E Shtunë, 31 Tetor 2026

Braçe: Vokshi i dha bashkëjetuesit 4 nga 6 puset e naftës

PS paraqet të tjera fakte mbi dyshimet e ngritura për marrëveshjen midis "Albpetrol" dhe "Stream Oil"


Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, ka risjellë dje në vëmendje dosjen "Vokshi", ku ka vijuar hedhjen dritë mbi marrjen e koncesioneve nga bashkëjetuesi i deputetes demokrate, Arian Tartari.


Nënkryetari i grupit parlamentar Socialist në daljen e djeshme për mediat riktheu vëmendjen, tek 4 kontratat apo marrëveshjet e naftës, të nënshkruara mes kompanisë "Albpetrol" dhe kompanisë "Stream Oil" dhe të miratuar nga qeveria e kryeministrit Sali Berisha në datën 8 gusht të vitit 2007, përmes këtij vendimi.


Ai theksoi se qeveria ka miratuar 4 marrëveshje hidrokarburesh me kompaninë, mes kompanisë "Albpetrol" dhe kompanisë "Stream Oil", që të dyja kompani të familjarizuara tashmë për gjithë publikun shqiptar.


Sipas tij, këto 4 marrëveshje venë në dispozicion të kompanisë "Stream Oil" 4 nga 6 vendburimet e naftës dhe të gazit që disponon sot Shqipëria, nën administrimin e qeverisë së radhës dhe e radhës në vitin 2007 është qeveria e Sali Berishës.


"Në kohën kur këto marrëveshje, pra në korrik-gusht të vitit 2007 janë nënshkruar mes kompanisë 'Albpetrol' dhe kompanisë 'Stream Oil', zonja Albana Vokshi, sot në statusin e deputetes, ka qenë anëtare e Këshillit mbikëqyrës së kompanisë 'Albpetrol', autoritet që ka pasur vendimmarrjen e plotë për dhënien e këtyre 4 kontratave apo 4 marrëveshjeve hidrokarbure tek kompania 'Stream Oil'", denoncoi Erion Braçe.


Lidhur me këtë çështje, ai paraqiti dy dokumente me firmë të tyre, pra me firmë të zonjës në fjalë, që dëshmojnë pikërisht këtë fakt, që zonja në fjalë ka qenë anëtare e Këshillit mbikëqyrës, i cili ka marrë vendimin për të kaluar 4 nga 6 vendburimet kryesore të naftës dhe të gazit në vend tek kompania "Stream Oil".


Në një tjetër dokument, deputeti socialist tha se fakti që konfirmon qenien e zonjës anëtare e Këshillit mbikëqyrës të kompanisë "Albpetrol sha", e tregon deklarata e pasurisë e Albana Vokshit për vitin 2007 dhe po me firmë të saj në faqen 3 të kësaj deklarate shënohen të ardhurat si anëtare e Këshillit mbikëqyrës të "Albpetrol sha" 277.145 lekë të reja.


Tartari, pronari i vetëm


"'Stream Oil', sipas të gjitha dokumenteve zyrtare të depozituara në agjencitë shtetërore dhe në gjykatat e këtij vendi, rezulton një kompani 100% në pronësi të shtetasit Arian Tartari.


Ka një vendim të Gjykatës së Tiranës 38.875, datë 18.7.2007, pra ekzaktësisht 1 muaj para se të përfitonte kontratat koncesionare, që vërteton se është themeluar kompania 'Stream Oil & gaz', nën pronësinë 100% dhe ortak të vetëm shtetasin Arjan Tartari dhe me një kapital fillestar prej 100 mijë lekësh", deklaroi Braçe.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›