Partitë popullore paralajmërojnë për rreziqet e populizmit në Evropë
Më shumë se 1,200 delegatë, përfshirë krerët evropianë, iu mblodhën në Bukuresht javën e shkuar për një kongres dy-ditor të Partisë Popullore Evropiane (EPP) për të rënë dakord me rendin politik të ditës të partisë dhe për të përvijuar profilin e kandidatit të saj për presidentin tjetër të Komisionit Evropian (KE). Nën sloganin "Më shumë Evropë," krerët u zotuan për një komunitet më të fortë e më të bashkuar evropian, por paralajmëruan për populizmin ngjitës mes kohërash të vështira ekonomike. Ne nuk mund të mohojmë ekzistencën e disa prirjeve të rrezikshme në qoshe të ndryshme të Evropës. Mungesa e konvergjencës ... ushqen debate populiste që synojnë të shkatërrojnë këtë objektiv të mrekullueshëm, projektin evropian. Këto forca nuk duhet të lejohen të shfrytëzojnë pakënaqësinë e shtetasve," tha Hoze Manuel Barroso, kreu i KE. Vilfred Martens, ish kryeministri belg që u rizgjodh president i EPP të mërkurën (17 tetor) për tre vjet të tjera, vuri Rumaninë si shembull për këtë. "Baraspesha ekonomike që Rumania ka arritur nuk duhet të prishet nëpërmjet masave populiste," tha ai duke iu referuar masave shtrënguese që ish qeveria e qendrës së djathtë e kryesuar nga Emil Bok mori në mes të 2010 mes bllokimin ekonomik. Shumë analistë rumunë shprehën shqetësimin e tyre se zgjedhjet e ardhshme parlamentare që vijnë në krye të dhjetorit mund të sillnin premtime zgjedhore që do ta prishnin mëkëmbjen e brishtë ekonomike të Rumanisë. "Ka një rrezik të populizmit, së paku në një nivel fjalimesh publike, Në qoftë se situata politike apo ekonomike përkeqësohet, politikanët mund të mbështeten tek masat populiste. Por për fat të mirë për ne, Fondi Monetar Ndërkombëtar është një pengesë frontale për një qëndrim të tillë të papërgjegjshëm politik," i tha SETimesAurelian Doçia, një ekspert në Qendrën rumune për Politikat Ekonomike, duke iu referuar fushatës zgjedhore që vjen.
Koalicioni qeverisës social-demokrat-liberal në Bukuresht njoftoi menjëherë pasi mori pushtetin në maj se do të kërkojë të kthejë 25 përqind të shkurtimeve të pagave në sektorin publik mes masave shtrënguese të kaluara në 2010. Një rritje e dytë është caktuar të ndodhë në janar. "Kjo është një masë e rrezikshme. Por në qoftë se kjo rritje nuk është një hap shumë i madh atëherë ekonomia do të jetë në gjendje ta amortizojë atë." tha Doçia. Rumunët presin që fushata të jetë e mbushur me premtime zgjedhore. "Kjo është mënyra që ajo gjithmonë ka qenë. Dhe imagjinoni se kjo vjen pas një periudhe masash shtrënguese. Njerëzit janë të uritur për premtime të mirëqenies, kurthi është i hapur gjerësisht për ta," tha Daniel Aksinte, një llogaritar në Bukuresht. Të nxjerrë në pah, rumunët presin rëndësinë e kongresit. "Kjo është një ngjarje politike e klasit të parë së pari sepse ajo vë agjendën politike të partisë për më shumë se një dekadë të ardhshme. Ne jemi këtu për të dërguar një mesazh pragmatik kundër populizmit të pacipë në Evropë," tha Ioan Oltean, deputet i Partisë Demokrate-Liberale dhe anëtar i EPP. "Përtej ndjenjës së vetëkënaqjes dhe krenarisë që vjen me një ngjarje të tillë të rëndësishme, ne donim gjithashtu të provonim se rendi i ligjit ende respektohet në Rumani me gjithë turbullirat nëpër të cilat kaluam këtë verë," tha ai. Presidenti i Rumanisë Traian Bashesku, themelues i PDL, u pezullua nga detyra në krye të korrikut nga koalicioni qeverisës social-demokrat-liberal. Ai u rivendos pasi shkarkimi i i tij u përmbys në një referendum. Por reformat e diskutueshme që kundërshtarët e tij morën gjatë pezullimit të tij tërhoqën zemërimin e Perëndimit, që e akuzoi qeverinë rumune për shkelje serioze të parimeve demokratike. Për të tjerë, kongresi mban një rëndësi historike. "Për ne, kjo ngjarje është edhe më e rëndësishme sepse për herë të parë në 20 vjet me ia kemi dalë të propozojmë dhe negociojmë në të njëjtën kohë përfshirjen në programin e EPP të çështjes së pakicave etnike tradicionale," tha Atila Korodi , deputet i Bashkimit Demokratik të Hungarezëve në Rumani dhe anëtar i EPP. "Kështu, EPP pranon përgjegjësinë e nxitjes së një legjislacioni koherent evropian që do të bënte dallim midis imigracionit të gjeneruar nga komunitetet dhe atyre tradicionale, që janë në bazën e larmisë të Evropës," shtoi Korodi. "Askush nuk mund të ndalë procesin e koagulimit evropian në të cilin çdo vend gjen prirjen e vet".