E Diel, 1 Nëntor 2026

Promovim të potencialeve ekonomike dhe forcimin e marrëdhënieve dy paleshe

21-11-2011 / Gazeta 55

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto, tur vizitash zyrtare në Japoni, Kore të Jugut dhe Vietnam

Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto ka nisur një tur vizitash zyrtare në Japoni, në Republikën e Koresë dhe në Vietnam, nga data 20 deri më 25 nëntor 2011. Kjo vizitë do t’i shërbejë promovimit dhe forcimit të marrëdhënieve të Republikës së Shqipërisë me këto shtete, duke inkurajuar zgjerimin e marrëdhënieve ekonomiko- tregtare, vendosjen e kontakteve me institucionet akademike midis vendeve dhe popujve të këtij rajoni.
Në Japoni, bisedimet që do të zhvillojë Haxhinasto me homologët e tij, si dhe takimet me autoritetet e tjera të këtyre vendeve, do të fokusohen në rritjen e dialogut të mëtejshëm politik me këtë shtet, për t’i ngritur tashmë marrëdhëniet në një stad të ri. Ndërsa do të synojë vendosjen gjithashtu të këtij dialogu në baza më të qëndrueshme me Korenë dhe Vietnamin dhe plotësimin e kuadrit të nevojshëm institucional për ngritjen në një nivel të ri të marrëdhënieve të Republikës së Shqipërisë me këto shtete. Bashkëpunimi ekonomik do të jetë në qendër të këtyre bisedimeve, ku do të shkëmbehen informacione dhe do të shqyrtohen mundësitë e adoptimit të praktikave më të mira nga përvojat përkatëse.
Duke bërë të njohur performancën e ekonomisë shqiptare, klimën inkurajuese të investimeve për kompanitë e këtyre vendeve, Ministri Haxhinasto do të ndalet në mundësitë e investitorëve japonezë dhe koreano-jugorë për të investuar sidomos në fushën e energjetikës, transportit, telekomunikacionit, turizmit, si dhe për mundësitë e kompanive vietnameze në fushën e bujqësisë etj.
Gjatë vizitave në këto shtete, një vend të rëndësishëm do të zënë edhe bisedimet për forcimin e bashkëpunimit në fushën e marrëdhënieve shumëpalëshe dhe në organizatat ndërkombëtare, për çështje globale ekonomike dhe zhvillimin e strategjive për mbështetje, me interesa të ndërsjella.
Lidhur me qëndrimin për çështjen e Kosovës, Japonia dhe Koreja e Jugut kanë qenë ndër shtetet e para që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, ndaj Ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë do të ndalet në mbështetjen e mëtejshme të saj nga këto vende, për pjesëmarrjen e Kosovës në organizmat ndërkombëtare, duke e inkurajuar më tej atë në rrugën e nisur të reformave integruese.
Ndërsa pala vietnameze, e cila ende nuk e ka njohur pavarësinë e shtetit të Kosovës, gjatë vizitës së Ministrit Haxhinasto do të njihet me kontributin konkret që Kosova jep me institucionet e veta legjitime e funksionale në stabilizimin dhe bashkëjetesën në rajon.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›