Prolog Giffoni ngre siparin në Sarandë
Për të dytin vit, “Prolog Giffoni” e çon filmin për fëmijë e të rinj më afër publikut të tij. Prodhimet më të mira kinematografike të kësaj gjinie do të shfaqen në një tur shëtitës që përfshin qytetet kryesore turistike të Shqipërisë. “Prolog Giffoni” që i paraprin edicionit të gjashtë të “Giffoni Albania”, ngre sot tiparin në qytetin e Sarandës. Drejtuesi i festivalit, Namik Ajazi dhe kryetari i bashkisë, z. Edmond Gjoka, do të mbajnë sot, në orën 10:00, një konferencë shtypi në kinoteatrin e qytetit, ku gjysmë ore më vonë do të hapet festivali me projeksionin e filmit “Elina”, një bashkëprodhim suedezo-finlandez për jurinë “Generation 13+”. Ashtu siç është kthyer në traditë, filmat më të mirë ndërkombëtarë do të projektohen për të dyja kategoritë e jurisë: “Generation 13+” dhe “Generation +16”. Këtë vit prologu është bërë pjesë e aktiviteteve “Shqipëri-Itali 2010: një det, dy popuj, një miqësi”, sepse ky festival ka lindur pikërisht në Itali e ka ardhur në Shqipëri me mbështetjen e themeluesit të “Giffoni Film Festival”, Claudio Gubitosi. Prologu konsiston në sensibilizimin e këtij formati për fëmijë dhe të rinj në disa nga qytetet kryesore të turizmit si Saranda, Vlora, Durrësi, Pogradeci dhe Lezha, për t’u mbyllur në një finale të madhe në datën 30 maj në Tiranë. “Ky prolog konsiston në sensibilizimin e këtij formati për fëmijë dhe të rinj në disa nga qytetet kryesore. Do të vazhdoj të theksoj se problemet janë shumë të mëdha për sa i përket mungesës së filmit për këto kategori. Ne duam ta bëjmë prezent shqetësimin që në të gjitha këto qytete ku ne do të shkojmë, përveç Pogradecit që ka një kinema modeste, të tjerët, edhe pse kanë një potencial të madh turistik, nuk kanë kinema. Kjo bën që këta të rinj të humbin kontaktin me ekranin e madh dhe magjinë e filmit, duke pasur parasysh konkurrentët që fillojnë që nga videotekat, interneti, televizioni, etj.”, shprehet drejtori i festivalit, Namik Ajazi. Pas çdo projektimi, filmi do të ketë një diskutim të hapur me të rinjtë, bisedë e cila këtë vit do të modelohet nga Turjan Hyska, shoqëruar nga grupi “Produkt 28”, të cilët do të organizojnë edhe koncerte argëtuese. “Prolog Giffoni” do të qëndrojë tri ditë në çdo qytet, për t’u finalizuar në Tiranë.
#