E Shtunë, 31 Tetor 2026

Që një grevë imorale të mos shndërrohet në tabu, si “kolla e mirë”

24-10-2012 / Nga Ilir Nikolla

Mirë që u mbyll një aksion i pacipë politik, i cili synoi që të tëhuajësonte Partinë Demokratike me shtresën e ish-të përndjekurve politikë, por propaganda bolshevike po mundohet që të na imponojë edhe standardin e heshtjes për “grevën e urisë” të disa mercenarëve, që patën shpallur si qëllim të mbramë “shporrjen me çdo mjet të kryeministrit”. Asnjëri nga panegjerikët e grevistëve s’u bë i gjallë pas vendimit për të dalë nga një grevë urie, kohëzgjatja e së cilës po e bënte bajate edhe daljen para kamerave nën rrobën e “të uriturit”. Përkundrazi, s’u këmbëngul as për të zbardhur motivet e daljes nga greva. E gjithë tonelata e bojës u çua dëm, në të tjera afera dhe “heronjtë” e grevës papritur u zhdukën nga skena, si të mos kishin qenë kurrë. I vetmi që u kujtua një ditë më vonë, ishte njeriu më afër porositësit, ish-presidenti Bamir Topi, teksa shqiptoi marrinë e kthimit të afro gjysmë miliardi eurosh brenda 3 vitesh, një frazë që s’i shkon as një kontabilisti që një shpk-je, jo më një ish-kryetari shteti, i shndërruar me emergjencë në një kryetar partie.
Përveç këtij “shpagimi të vonë”, porositësit e tjerë s’u ndjenë... por në eter, u shpërnda porosia për të mos folur më për këtë grevë, për ta bërë si një aksion të paqenë. S’mund të flitet më për një lëvizje e cila u bitis pa një rezultat, që bilanci i del katastrofik, e që bashkuar me historikun e ri të thagmave të Edi Ramës, blindojnë bindjen kombëtare e ndërkombëtare se kryetari i opozitës s’di të përkujdeset – jo veç për ndonjë agjendë politike – por as edhe për ndonjë agjendë personale. S’ka më hetim të mediave militante për mënyrën se si u shpërndanë grevistët, për refuzimin e tyre për t’iu nënshtruar një kontrolli të gjerë mjekësor në QSUT (rrjedhimisht për të publikuar edhe rezultatet e analizave për gjendjen aktuale shëndetësore të pacientëve). Mund të pyetej atypëraty grevisti që shpalli se refuzonte të shkonte të bënte analizat në spital për motivet e një vendimi të tillë.
Por asgjë kësisoj s’po ndodh. Bile janë braktisur edhe të sponsorizuarit si heronj. Në PS s’duan t’u flitet më për Gjergj Ndrecën, pavarësisht se këtij të fundit i ka mbetur hatri që s’u pyet se pse u mbyll greva e as pse “s’u këmbëngul derisa të rrëzohet Berisha”. Këto pyetje s’do marrin asnjëherë përgjigje, sepse prej tyre do të dalë vlerësimi për aksionin opozitar të Edi Ramës, si dhe për vizionin e tij mbi disa kategori sociale.
Nuk është problemi i kontabilitetit për çmimin e ushqimeve në supermarket apo koston e flakëve tek trupa e zjarrfikësve. Fjala është për të analizuar një aksion politik jashtë sistemit, me protagonistë mercenarë dhe me mjete që turpërojnë qytetërimin mijëravjeçar në këto troje, si një qytetërim që nderon si vlerën më të madhe, vlerën e jetës. Ky aksion ka porositës dhe ekzekutorë dhe është shumë më e thjeshtë të hetohet tani, kur vetë protagonistët e braktisën skenën, o pse u ndjenë të papaguar, o pse u ndjenë të pashpresë, o pse u ndjenë të tradhtuar. Sido që të jetë, s’mund të pranohet “status-quo”-ja e tabusë, e shpalljes së “grevës së urisë së ish-të përndjekurve” Ndreca&co si tabu dhe e sjelljes së përditshme si një realitet që s’ka regjistruar gjurmë nga çadra e vendosur pranë ish (vëreni) – studios së Kristaq Ramës.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›