E Diel, 1 Nëntor 2026

Prokuroria në alarm: Gjykata po na prish vendimet

Në harkun kohor të një muaji, gjykata ka “shfryrë” katër dosje të Task Forcës në Tiranë

Njësia e përbashkët hetimore, Task Forcë, vihet në alarm për vendimet e prishura nga gjykatat e të tre shkallëve. Megjithëse dosjet, sipas akuzës, kanë të gjitha elementët e duhur, me përgjime dhe vëzhgime, togat e zeza i kanë shfryrë në maksimum, duke liruar disa të pandehur dhe duke dhënë dënime qesharake për disa të tjerë. Ligjërisht prokuroria nuk mund të ankohet për prishjen e vendimeve, pasi gëzojnë të drejtën e apelimit dhe rekursit të një vendimi në shkallën më të lartë të gjyqësorit. Por ajo që është vënë re javët e fundit me dosjet e prokurorisë, është se ato janë prishur në masë, ndërsa në disa raste ka rënë edhe kualifikimi i veprës penale.

Sipas burimeve nga akuza qendrore, vetëm në njësinë Task Forcë, në Prokurorinë e Tiranës, janë të paktën katër raste flagrante ku vendimet janë prishur. Sipas një udhëzimi të zyrës së Prokurorisë së Përgjithshme, vendimet e prishura nga gjykata duhet të analizohen nga drejtuesit e akuzave të rretheve, ndërsa rastet e pafajësisë analizohen nga drejtuesit e akuzës qendrore. Si çdo vit, të dhënat janë regjistruar në syrin e statistikave, ndërsa vihet re që muajt qershor e korrik të çdo viti janë problematikë, pasi shumë vendime prishen nga togat e zeza me argumentime të paqena. Ardhja e verës, rrjedhimisht edhe pushimet, kanë sjellë prishjen e vendimeve në masë, duke sjellë diskutime në radhët e prokurorëve dhe hetuesve në mbarë Shqipërinë. Megjithatë, ata “ngushëllohen” me faktin se raportet e ndërkombëtarëve dhe të ekzekutivit i shohin togat e zeza si të korruptuara.

Sipas vëzhgimit të gazetës “Shqip, në më pak se një muaj togat e zeza kanë prishur të paktën katër vendime të Task Forcës në Tiranë. Fillimisht prokuroria kërkoi në gjykatë masë shtrënguese ndaj dy mjekëve gjinekologë, të cilët ishin kapur “mat” nga oficerët e policisë gjyqësore duke marrë ryshfet. Për këtë rast prokuroria paraqiti në gjykatë të gjitha provat, si vëzhgimet dhe përgjimet, ndërsa kërkoi masë shtrënguese pezullim të aktivitetit deri në një vendim gjyqësor, si dhe një garanci pasurore. Duke parë shembujt e mëparshëm, që gjykata ka liruar pothuajse çdo mjek të akuzuar për korrupsion, megjithëse prokuroria dhe në disa raste kishe një urdhër arresti të lëshuar po nga gjykata, akuza mendonte se hetimet ndaj këtyre rasteve duhet të bëhen në gjendje të lirë. Por, për çudi gjykata sërish vendosi të rrëzojë prokurorinë, duke vendosur ndaj mjekëve vetëm masën shtrënguese garanci pasurore, ndërsa personat e hetuar për korrupsion vazhdojnë ende të punojnë në “vendin e krimit”.

Pak ditë më parë, Gjykata e Apelit dhe ajo e Lartë kanë liruar nga qelia dy shtetasit kosovarë, Valon Kyçyku dhe Burim Haxhiolli, të cilët kërkuan ndryshimin e masës së sigurisë “arrest me burg” dhënë për ta, pas arrestimit në muajin maj. Dy të pandehurit, të dy shtetas kosovarë, akuzohen se ishin të përfshirë në një skemë mashtrimi piramidale. Dyshohet se ata kanë përfituar mbi një milion euro, duke u premtuar njerëzve të ndryshëm sukses dhe shumëfishim të parave të tyre.

Një nga rastet më flagrante, sipas akuzës, është edhe ndryshimi i masës së dënimit për dy punonjësit e Policisë së Shtetit, Besnik Preni dhe Preng Frroku, të akuzuar për korrupsion pasiv dhe të dënuar nga gjykata vetëm për vjedhje, duke shpërdoruar detyrën. Organi i akuzës kërkoi tre vjet burg, ndërsa gjykata i dënoi vetëm me 6 muaj burg. Arrestimi i Prenit dhe Frrokut është realizuar në muajin prill të këtij viti dhe sipas një përllogaritje të thjeshtë, dy policët duhet të dalin këto ditë nga qelia, pasi një ditë burg në paraburgim llogaritet me një ditë e gjysmë burg.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›