara: Ju keni qenë anëtar i Partisë Demokratike, keni patur dy herë mandatin e deputetit. Sinqerisht, duke iu referuar asaj që dëgjova në CV-në tuaj, unë do të isha krenar tiu kisha në krah si luftën tonë. Duke u nisur nga çfarë thatë, mendimi im është që ju (Sali Sheu) nuk plotësoni kushtet për të qenë kreu Kontrollit të Lartë të Shtetit.
Flamur Noka: Gjykoj që kandidatura juaj, për sa i përket kritereve është jo korrekte me ligjin. Ka një konflikt interesi, Presidenti nuk është konsultuar me parlamentin.
Edmond Spaho: Zoti Shehu, ne kemi qenë kolegë, por këtu jemi për të zbatuar ligjin. Edhe pyetjet e kolegëve ishin që të bënim një zgjedhje të mirë që të kemi një institucion të pavarur dhe lartë profesionalisht, pasi edhe vendi po punon për integrimin evropian. Në këtë kuptim, mendimi i maxhorancës është që nga pikëpamja profesionale, kandidatura juaj do të ishte shumë e mirë në një fushë tjetër, por jo në këtë fushë. Veç kësaj, maxhoranca mendon se ka edhe një arsye tjetër, të cilës unë do ti referohem. Ka të bëjë me konsultimet e Presidentit dhe Parlamentit për emërimet dhe mendojmë që Presidenti nuk e ka bërë këtë.
Andis Harasani: Dua të shpreh përsëri çudinë për sasinë dhe mënyrën e pyetjeve. Nuk kam asnjë marrëdhënie me dekretin e Presidentit Topi qoftë edhe me kolegun (Sali Shehun). E kam më shumë me komentet e kolegët e mi. Dëgjova këtu që Shehu është shumë i mirë, shumë i aftë, që e doni në PD, por nuk doni që ky njeri, kaq i mirë, kaq i aftë të drejtojë një institucion si KLSH-ja. Kjo është çakordancë me gjithë pyetjet që ju ngritët deri më tani.
Erjon Braçe: I gjithë thelbi që thoni ju, ka të bëjë me konsultimet e Presidentit me parlamentin. Do të doja që ti kërkonit Kryetarës dhe Kryeministrit që menjëherë të fillojë konsultimet për Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë.
Sali Shehu: Në fillim të fjalës përmbyllëse, dua të përcjell pikën dy të nenit 62 të Kushtetutës. Në të thuhet: Kryetari i KLSH-së zgjidhet dhe shkarkohet nga Presidenti i Republikës me mandat shtatë vjet. Dëgjova mendimin e kolegëve, që kemi qenë në një llogore. Flamuri ka qenë me mua në fushatë në 2001 dhe unë do kisha pranuar kundërshtimin e një njeriu në aspektin profesional. Flamuri është mjek në profesion, ska lidhje me këtë. Edhe Igli është biokimist mos gaboj. Ndërsa komenti juaj zoti Kryetar (Edmond Spaho shën.red), se Presidenti ka bërë ose jo detyrën, kjo nuk më përket mua. Megjithatë, kjo është zgjedhje personale. Unë e lidh këtë qëndrim me ftesën që më bëri dje Kryeministri për të dhënë dorëheqjen nga kjo detyrë. Mirëpo mbrëmë, për të qenë i sinqertë më ju, pas një analizë të gjatë që kam bërë me vetën time, kur kam dëgjuar mikun tim Sali Berisha duke më ftuar të jap dorëheqjen nga një detyrë, për të cilën jam i gatshëm ti shërbej shtetit me dolën disa pyetje. Pse me thotë Sali Berisha të jap ..
Ndërhyn Edmond Spaho: Këto dalin jashtë temës
Sali Shehu: Unë jam mik këtu dhe kam të drejtën e fjalës, më ftove të më dëgjosh. Po thoja..Pse me thotë miku im Sali Berisha të jap dorëheqjen, se më 14 shtator dola nga zyra dhe shkova i thashë se duhet të mbroj shtetin dhe braktisa familjen time apo se isha me një çadër në dorë në varrimin e Azëm Hajdarit dhe bëra 13 muaj burg, apo se fitova dy beteja të rëndësishme në Dibër? Apo se fitova dy beteja të rëndësishme në emër të PD-së, apo se fitova në Bulqizë? Apo se kam qenë për tetë vjet anëtar i një komisioni të rëndësishëm (Komisioni i Ligjeve shen.red). Jo nuk është kjo.
Spaho: Tani po kalon në gjëra që nuk kanë lidhje.
Shehu: Ka dy mundësi, ose se kam qenë kundërshtar i hapur i ndryshimeve kushtetuese dhe koha më ka dhënë të drejtë, ose se jam mik i Bamir Topit dhe këtë e kam ndër të madh. Por unë kam ngrënë bukë më pak se të tjerët në shtëpinë e tij.
Spaho: Këto janë gjëra që nuk kanë lidhje
Shehu: Për ta mbyllur po them këtë: Kjo sjellje me sjell ndërmend thënien e Jezu Krishtit: Fali o zot se sdinë çfarë bëjnë. Ju fal