Prokuroria te mos ndikohet nga politika

Ish-presidenti Moisiu, por edhe zoti Aleksandër Biberaj theksojnë se është shumë e rëndësishme që prokuroria të mos ndikohet nga politika.
“Jemi një vend me korrupsion galopant. Kështu është cilësuar, nuk po e them unë, dhe ende nuk kemi patur ndëshkime. Një ministër apo kryeministër, që të dalë para drejtësisë për këto raste. Përgjegjësi ka pasur edhe prokuroria, e cila duhet të ishte më kërkuese”, deklaron Moisiu.
“Mazhoranca duhet të miratojë heqjen e imunitetit për deputetët e saj, një pjesë e të cilëve janë edhe ministra. Deri tani cështja ka mbetur në rang propagandistik. Për ta arritur këtë duhet një vullnet i mazhorancës dhe opozitës, që deputetët dhe ministrat sot të kenë, ndërsa nesër të jenë pa imunitet nëse e kërkon prokuroria”, shprehet nga ana tjetër Biberaj.
Pak ditë më parë, Top Channel ka publikuar dosjen e plotë që vërteton ndërhyrjen e ish-ministrit Ruli në ndryshimin e kontratës së koncesionit për minierën e kromit në Bulqizë, vetëm dy ditë para largimit nga posti i ministrit të Ekonomisë. Por sa po heton prokuroria këtë cështje dhe a po ndikon politika në pengimin e hetimit.
“Në disa procese të rënda, sic është Gërdeci por edhe të tjera, nuk janë cuar deri në fund hetimet ose janë mënjanuar për arsye të kota. Në vendet demokratike, kur ngrihet një problem, personi jep dorëheqjen dhe i hap rrugë prokurorisë”, thekson Moisiu.
“Nuk po luftohet korrupsioni, për këtë ka përgjegjësi mazhoranca. Kemi vendet e rajonit ku janë hapur cështje të rëndësishme si Mal i Zi, Kosovë, etj. Mendoj se kur ka një akuzë korrupsioni prokuroria duhet të veprojë”, nënvizon më tej Biberaj.
Prokuroria është një ndër hallkat më të rëndësishme të një shteti demokratik, një hallkë e cila nëse nuk funksionon si duhet, mund të kthehet në një pengesë serioze që Shqipëria të marrë edhe statusin e vendit kandidat në BE.