E Shtunë, 31 Tetor 2026

Promovimi i aksit Rrëshen-Urakë/ “Rama, i sëmurë nga inaugurimi i rrugëve - në Mirditë, e Djattha merr mandatin e 5-të”

24-05-2013 / Gazeta 55

Kryeministri Berisha inauguron rikonstruksionin e rrugës Rrëshen-Urakë, me vlerë 1,31 miliardë lekë

Kryeministri Sali Berisha përuroi dje në mesditë rikonstruksionin e rrugës Rrëshen-Urakë, investim me vlerë 1.31 miliardë lekë, nga i cili përfitojnë rreth 15 mijë banorë të komunave Kthellë, Rukaj, Selitë dhe Lurë. Përpara banorëve të Mirditës, ai tha se, “4 vitet që vijnë në rrethin e Mirditës dhe qarkut të Lezhës do asfaltojmë çdo kilometër rrugë, aty ku ju banoni. Do bëjmë gjithçka që ju në çdo lagje, fshat të keni infrastrukturën e lagjeve të qyteteve, të keni ujësjellës, kanalizime dhe sistem modern ujitje. Gjithçka për punësimin më të madh të mirditorëve dhe shqiptarëve. Në një hark kohor të shkurtër ia kemi dalë të ndërtojmë infrastrukturë moderne, të rrisim rrogat dhe pensionet, të ndërtojmë mbi 10 mijë km rrugë”.
Më tej kreu i qeverisë u shpreh se pikërisht inaugurimet e rrugëve e kanë sëmurur dhe vënë në sëkëlldi kryetarin e opozitës Rama. “Ai (Edi Rama) pak ka qenë, por këto rrugë e kanë sëmurë fare. Mos u çudisni në se ndonjë ditë do ta shikoni në krahun tim, duke prerë ndonjë shirit që ta shërojë. Le tja heqim frikën se e ka kapur një sëkëlldi e jashtëzakonshme për rrugët që po ndërtojmë. Por ne do të ndërtojmë rrugë, ne do të krijojmë vende pune, ne do të rrisim rrogat. Ai zotëria me akuza, me mohime, me mashtrime, me bllokime, ndërsa ne me rrugë, me shkolla, me ujësjellësa, me kanalizime, me grante për fermerët, ne merremi me zhvillimin”, u shpreh Berisha.
Më tej, kreu i qeverisë kërkoi nga mirditorët votën për mandatin e 5-të, të artë, siç e quajti ai. “Mirdita ka pasuri të pashtershme mineralesh që nga lashtësia. Do jenë mirditorët të parët që do përfitojnë nga pasuritë e tyre. Ju bëj thirrje më 23 qershor të shkojmë të gjithë në mënyrën më të qytetëruar, të ftojmë njerëzit të votojnë për vazhdimin e ndryshimit, zhvillimin e Mirditës, për punësim, mirëqenie për integrimin e Mirditës në BE. Në mendjet dhe zemrat tuaja është foleja e mandatit të artë, mandatit të 5-të. Ju bëj thirrje të bëjmë çdo gjë që ta fitojmë, Shqipëria pret nga ju mandatin e 5-të, të fitores mbi koalicionin e 1 prillit”, theksoi ai më tej.
Rruga, me gjatësi 18.7 kilometra, përbën lotin e parë të segmentit rrugor Rrëshen-Burrel. Së bashku me segmentin Urakë-Ura e Shoshajve Burrel (po punohet) do të plotësojnë lidhjen midis Rrugës së Kombit dhe Rrugës së Arbrit, duke siguruar për herë të parë lidhjen midis rretheve të Mirditës dhe Matit. Rruga, që fillon në dalje të qytetit të Rrëshenit dhe kalon nëpër fshatrat Tarazh, Prosek, Perlat Qendër të komunës Kthellë dhe përfundon në fshatin Urakë të komunës Rukaj, do të ndikojë ndjeshëm në zhvillimin e bujqësisë, blegtorisë e pemëtarisë, në zhvillimin e turizmit malor, veçanërisht në Parkun Kombëtar të Lurës. Segmente të tjera të rëndësishme që përkojnë me këtë aks rrugor dhe që kanë një impakt të konsiderueshëm te banorët e këtyre zonave janë rikonstruksioni i rrugës Perlat-Kurbnesh-Lurë, rikonstruksioni i rrugës Tarazh-Malaj, ndërtimi i unazës së qytetit të Rrëshenit- Lidhja me Rrugën e Kombit.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›