Rama kishte të drejtë, tani të forcohet baza e partisë

INTERVISTA Agron Duka, ish-ministër i Bujqësisë dhe ish-deputeti i rikthyer në Asamblenë e PS-së
"Pas zgjedhjeve të 28 qershorit 2009 pati dy rryma, njëra që e konsideroi humbje, ndërmjet të cilëve bëja pjesë edhe unë, dhe tjetra që e konsideroi manipulim ku përfshihet pjesa më e madhe e Partisë Socialiste. Faktet treguan se pati të drejtë pjesa më madhe e PS-së, sepse nëse nuk do kishte manipulim do të pranohej kërkesa e vazhdueshme e PS për hapjen e kutive".
Agron Duka, ish-deputet dhe ish-ministër Bujqësie deri kur PS-ja doli në opozitë pas zgjedhjeve të 3 korrikut 2005, i jep të drejtë sot shumicës së PS-së që mbështeti Edi Ramën në denoncimin e farsës zgjedhore të 28 qershorit 2009, njëra prej arsyeve që e lanë sërish të majtën në opozitë.
I rikthyer në forume të larta të PS-së si anëtar i kooptuar i Asamblesë, z.Duka thotë megjithatë se PS-ja ka ende shumë punë për të bërë, pikësëpari me bazën e partisë, e cila duhet riorganizuar për të risjellë të majtën në pushtet.
"Deputetët, anëtarët e kryesisë, anëtarët e asamblesë duhet të jenë më të koordinuar dhe të kenë më shumë kontakte me bazën socialiste duke rizgjuar besimin në fitore si të vetmen gjë që presin anëtarët, simpatizantët dhe kryesisht militantët e parties"-thotë z.Duka, i cili komenton në intevistën për gazetën "Shekulli", humbjen e PS-së në 2005, 28 qershorin 2009 dhe opozitën që ka bërë partia e drejtuar nga Edi Rama.
Z. Duka pak kohë më parë ju bashkë me disa ish-deputetë të PS-së u rikthyet me një vendim të forumit të lartë të PS-së si anëtarë të kooptuar të Asamblesë. Cili është vlerësimi juaj për këtë?
Kjo duhet parë si vlerësim që Partia Socialiste dhe kryetari i saj z. Rama i bën këtyre njerëzve për kontributin e deritanishëm dhe angazhimin e tyre të mëtejshëm në përputhje me mundësitë dhe hapësirat që ekzistojnë brenda Partisë Socialiste.
Për mendimin tim ky është një tregues pozitiv që shpreh gadishmërinë e atyre që u thirrën e më pas u bënë anëtarë të Asamblesë, sidomos ne kushtet e tanishme kur Partia Socialiste është në opozitë. E them këtë pasi çdo ditë e më tepër po konsiderohet si zotësi servilizmi dhe nënshtrimi ndaj pushtetit si dhe përfitimet që burojnë prej tij.
Bashkë me ju u rikthyen edhe disa prej figurave të njohura të PS-së. Çfarë mendoni ju se përfaqësoni për elektoratin e majtë?
Është e vërtetë që disa nga emrat që u bënë anëtarë të Asamblesë spikasin mbi të tjerët, kjo listë mund të ishte shumë më e gjatë, nuk dua të përmend emra sepse sinqerisht mendoj që ata janë shumë, por të gjithë kanë një gjë të përbashkët alternativën e majtë.
Me rikthimin e këtyre figurave, sipas meje, PS i bën thirrje të gjithë atyre që për arsye të ndryshme u ndanë nga ajo në zgjedhjet e fundit parlamentare që janë të mirëpritur të japin eksperiencën e tyre pozitive dhe të davarisin çdo ekuivok apo keqkuptim, që PS është e interesuar të shtojë rradhët e saj dhe jo t'i rrudhë ato.
Prej vitit 2005 PS është në opozitë. Sipas jush cilat ishin shkaqet që ajo u detyrua të lërë pushtetin?
Janë një sërë faktorësh të cilat kërkojnë një analizë të thellë që Partia Socialiste e humbi pushtetin. Unë po mundohem t'i përmbledh me një përgjigjë të shkurtër.
Shkaku i parë dhe kryesor është përçarja e së majtës në zgjedhjet e vitit 2005 ku një numër i konsiderueshëm mandatesh, gati 18, ju dhurua Partisë Demokratike, aq sa mjaftuan për t'i dhënë fitoren. Së dyti, nuk duhet neglizhuar dhe konsumimi që vjen natyrshëm nga pushteti, në disa raste edhe përdorimi i tij në mënyrë abuzive dhe nepotike.
Së treti, nuk duhet të harrojmë se pushteti i Partisë Demokratike aplikoi me mjeshtëri sharjet dhe shpifjet, që edhe për shkak të shkallës së demokracisë, në jo pak raste zunë vend në elektorat duke shkaktuar dëmtimin e të majtës.
Më vjen mirë që kjo armë tashmë është bërë demode dhe e pabesueshme për faktin që shumë nga ata që ishin viktima të kësaj fushate tashmë janë përkrah Sali Berishës duke e mbajtur atë në pushtet.
Nga ana tjetër nuk duhet harruar se Berisha në vitin 2005, duke afruar disa nga figurat e larguara për shkak të pushtetit të tij absolut në PD, dha në popull një imazh të një lideri që po ndryshon pozitivisht.
Shumë nga të rehabilituarit ishin me të vërtetë të preferuar, sidomos nga elektorati i djathtë, dhe arriti në një farë mënyre të minimizojë rrjedhjen e votave të djathta.
Çfarë opozite ka bërë PS-ja e drejtuar nga Edi Rama?
Për mendimin tim PS e drejtuar nga Rama ndryshon katërcipërisht me Partinë Demokratike në mënyrën e të bërit opozitë. Kjo për faktin se nuk është marrë personalisht me asnjë opozitar pa patur fakte konkrete, si dhe në momente të vështira e të rëndësishme për kombin ka qenë konstruktive.
Le të kujtojmë kostot politike që mori Rama dhe PS-ja me qëndrimin solidar për të përballuar pasojat e Gërdecit apo për ndryshimet kushtetuese.
Partneritetit dhe seriozitetit që ai shprehu, Berisha ju përgjigj me pabesi duke shkelur kodin konsensual, vjedhur zgjedhjet nëpërmjet manipulimit të gjykatave me kutitë e mbyllura duke penguar transparencën.
Kritikët brenda PS-së, që përfaqësojnë të ashtuquajturin mendimin ndryshe, thonë se PS-ja nuk ka me memorie, e ka humbur lidhjen natyrore me bazën dhe familjen socialiste. Ju jetoni dhe bëni biznes në bazë.
Sa qëndron kjo bie fjala në zonën tuaj?
Së pari dua të them që të mendosh ndryshe nga të tjerët nuk është një tabu dhe kjo është shprehje e demokracisë në Partinë Socialiste, e rëndësishme do të thoja është të mos tradhëtosh kauzën për të cilën aderon në një parti.
Përsa i përket lidhjes natyrore të PS-së me bazën ajo është e fortë dhe e konsoliduar, unë këtë e shoh edhe në zonën time, jo si biznesmen, por si njeri i lidhur ngushtë e në mënyrë të pazgjidhshme me qytetin tim. Ndërsa për memorjen e PS komentet janë të ndryshme.
Sipas meje Edi Rama është munduar të bëjë shkëputjen e Partisë Socialiste nga e kaluara e saj komuniste, pa cënuar vlerat dhe kapacitetet që ajo trashëgon, prandaj është munduar të afrojë rreth PS-së të gjithë ata që kanë besim në programin e shpallur nga Partia Socialiste pavarësisht bindjeve të tyre të djathta apo të majta.
E parë në këtë kontekst kjo është gjë pozitive, sepse nëse ka një gjë që po e dëmton politikën shqiptare janë pikërisht rendimentet e ideologjisë komuniste, por nga ana tjetër duhej të tregohej më shumë kujdes me pjesën militante të PS e cila jo në pak raste e shihte me xhelozi këtë lëvizje.
Prej vitit 2005 PS ka humbur disa nga zonat ku kishte arritur të fitonte mbi PD-në siç ishte rasti i zonës ku kandiduat dhe fituat ju vite më parë.
Sipas jush, cilat ishin shkaqet që çuan në rrudhje të PS-së dhe si mund t'i rikthehen të majtës këto zona?
Unë nuk kam fituar vetëm, por e them me krenari që ekipi ku unë bëja pjesë, natyrisht isha në krye të tij, ka fituar tre herë nga katër zgjedhje të kryera në zonën time. Në vitin 2001 fituam në zgjedhjet parlamentare, në vitin 2003 fituam për herë të parë bashkinë e Shijakut dhe në vitin 2007 fituam përsëri. Kemi humbur në vitin 2005, me një diferencë të vogël votash. Pra siç e shihni bilanci është pozitiv.
Përsa i përket zgjedhjeve parlamentare të vitit 2009 shkaku i humbjes sipas meje ishte përsëri përçarja e së majtës. Shumë vota të majta siç e dini ndryshuan destinacion, të them të drejtën personalisht kam kontribuar për pushtetin e sotëm, duke propoganduar për LSI, por të më besoni sinqerisht kurrë nuk e kisha menduar qeverisjen e përbashkët PD -LSI. Deri në atë kohë LSI perceptohej si forcë thellësisht opozitare me PD!
Pas disa muajsh, në 8 maj 2011, është menduar të mbahen zgjedhjet vendore. Nëse PS do të jetë pjesëmarrëse e një procesi të ndershëm elektoral, si e parashikoni rezultatin në zonën tuaj?
Nëse do ketë një proces zgjedhor të ndershëm, sipas parashikimit tim PS mund të rifitojë bashkitë dhe komunat që drejton aktualisht si dhe mund të fitojë disa nga komunat që sot administrohen nga PD.
Kjo analizë bazohet në testimet që unë kam bërë si dhe në terrenin e fituar pozitivisht nga Partia Socialiste në qarkun e Durrësit si pasojë e zhgënjimit të pësuar nga qeverisja aktuale.
Ka patur kritika pas mbajtjes së zgjedhjeve të 28 qershorit 2009 për drejtimin e PS-së dhe menaxhimin e partisë së çoroditur pas manipulimit të votave nga shumica në pushtet.
Çfarë opozite ka bërë Edi Rama dhe ekipi i tij?
Pas çdo beteje, qoftë kjo elektorale, bëhen analiza dhe nxirren përgjegjësi në rast humbjeje ,dhe jepen trofe në rast fitoreje.
Pas zgjedhjeve të 28 qershorit 2009 pati dy rryma, njëra që e konsideroi humbje, ndërmjet të cilëve bëja pjesë edhe unë, dhe tjetra që e konsideroi manipulim ku përfshihet pjesa më e madhe e Partisë Socialiste. Faktet treguan se pati të drejtë pjesa më madhe e PS-së, sepse nëse nuk do kishte manipulim do të pranohej kërkesa e vazhdueshme e PS për hapjen e kutive.
Përsa i përket pyetjes suaj për menaxhimin e partisë, unë do të thoja që në fillim pati një farë çoroditjeje për arsyen që thashë më parë, pastaj kur u bind shumica dërmuese e partisë për manipulimin e bërë gjendja u normalizua, por kjo nuk do të thotë që çdo gjë është në përsosmëri. Unë do të thoja që mbetet akoma shumë për të bërë , sidomos në konsolidimin e strukturave të partisë në bazë.
Sipas meje, deputetët, anëtarët e kryesisë, anëtarët e asamblesë duhet të jenë më të koordinuar dhe të kenë më shumë kontakte me bazën socialiste duke rizgjuar besimin në fitore si të vetmen gjë që presin anëtarët, simpatizantët dhe kryesisht militantët e partisë.
E them këtë pasi me keqardhje kam konstatuar, se ndryshe nga PD, nuk kemi bërë aq sa duhet për sakrificat e larta që baza e PS-së ka bërë dhe vazhdon të bëjë për ne.
Duke qenë se jeni njëri prej biznesmenëve të suksesshëm dhe riktheheni në partinë e cilësuar si partia e biznesmenëve, sa qëndron akuza e PD-së se partia e Ramës është në shërbim të interesave të biznesmenëve, sesa të elektoratit të majtë, që është në përgjithësi i varfër?
Unë mendoj që një biznesmen nuk mund të privohet nga e drejta për të marrë pjesë në politikë. Në të dy krahët vërejmë pjesëmarrjen direkte të tyre si ministra e deputetë në Kuvendin e Shqipërisë apo si të zgjedhur në pushtetin vendor. Natyrisht nuk do të ishte mirë në se kjo teprohej, por deri tani nuk më duket një fenomen shqetësues.
Fakti që 4-5 anëtarë të grupit të majtë të deputetëve vijnë nga biznesi nuk përbën aspak dominancë. Unë do të thoja që do të ishte pozitiv aktivizimi më i madh i atyre biznesmenëve të cilëve nuk i mungon kapaciteti intelektual dhe moral për të kontribuar në hartimin e një legjislacioni sa më perfekt që normon zhvillimin ekonomik në jetën parlamentare.
Përsa i përket bindjeve të majta apo të djathta nuk kondicionohen gjithmonë nga të qenurit i pasur apo i varfër, por nga besimi që kanë njerëzit në realizimin e programeve përkatëse. Një rol të rëndësishëm, sipas meje, në vendin tonë kanë edhe liderët e partive, pasi shumë njerëz votojnë duke u nisur edhe nga simpatitë personale për ta.
Akuzat e Berishës që partia e Ramës është në shërbim të të pasurve, të atyre që lahen në vaska floriri etj, bëhen qëllimisht për të larguar PS-në nga elektorati i saj, për të ngjallur xhelozi në shtresat e varfra të popullsisë, që fatkeqësisht janë më shumë se të pasurit dhe natyrisht me logjikën e numrave atij i leverdis kjo lloj propogande.
Natyrisht nuk është normale dhe aspak e besueshme në elektorat kjo lloj propogande për sa kohë që biznesmenët ndahen në të mirë dhe të domosdoshëm kur janë në krah apo në shërbim të Sali Berishës dhe të këqinj dhe papranueshëm kur shprehen në mbrotje të bindjeve të veta.
Ish-ministri i Bujqësisë
Qeveria t'u japë prioritet investimeve kundër përmbytjeve
Pas përsëritjes së përmbytjeve në shumë zona të vendit, por veçanërisht në zonën e Shkodrës, ish-ministri Duka thotë se është prononcuar disa herë për rrugëdaljet nga kjo situatë.
"Investimet e bëra në infrastrukturën kulluese nga të gjitha qeveritë e pas 90-tës janë të pamjaftueshme, kjo për faktin se investimet e bëra në këtë drejtim nuk janë shumë të prekshme e të dukshme dhe si pasojë qeveritë në përgjithësi kanë qenë të interesuara të investojnë në ato vepra ku konvertimi në vota ishte më i sigurtë si në rrugë, spitale, shkolla etj".
Për ta ilustruar këtë ai përmend faktin që vlera e aseteve të infrastrukturës ujitëse, kulluese dhe e mbrojtjes nga përmbytjet trashëgon vendi llogaritet rreth 13 miliardë dollarë me çmimet që ofron tregu sot, ndërsa investimet e pas 90-tës në këtë drejtim janë disa milionë dollarë.
"Unë mendoj që nga kjo gjendje dilet nëse qeveria e shikon si prioritet investimin në infrastrukturën kulluese dhe të mbrojtjes nga përmbytjet, pra nëse në hartimin e buxheteve vjetore roli parësor në këto zona i jepet investimeve në këtë drejtim.
Zgjidhja e ofruar nga ana e PS-së për të korrigjuar projekt-buxhetin duke orientuar investimet në këto fusha, është jo vetëm e domosdoshme, por e vetmja rrugë për të shmangur përmbytjet e herëpashershme dhe parandalon disa dëme të tjera të tokës që sot nuk i shohim, por nesër do të përbëjnë një shqetësim të jashtëzakonshëm për Shqipërinë dhe shqiptarët".