E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rrezohet me tritol shtylla

Një shtyllë e tensionit të lartë e linjës 220 kilovolt Koman-Elbasan është rrëzuar në tokë me anë të eksplozivit.

Ngjarja ka ndodhur në fshatin Bilaj të Fushë Krujës, ku shtyllës i është vendosur dinamit te këmbët e saj duke e rrëzuar në tokë.

Sipas CEZ, kjo është një ndër shtyllat më të rëndësishme të transmetimit të tensionit të lartë në të gjithë vendin.

Ndaj, si rezulatat i rrëzimit të saj ka patur probleme me furnizmin me energji elektrike në disa rrethe, përfshirë edhe kryeqytetin.

Duke nisur nga një natë më parë, deri sot në orët e paradites ka pasur probleme me furnizimin në pjesën jugperëndimore të Tiranës.

Në Tiranë situata është normalizuar rreth orës 11. Por, sipas Fabiola Haxhillarit, zëdhënëse pranë kompanisë “CEZ”, është e detyruar të bëjë alternime të shkurtra ndërprerjesh, sidomos në zonat rurale në qendër dhe jug-perëndim të vendit për shkak të mos furnizmit me kapacitet të plotë nga OST.

Shkaku kryesor është rrëzimi i shtyllës në Fushë Krujë. Në vendin e ngjarjes kanë shkuar forcat e policisë, njësitë antiterror, si dhe një grup nga OST, të cilët janë përpjekur për rivendosjen në punë të kësaj linje.

Sipas ekspertëve, lënda shpërthyese, e cila mendohet të jetë tritol, ka qenë rreth 400 gramë dhe është vendosur në seksionin e dytë të shtyllës së tensionit të lartë.

Kjo është hera e tretë që në këtë zonë u janë vendosur lëndë shpërthyese linjave të tensionit të lartë. Policia po heton për gjetjen e autorëve të vendosjes së eksplozivit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›