E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndërhyrja, me dy faza – ja detaje mbi zgjatimin e Bulevardit dhe ndërtimin e Tramvajit

21-11-2011 / Gazeta 55

Plani i ri Urbanistik i Tiranës, flet eksperti Besnik Aliaj

Grupi i punës për planin urbanistik të kryeqytetit thotë se duhet ndërhyrë me emergjencë në dy faza. E para lidhet me rehabilitimin e lumit të Tiranës i cili është në gjendje të mjerueshme, ndërsa faza e dytë në ndërhyrjet në infrastrukturë kërkojnë energjinë pa ndërprerje në 24 orë. Besnik Aliaj, pjesë e komisionit të planit urbanistik në Këshillin e Bashkisë thotë se duhet pastrimi i lumit përpara zgjatimit të Bulevardit “Dëshmorët e Kombit” në stacionin e trenit dhe në vazhdimësi. “Pikë së pari, në lumin e Tiranës ndërhyrja duhet të jetë emergjente. Ndërhyrje në një nga zonat me impakt negativ mjedisor më katastrofik. Njerëzit, në rastet më të mira kanë depozituar mbetjet. Kanë derdhur ujërat e zeza ose kanë hedhur dhera dhe e kanë shfrytëzuar për ndërtim”, u shpreh Aliaj.
Projekti i Tramvajit, që nga kryebashkiaku Lulzim Basha është parë si zgjidhje përfundimtare e trafikut, kërkon kohë, rrugë por edhe energji pa ndërprerje për të shmangur aksidentet.
“Administrata është duke punuar për të zhvilluar dhe testuar konceptin e transportit mbi shina, me Tramvaji, në hapësirën më të dendur të Tiranës, nga Qendra në Kombinat dhe anasjelltas. Por, do të jetë një operacion i vështirë dhe delikat, pasi ka të bëjë edhe me kulturën e punës tonë dhe të jetesës tonë, si dhe për herë të parë në Shqipëri, pritet të implementohet një projekt i tillë. Duhet siguruar energjia elektrike 24 orë non stop, shmangien e aksidenteve dhe problemeve të tjera”, deklaroi anëtari i komisionit të planit urbanistik në Këshillin e Bashkisë së Tiranës, Besnik Aliaj.
Duke rishikuar planet urbanistike të kaluara por të pa-miratuara dhe në anën tjetër duke punuar për një plan të ri, grupi i punës që përbëhet nga ekspertë të urbanistikës, arkitektë e studiues duhet të kenë gati në maj të 2012 projektin për ndërhyrjet në Tiranë.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›