E Shtunë, 31 Tetor 2026

Haradinaj: Jam i gatshëm ti përgjigjem kurdoherë TPI-së

Ish-kryeministri i Kosovës shprehet për “Shqip” para hyrjes në seancën e Gjykatës së Hagës

Ndërsa do të nisej drejt Hagës, për të filluar një tjetër betejë gjyqësore me TPI-në, kreu i opozitës së Kosovës zhvilloi një bisedë telefonike me liderin e AAK-së, zotin Ramush Haradinaj. Ish-kryeministri i Kosovës u shpreh për “Shqip” se për këtë rikthim në Hagë ka qenë në dijeni kohë më parë dhe nuk brengoset. "Jam i pastër dhe jam i gatshëm kurdo qoftë t'i përgjigjem Gjykatës Penale Ndërkombëtare në Hagë dhe besoj se drejtësia është në anën time", u shpreh zoti Haradinaj

Dhoma e Apelit ka vendosur paraburgim për zotin Haradinaj, si dhe për dy ish-pjesëtarët e tjerë të UçK-së, zotërinjtë Brahimaj e Balaj, "pasi kishin munguar dëshmitë e disa dëshmitarëve bazë", bëjnë të ditur për mediat zyrtarët e TPI-së në Hagë. Ndërkohë që Dhoma e Apelit e Gjykatës së Hagës dje ka anuluar pjesërisht vendimin e gjykatës për pafajësi ndaj Ramush Haradinajt, Idriz Balajt dhe Lahi Brahimajt.
"Jam i pastër dhe jam i gatshëm kurdo qoftë t'i përgjigjem Gjykatës Penale Ndërkombëtare në Hagë dhe besoj se drejtësia është në anën time", është shprehur zoti Haradinaj.

Ish-kryeministri i Kosovës në vazhdim u shpreh se “për këtë jam i gatshëm të bashkëpunoj me TPI-në dhe çdo institucion ndërkombëtar në favor të paqes në rajon, sepse pa arrestimin e kriminelëve në Ballkan, nuk mund të ketë stabilitet në rajon".
Dhoma e Apelit me shumicë votash ka urdhëruar rigjykim të pjesshëm lidhur me rastin. Apeli pranoi ankesën e prokurorisë se nuk i ishte dhënë kohë e mjaftueshme për të shfrytëzuar të gjitha rrugët, në mënyrë që të paraqiteshin dy dëshmitarë kyç të rastit. Apeli ka arritur në përfundimin se gjykata ka dështuar në marrjen e masave të nevojshme për të siguruar dëshmitë e disa prej dëshmitarëve. Dhoma e Apelit ka hedhur poshtë apelin e prokurorisë lidhur me akuzat e tjera.

“Ekipi mbrojtës i zotit Haradinaj është jashtëzakonisht i befasuar me vendimin e sotëm. Kjo është diçka që ne s’kemi mundur ta parashohim, posaçërisht duke pasur parasysh lirimin e tij të pamëdyshje dhe unanim të para dy viteve”, është shprehur Michael O'Reilly, koordinatori i ekipit të mbrojtjes në procesin e Ramush Haradinajt.

Në një komunikatë të Gjykatës së Hagës thuhet se Haradinaj, Balaj dhe Brahimaj ishin përgjegjës për krime përmes një ndërmarrjeje të përbashkët kriminale. Sipas vendimit të gjykatës, vetëm gjashtë nga 37 akuzat fillestare kundër Haradinajt do t'i nënshtrohen rigjykimit.
Në një konferencë të mbajtur në Kosovë, sapo mbërriti lajmi nga anëtarë të kryesisë së AAK-së, nënkryetari i partisë, Blerim Shala, duke iu referuar vendimit të Dhomës së Apelit, ka thënë se vendimi për rigjykimin e pjesshëm të Ramush Haradinajt është një lajm shumë i keq për AAK-në, për qytetarët e Kosovës dhe për shtetin e Kosovës. 

“AAK është tej mase e befasuar me vendimin e Gjykatës së Hagës, veçmas kur dihet që me një vendim unanim të shkallës së parë të kësaj gjykate, më 3 prill të vitit 2008, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, është shpallur i pafajshëm prej të gjitha akuzave”, u shpreh nënkryetari i kësaj partie, Blerim Shala. Shala ka shtuar më tej, sikurse në atë kohë, edhe tani, Kosova është duke u përballur me sfida të shumta politike dhe të sigurisë. Ndaj ngjarjet e fundit, siç është pritja e shpalljes së qëndrimit të GJND-së, do të dëmtohet thellësisht. Ai ka u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve të Kosovës që të jenë të matur dhe të pjekur sikurse herët e tjera në këso situatash.
“Këtë ia kemi borxh kryetarit tonë, Ramush Haradinaj”, ka thënë ai duke shprehur bindjen e palëkundur se AAK do t’i fitojë zgjedhjet e ardhshme parlamentare dhe Ramush Haradinaj do të jetë Kryeministër i vendit.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›