E Diel, 1 Nëntor 2026

Prokuroria pushon akuzat ndaj dy prej tre të pandehurve për rrugën Durrës-Kukës

Vetëm pak ditë pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Tiranës ju dha një shuplakë hetimeve të stërzgjatura, Prokuroria e Përgjithshme ka pushuar akuzat ndaj dy prej tre personave që ajo kishte marrë me statusin e të pandehurit, për dosjen e rrugës Durrës-Kukës. Burime të Prokurorisë së Përgjithshme, bënë të ditur dje se, janë pushuar hetimet ndaj Armand Telitit ish-zëvendësministrit të Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, si edhe ndaj ish-drejtoreshës së Përgjithshme të Rrugëve, Lejla Saraçi. Për Prokurorinë Përgjithshme i vetmi person i pandehur është Andi Toma, ish-drejtori Jurdik i minsitrisë së Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit.

Mbyllja e hetimeve
Burime të Prokurorisë së Përgjithshme bënë të ditur dje se, ju është komunikuar Armand Telitit dhe Lejla Sarçit, pushimi i akuzave ndaj tyre dhe për pasojë, edhe mbyllja e hetimeve. Të njëjtat burime, bënë të ditur se ky zhvillimi i ri, u është komunikuar dy të pandehurve rreth mesditës së djeshme.
Nëpërmjet këtij komunikim, mësohet se Armand Telitit ish-zëvendësministri i Punëve Publike, Transporit dhe Telekomunikacionit, si edhe Lejla Saraçi ish-drejtoresha e Përgjithshme e Rrugëve, çlirohen nga akuza e “shpërdorimit të detyrës”, parashikuar nga nenen 25 dhe 248 të Kodit Penal.
Të njëjta burime saktësuan se, i vetmi person i pandehur, për çështjen e dosjes së rrugës Durrës-Kukës, është Andi Toma, ish-drejtori Jurdik i ministrisë së Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit.
Sipas burimeve të Prokurorisë së Përgjithshme, mësohet se ish-ministri i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, Lulzim basha, është thjesht person nën hetim, status ky I ndryshëm nga statusi i Andi Tomës, dhe dy personave të tjerë të çliruar dje, Armand Teliti dhe Lejla Saraçi.

Zvarritja e hetimeve
Zvarritja e hetimeve për çështjen e dosjes së rrugës Durrës-Kukës, është një histori më vete, që vazhdon prej rreth dy vjetësh. Përpos qëllimit të prokurorisë për të zvarritur këto hetime, disa ditë më parë, gjykata e Tiranës pranoi kërkesën e dy të pandehurve që ishin nën hetim për këtë çështje, Armand Teliti dhe Andi Toma. Ata pretendonin se shtyrja më e fundit, e përsëritur, me një muaj e afateve nga prokuroria ishte e panevojshëm pasi ka më shumë se dy vjet që hetohet për këtë çështje dhe kërkuan që dosja hetimore t’i kalojë gjykatës.
Pas ankesës së Telitit dhe Tomës, disa ditë më parë, Gjykata e Shkallës së Parë e Tiranës urdhëroi Prokurorinë e Përgjithshme të Tiranës që të mbyllë hetimet ndaj të akuzuarve për rrugën Durrës-Kukës dhe dërgimin e dosjes për gjykim në gjykatë.
Trupi gjykues e cilësoi të drejtë kërkesën e Armand Telitit ish-zëvendësministrit të Transporteve dhe Andi Tomës ish-drejtorit juridik në këtë ministri. Teliti dhe Toma kishin kërkuar shfuqizimin e një urdhri të Prokurorisë, sipas të cilit hetimet për rrugën do të zgjateshin edhe një muaj nga 6 nëntori në 6 dhjetor të këtij viti.
Përveç kësaj veprimet hetimore që janë kryer nga 6 nëntori e deri tani konsiderohen të pavlefshme për në gjykatë.

Ina Rama pranoi pezullimin e hetimeve
Disa ditë më parë, Ina Rama Prokurorja e Përgjithshme ka pranuar dhe pohuar pezullimin e hetimeve për dosjen e rrugës Durrës-Kukës, e imponuar nga vendimi më i fundit i Gjykatës së Shkallës së Parë të Tiranës. Kryeprokurorja ka pohuar se megjithëse po zbatohet vendim i dhënë nga gjykata e Shkallës së Parë e Tiranës, pak ditë më parë, çështja është ankimuar në Gjykatën e Apelit.
"Gjykata e Tiranës para pak ditësh ka vendosur të shfuqizojë vendimin tonë për zgjatjen e afatit të hetimeve. Sigurisht që ky është një vendim gjykate. Qëndrimi jonë institucional është që ne nuk jemi dakord me këtë vendim dhe kemi bërë ankim ndaj në Gjykatën e Apelit të Tiranës. Gjithsesi ky është një mendim që do të merret në konsideratë nga ana jonë për t'i dhënë rrugë hetimit të çështjes së rrugës Durrës - Kukës. Ne do të marrim në konsideratë mendimin e gjykatës me të cilin gjithsesi nuk ndajmë të njëjtin qëndrim, nuk jemi dakord dhe për të cilin kemi bërë ankesë. Për shkak të dispozitave të ligjit ne nuk mund të bëjmë veprime hetimore sepse vendimi i gjykatës i cili ndalon vazhdimin e mëtejshëm të hetimeve, edhe kur ankimohet është një vendim që i ekzekuton efektet e tij, domethënë nuk pezullohet për shkak të ankimit që ne kemi paraqitur. Kështu që ne jemi të detyruar të mos bëjmë tani asnjë veprim hetimor nga ato që ishin parashikuar", tha kryeprokurorja Ina Rama.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›