E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prokuroria thellon hetimet për akuzat Rama-Vokshi

TIRANE- Prokurorët e Task-Forcës do të zbarkojnë në fillim të javës në të gjitha zyrat e administratës dhe kompanive private, për të shtënë në dorë të gjitha dokumentet e nevojshme, përmes të cilave presin të hedhin dritë mbi të vërtetën e akuzave publike të bëra në drejtim të deputetes së Partisë Demokratike, Albana Vokshi dhe kreut të socialistëve e njëkohësisht kryetarit të Bashkisë Tiranë, Edi Rama.

Me shpresën se deputetja Vokshi dhe deputeti socialist Erion Braçe do t'u vinin në dispozicion materialet ku mbështesnin akuzat publike për përfshirje në afera korrupsioni apo abuzim me detyrën, dy prokurorët Valentin Preçi dhe Ardian Braha vendosën ta ngrinin siparin e hetimeve duke i pyetur së pari dy njerëzit e politikës. Por, më shumë se sa rikonfirmim të deklaratave politike, si Vokshi ashtu dhe Braçe nuk dhanë ndonjë ndihmesë të madhe për organin hetimor.

Në këtë mënyrë, hetuesit do të thellohen më tej duke "rrëmuar" në zyrat jo vetëm të ministrive apo institucioneve nga kanë dalë lejet koncesionare dhe lejet e ndërtimit, por edhe në zyrat e kompanive private. Marrja në duar e këtyre dokumenteve do të ndihmojë hetuesit të hedhin dritë mbi akuzat publike të bëra ndaj Vokshit, për fshehje të pasurisë apo përfitim të lejeve koncesionare nga biznesmeni Arian Tartari, me të cilin ajo bashkëjeton, si dhe akuzat e ndërsjella që Vokshi bëri ndaj kryesocialistit Rama për korrupsion me lejet e ndërtimit nga Bashkia e Tiranës. 

Dokumentet
E gjithë praktika e lejeve koncesionare dhe atyre të ndërtimit do të përfundojë në pak ditë në duart e hetuesve, të cilët kanë nisur kryesisht një hetim të gjerë për akuzat e rënda publike që pjesëtarë të opozitës kanë hedhur në drejtim të atyre të maxhorancës, e anasjelltas. "Do të sekuestrojmë çdo dokument që mendojmë se është i vlefshëm për hetimin. Dokumentet do të merren kudo që të ndodhen, në ministri, zyra të administratës apo kompani private", bënë të ditur burime të prokurorisë, duke theksuar se do të marrin nga sirtarët e institucioneve lejet koncesionare dhe leje ndërtimi, për të cilat është folur shumë ditët e fundit. Hetuesit thanë se do t'u kërkojnë informacion apo do të zbarkojnë për të sekuestruar dokumente në të gjitha dikasteret e përfshira në "luftën" e akuzave për korrupsion. Ndërkaq, për hetimin do të ndihmojnë edhe deklarimet e deputetëve të tjerë, si të maxhorancës, ashtu edhe të opozitës, si dhe të biznesmenëve të akuzuar përgjatë ditëve të fundit. Veç Arian Tartarit, personit që bashkëjeton me deputeten Albana Vokshi, prokurorët do të pyesin dhe Dritan Avllajn, i njohur ndryshe si Tan Lepuri, i përfolur shumë gjatë ditëve të fundit për lidhje me kreun e opozitës. Deri më tani, në prokurori kanë dëshmuar vetëm deputetja demokrate, Albana Vokshi dhe socialisti Erion Braçe.
(m.a/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Teknologjia

Të gjitha ›