E Shtunë, 31 Tetor 2026

Promovimi i të vërtetave të dhimbshme

28-09-2012 / Nga Pjetër Jaku

Nga promovimi i librit “Terrori i Serbisë pushtuese mbi shqiptarët, 1844-1999” ne Detroit, organizuar e sponsorizuar nga Dega e Federates Panshqiptare “Vatra”

Një libër brenda të cilët ka vetëm 63 faqe tekst, në formatin A-4, ka aq të vërteta rrënqethëse, sa nuk mund t’i lexosh, as t’i imagjinosh. Krimet mbi një popull të pambrojtur, pothuajse të zënë rob. E si mund të veprohet ashtu mbi një popull afro dymiljonësh, i cili ishte  i privuar nga të gjitha mundësitë e mbrojtjes nga armët, masakrat, përsekutimet e keqtrajtimet e vazhdueshme për afro dy shekuj dhe Evropës, ose vendeve të tjera të civilizuar të mos u binte në sy? Serbia dhe Kosova janë bash midis Evropës. Bota ka hartuar prej shekujsh lloj-lloj  kodesh e ligjesh, në të cilat shkruhet e thuhet, se ndaj njeriut të paarmatosur nuk mund të bësh asnjë veprim dhunues. Një popull që nuk të bindet, pse duhet ta mbash nën sundim? A mundet të shkoi gjatë ky sundim? Këtë e kanë treguar shumë raste por, më së miri, e tregoi rasti i Kosovës dhe shqiptarëve të këtij vendi se, edhe pse të paarmatosur,  edhe të ndaluar nga mundësitë minimale të rezistencës fizike, gjeten mundësinë e shpërthimit në në disa valë e dallgë, që edhe pse u shtypën e thyen, ato prapë provuan lëvizje të fuqishme, deri sa erdhën në rastin final, atë të Pavarësisë! Prof. Dr. Nusret Pllana nga ushtari i Lirisë, nga gazetar i Luftës, erdhi para lexuesve në pesë gjuhë të botës, për të dëshmuar të vërteta rrënqethëse, që siç thotë Presidenti Bill Klinton, “...një fotografi flet sa njëmijë faqe tekst”. Libri në afro 500 faqe mban më shumë se 400 fotografi me tekst-diçiturë e shpjegime, deri në  identifikimin e viktimave, edhe pse të karbonizuar e të dekompozuar nga fatktorët atmosferik dhe pamundësia e gjetjes në kohë, u faktorizuan në një akuzë kolektive kundër një regjimi diktatorial të një lloji të veçantë. Redaksia e librit nga 12 akademikë, tregon për kujdesin e  veçantë që i është treguar këtij botimi, nga forma luksoz dhe, nga përmbajtja, një dokument i domosdoshëm akuzues kundër një regjimi, që përsëri përpiqet ta kriminalizoi viktimen, për ndonjë rast sporadik të rezistences së ligjëshme, ndaj një terrori ushtarak kundër viktimave kolektive, siç ishin shqiptaret e Kosoves, të paarmatosur dhe të pambrojtur nga askush. Rëndëësinë e librit e tregon fakti i botimit për të pestën herë, i promovimeve, pothuajse në vendet kryesore të botës, shtypur në shqip, anglisht, gjermanisht, frëngjisht dhe turqisht. Paraqitja e këti libri në Shqiperi, Maqedoni, Itali, Poloni, Gjermani, France, Austri, Norvegji, Suedi, Danimarke, Hungari, Zvicer, Turqi dhe tani ne SHBA, perkatesisht ne keto qytete: Prishtine, Tirane, Shkup, Rome, Kopenhage, Oslo, Stokholm, Paris, Lion, Budapest, Gjeneve, Zyrih, Lugano, Katovicë, Ankara, Stamboll, Izmir, Bursa, Shtutgart, Dortmund, Nyrnberg, Hechingen, Singen, New York, Washington e Detroit, tregon rëndësinë dhe seriozitetin e këtij botimi, si një ambasador i lirise dhe zotin Pllana si ambasador te paqes, i dëshmive të dhimbjes kolektive, të një vuajtje pa përmasa, do të thoshte në promovimin e këtij libri në Detroit,  Kryetari i Degës së Vatrës për Detroitin, “ Pishtari i Demokracise”, Alfons Grishaj. Serbia duhet të turpërohet para këtyre fakteve të pakundërshtueshme deri në mospasjen fytyrë të kërkoi pranimin në  gjirin e popujve të civilizuar evropianë. Bashkësia Evropiane duhet të ketë kujdes në ofertat e pa kontrolluara dhe pa studiuara që i bën Serbisë për t’u inkuadruar në këtë bashkësi, pa deklaruar dhe pranuar botërisht për masakrat e dhunimet e shkaktuara, pa asnjë motiv, kundër shqiptarëve të Kosovës, ku historia ka treguar më shumë se asgjë përkatësinë shqiptare të trojeve të pa kontestueshme. Rrëfimet rrënqethëse, deri në pamundësinë për t’i parë pa u shokuar, i vetëm një të njëmijtës së terrorit që ka organizuar Serbia në vite e shekuj kundër shqiptarëve, janë një aktakuzë që i duhet dërguar Tribunalit të Hagës. Si mund të mbahet në burgun e Hagës Ramush Hajradinaj, kur shikon tërë këto tmerre të bëra nga ushtria serbe kundër një populli të paarmatosur?! Si mund ta udhëhiqte Ramush Hajradinaj një luftë pa ligje, më mirë se ajo që ndodhi? Cili gjeneral në botë do ta kishte drejtuar më mirë një luftë si ajo e Kosovës, tërësisht në mbrotje të popullsisë civile, së cilës si doli zot askush?  Njeriu nuk mund të viktimizohet për interesa nacionalo-fetare të askujt, por as bota nuk do të heshtëte aq gjatë në kohë, sa nga ajo ditë e sot ka me mijëra shqiptarë të humbur, pa asnjë adresë. Për këtë libër është thënë e shkruar shumë. Janë bërë disa biseda nga  autori, por edne nuk është bërë ajo që duhet të kishte bërë qeveria e Kosovës, ndihmën e ribotimit dhe të shpërndarjes, ndihmen e dërgimit deri në dyert e OKB-së, secilit ambasador, që të njihen me këto krime të pashoqe, që nuk bëheshin as në  shoqërinë primitive. Autori ngarkohet me thasët e librave, duke “shëtitur” aeroporteve të botës, pa më të voglën ndihmë, aspak e denjë për një vend, që tashmë ka shtetin e tij, mundësitë e tij për ta promovuar të vërtetën anë e mban globit. Promovimi së fundi në Bibliotekën e Kongresit Amerikan, është jo vetëm një sukses, por një meritë e veçantë e autorit, i cili me këmbëngulje po përpiqet të çajë udhëve të panjohura, që si e si libri dhe e vërteta të shkojë aty ku duhet.
E vërteta të çliron… Këtë shprehje biblike do e përsëriste Famullitari i Kishes Katolike të Shën Palit, me datën 23 Shtator, në promovimin e këtij libri në Qendren e kësaj Kishe. Pasi Don Fran Kola, si i zoti i shtëpisë, u kërkoi të pranishmëve të mbanin një minutë heshtje për viktimat e këtij terrori, foli shkurtimisht për rëndësinë e kësaj vepre. “E vërteta është guxim,- tha Don Frani, ndërsa shpërdorimi i së vërtetës në drejtësi dhe, aq më shumë në histori përbën mëkat”. Duke sjellur shembuj të së vërtetës dhe së kundërtës së saj, gënjeshtres, Don Frani solli argumentimin filozofik para të pranishmëve. Drejtuesi  i këtij promovimi, aktivisti i njohur i komunitetit shqiptar të Detroitit, si dhe nje nga vatranët  aktiv, Kujtim Qafa lexoi një material të përgaditur enkas për këtë takim, të cilin do e botojmë të plotë, bashkë me këtë shkrim. Alfons Grishaj, Kryetari i Deges se Vatres per Michiganin, përshëndeti në emër të Federatës Panshqiptare “ Vatra” e cila po organizon të gjitha takimet promovuese të kësaj vepre dhe, veçanërisht falenderoi pjesëmarrësit në emër të Dr. Gjon Buçaj, kryetar i kësaj federate, duke theksuar, se vepra në fjalë është “përsoni” më i duhur diplomatik, që po shetit botën. Dom Nosh Gjolaj, i pranishem në këtë aktivitet, foli për vitet e luftes së Kosovës, pasi kishte shërbyer nga viti 1992 deri në vitin 1996 në Prishtinë. Ai, veçmas u ndal te Shoqata “Pjetër Bogdani” dhe ndihmat që kishte dhënë në Luftë kjo shoqatë. Dom Ndue Gjergji, famullitar i Kishës Katolike “ Zoja Pajtore” në Michigan, solli para auditorit rastin e Binçes dhe ndihmen që kishin dhënë bashkë me motrat në rastin e helmimit të 1400 fëmijëve, si dhe përgëzoi autorin për këtë vepër. Më pas, në takim folen Prof.Dr. Astrit Mehmeti, Kryetar i Shoqates Shqiptaro Amerikane, ardhur nga Çikago, ligjerues ne “ DeVry University”, Luigj Gjokaj, ish-kryetar i Fondacionit “Vendlindja thrret”, Mr. Fejzulla Abdullai, i cili i vuri një rëndësi të posaçme fallsikimit të historisë nga ana e serbëve, Prof. Skender Karaçica, Drejtor Ekzekutiv i Shoqatës Shqiptaro Amerikane, ardhur nga Cikago, duke theksuar se libri është kujtesë kombëtare, Gjergj Ivezaj, kryetar i Shoqatës “Malësia e Madhe”, ish-ushtari i UCK-se Bedri Toçani, që kishte udhëtuar nga Kanada për këtë takim, botuesi i Revistes “ Kuvendi”, Pjeter Jaku, i cili theksoi rëndësinë që ka  promovimi i para disa ditësh në Bibliotekën e Kongresit Amerikan, duke theksuar se vlera e një vepre matet me udhëtimin e saj dhe sa larg shkon në kohë, aktivisti i njohur Nevruz Nazarko, vuri theksin te harresa, e cila përsërit historinë, nëse nuk jemi të vëmendshëm, i riu Valentin Lumaj, duke theksuar se libri sjellë një kohë të gjallë, por të viktimizuar nga bisha gjakatare serbe, Ilir Myftiu, Rrok Junçaj dhe Lulash Palushaj. Para se  të diskutohej, nga mjeshtri i fotografisë, Paulin Palushi u shfaqen dy dokumentarë, që kishin të bënin me librin, sidomos ai i udhëtimit të këtij libri në disa vende të botës. Një vend të veçantë pati edhe fjala e autorit, e cila u duartrokit disa herë nga të pranishmit. Prof. Dr. Nusret Pllana e nisi fjalën e tij me një improvizim të viteve të Luftës dhe kohën kur punonte në  Radion “Kosova e Lirë”: “Ju flet Kosova e lirë!”, ndërkohë që nga salla njëherësh u përsërit në kor: “Ju flet Shqipëria e bashkuar”! Dr. Pllana foli për rrugëtimin maratonomik të këtij libri, për ripërtëritjen e kujtesës historike, duke theksuar dy  betejat më të rëndësishme që ai i konsideronte me të drejtë: Bashkimin kombëtar dhe uljen e  Serbisë në bankën e të akuzuarve në Hagë. Në këtë promovim merrnin pjesë edhe  bashkëatdhetarë nga Cikago dhe Kanadaja. Takimi promovues u shoqërua me autografe të autorit në ato pak libra që kishte pasë mundësi të sillte, me premtimin se së shpejti do sillte një  numër tjetër të pranueshëm për komunitetin e shqiptarëve të Miçiganit.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›