E Diel, 1 Nëntor 2026

Rumunët e dashuruar në Butrint

U shfaq në Butrint muzikali “Romeo dhe Zhuljeta”, me regji të Keros dhe muzikë të Gerard Presguviç. Për shkak të lodhjes dhe dinamikës së interpretimit të veprës, artistët pjesëmarrës nuk kanë marrë pjesë në konferencën për shtyp, siç e do zakoni pas shfaqjes “Elektra” e Teatrit Kombëtar, mbyll "Butrintin"

Kur Gerard Presguviç adaptoi muzikën për “Romeo dhe Zhulietën”, arriti të realizonte ëndrrën e tij sepse arriti të krijonte një kryevepër. Më në fund ai arriti të gjente tiparin artistik në dy pasionet e tij- komedinë dhe muzikën – dhe nga ky bashkim lindi një sukses i madh. E ky sukses i tij, ky muzikal ndërtuar mbi tragjedinë shekspiriane të dy të rinjve të dashuruar, është ngjitur në skenën e Butrintit, për të përcjellë para publikut një vepër e cila zgjati më shumë se dy orë. Interpretoi në rolin e Romeos, George Papagheorghe, dhe atë të Zhulietës, Diana Nitu. Veç tyre, edhe artistët e tjerë të Teatrit Kombëtar të Operetës “Ion Dacian” të Bukureshtit sollën dinamikën e kohës dhe ngjarjes së veprës. shfaqja e cila ka zgjatur deri pas mesnate, është vlerësuar nga artistë e aktorë të pranishëm në këtë festival si një shfaqje plot energji, dinamikë dhe luks artistik. Ky spektakël ka ardhur drejt Butrintit nën regjinë e regjisorit rumun të njohur me emrin Kero (Miklos Gabor Kerenyi), i cili është drejtor i përgjithshëm artistik i Teatrit të Operetës së Budapestit. Kero nuk ka qenë vetë i pranishëm në Butrint për arsye pune. Për shkak të dinamikës dhe lodhjes së madhe që patën gjatë spektaklit, i cili zgjati deri pas mesnate, artistët nuk arritën të dilnin në konferencën për shtyp.

Kur është dhënë premierë, në prill të 2009-s, “Romeo dhe Zhulieta” ishte muzikali i parë pop-rrok i luajtur nga një institucion teatror profesional në Rumani. E bazuar në historinë e famshme të dashurisë të Shekspirit, “Romeo dhe Zhulieta”, ajo përfaqëson dy të rinj të cilët përjetojnë një dramë universale që prek zemrat e publikut nëpërmjet ritmit pop-rrok dhe lirikës së pafundme. I krijuar në vitin 2001, muzikali pati më shumë se 1 milion shikues gjatë vitit të parë, dhe shitjet arritën shumë shpejt nivele rekord. Gjatë karrierës së tij, Presgurviç ka gjetur lidhjen midis zërit dhe imazhit. Në të njëjtën kohë, një pjesë të rëndësishme të karrierës së tij zë edhe kinemaja duke qenë se është diplomuar në Shkollën e filmit. Ai ka qenë regjisor i shumë filmave të shkurtër, pa lënë mënjanë kompozimin në të njëjtën kohë. Kur ishte 24 vjeç, babai i bleu një piano dhe kjo gjë shënoi fillimin e karrierës së tij si kompozitor. Bashkëpunimi me Patrick Bruel e ndihmoi të forconte pozicionin e tij dhe karrierën në skenën e muzikës franceze. Këngët që ai kompozoi u bënë të njohura shumë shpejt. Presgurviç shkroi dhe kompozoi shumë këngë të suksesshme për artistë të ndryshëm. Gjatë gjithë kësaj kohe kinemaja mbeti një shqetësim konstant për të. Ai vazhdoi të shkruante për filmat dhe për seriale të ndryshëm, duke punuar me regjisorë të mëdhenj, midis të cilëve edhe Claude Lelouch, apo Agnès Varda. Në vitin 1998, gruaja e tij Eveline i dha atij idenë për të shkruar një muzikal, tipin ideal të një performance që do ta lejonte atë të realizonte ëndrrën e tij. Presgurviç filloi të shkruante muzikën dhe lirikën për diçka që do të shquhej si rasti unik në historinë e gjinisë se komedisë muzikore. Presgurviç eci drejt një aventure të jetës së tij me një spektakël që pati mjaft sukses, duke thyer të gjitha rekordet kombëtare. “Romeo dhe Zhulieta” është vendosur në skenat e Kanadasë, Londrës, Amsterdamit, Budapestit, Moskës, Vjenës, Seulit, dhe Taipeit, duke u përkthyer në shumë gjuhë të botës, midis të cilave edhe në flemisht, anglisht, hungarisht, rusisht, dhe gjermanisht. Në Hungari, muzikali është vënë për herë të parë në vitin 2004 dhe akoma ka mbetur në repertor, duke gëzuar po të njëjtin sukses me bileta të shitura shumë muaj përpara. Një tjetër hit i Presgurviç ishte adaptimi i komedisë së tij muzikore me të famshmen “Bashkë me erën” nga Margaret Mitchell. Emocioni që Presgurviç investon në personazhet dhe në muzikën e tij vazhdon të prekë audiencën, pavarësisht shtresës etnike apo sociale.

Ditën pas spektaklit është komentuar tepër edhe aspekti regjisorial që Kero i ka dhënë këtij muzikali, se si produksionet e tij muzikore e kanë bërë të famshëm në Hungari dhe më gjerë. Ai është diplomuar në degën regjisurë dhe në Akademinë e Filmit dhe muzikës në kolegjin e muzikës “Bela Barok”. Midis produksioneve të tij më të rëndësishme ne gjejmë: “Don Karlos” dhe “Makbeth” nga Verdi, “Faust” nga Gunot, “Madame Butterfly” nga Puçini, “Elizabeth” nga Silvester Levay, “Mozart” nga Levay-Kunze, “Romeo dhe Zhulieta” nga Prezgurvic, “West Side Story” nga Bernstein, “Mbretëresha e Ksardas” dhe “Kontesha Maritza” nga Emmerich Kalman dhe “Die Fledermaus” nga Johann Strauss.

Në vitin 2008 ai bëri komedinë e parë muzikore hungareze, të bazuar në një nga historitë më të famshme botërore të Shekspirit “ëndrra e një nate vere”. Disa nga produksionet e tij janë performuar në Britani, Austri, Francë, Gjermani, Zvicër e SHBA.

#

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›