E Diel, 1 Nëntor 2026

Fitore me rezistencë, pa thyer asnjë xham, pa këputur asnjë lule

Rama: Fitorja e kauzës sonë është shumë më afër se dy javë më parë

Opozita ka shpallur dje fitoren e kauzës së vet për transparencë. Nga podiumi i protestës së madhe të paralajmëruar të 14 majit, drejtuesi kryesor i saj, kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, u është drejtuar mijëra pjesëmarrësve me një fjalim që mund të quhet paranteza e një kompromisi që mbetet ndoshta vetëm për t’u formalizuar. “Fitorja e kauzës sonë është shumë më afër se dy javë më parë, arritja e qëllimit tonë është shumë më pranë, ndaj ashtu siç e keni demonstruar kurajën për të rezistuar duhet të vazhdoni ta demonstroni të gjithë bashkë. është koha për zgjidhje. Askush mos mendojë se ne do të thyhemi ne nuk lëvizim prej këtej, sepse ajo që ne kërkojmë është interesi ynë kombëtar, interesi i çdo qytetari. Kjo është një betejë për Shqipërinë e re, për ta çliruar vendin nga kthetrat e korrupsionit, është një betejë për vendin tonë ku populli zgjedh ata që do ta qeverisin”, këmbënguli Rama. Fjalë me përmasë politike shumë të madhe, që i drejtohen dy kohëve; të shkuarës dhe të ardhmes, të cilat sipas asaj që komunikon opozita po ndërmjetësohen me njëra–tjetrën nga kjo protestë që vijon prej një viti. Ajo çfarë mund të pritet pas këtij prononcimi që përcjell klimën e negociatave informale, është ende e paqartë edhe pse profili i kompromisit mund të përqaset me ofertat e bëra së fundmi. Deklarimi i Edi Ramës duhet thënë se ka një funksion edhe për sa i përket pritmërisë së pjesëmarrësve të mbërritur nga të gjitha rrethet e Shqipërisë. Të përpunuar për dy javë me radhë me idenë e një suksesi, protestuesit e djeshëm gjithsesi kanë marrë një konfirmim paraprak të asaj që mund të quhet si parantezë e mbylljes së krizës politike në vend. Me komunikimin e bërë me mbështetësit e vet, Edi Rama nuk ka munguar që të ripërsërisë mesazhin e vetëm për qeverinë e Sali Berishës dhe që është paralajmërimi për të vijuar në mënyrë të pandalshme protestën. “Rezistencë, kurajë dhe durim. Vetëm kështu do ta fitojmë betejën tonë për transparencën e zgjedhjeve, pa thyer asnjë xham dhe pa këputur asnjë lule. Varfëria është armiku ynë dhe nuk mund të jemi kaq të varfër sa t’i drejtohemi dhunës si mjet për kauzën tonë”, u shpreh ai. Oferta politike që i vendoset në tryezë Sali Berishës skajohet në mënyrë ekstreme; zgjidhje sipas përqasjes opozitare ose protesta dhe paralizë e përgjithshme përmes rezistencës paqësore që edhe pse gradualisht po e nxeh temperaturën në mënyrë më të qëndrueshme. Ky profil i lartë moral i lëvizjes së nisur nga Partia Socialiste bart brenda vetes edhe një përgjigje legjitimuese për atë pjesë të faktorit ndërkombëtar që me heshtje apo me kundërshtim ka lozur indirekt rolin e muratorit të imazhit për qeverinë e Sali Berishës. Një imazh që më mirë nga të gjithë njihet nga qytetarët e këtij vendi, në emër të të cilëve Edi Rama ka apeluar edhe me Brukselin që si investim kryesor ka stabilizimin e gjendjes politike pavarësisht klimës së tensionuar. “U them miqve tanë ndërkombëtarë se ne jemi këtu në shesh, sepse lirinë dhe demokracinë e kemi mësuar nga ata...nuk është transparenca që pengon integrimin, por kutitë që mbahen mbyllur”, ka deklaruar kreu socialist. Në rrugë për të protestuar kundër qeverisë që refuzon me alibi të kolauduar juridikisht të përgjigjet konkretisht për një akuzë publike; manipulimin elektoral të konsumuar më 28 qershor. Në rrugë pra sipas Ramës po kërkohet paqja e prishur me aktin antidemokratik dhe tashmë përsëritës të Berishës dhe që është eliminimi i çdo gare të ndershme.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›