E Diel, 1 Nëntor 2026

Rritja ekonomike merr certifikimin e ndrojtur, por të sigurtë të Bankës së Shqipërisë

28-09-2012 / Nga Ilda Mihali

Menjëherë pas përfundimit të mbledhjes së Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, guvernatori Fullani ka dalë në një komunikim për mediat. Ai komunikoi se Këshilli i Mbikëqyrjes miratoi raportin mujor të politikave monetare dhe vendosi të mbajë një normë të pandryshuar të interesit me 4 %.Guvernatori argumentoi se rritja e inflacionit në muajin gusht me 0.1 % duke arritur në vlerën 2.8 % vjen si rrjedhojë e rritjes së çmimeve të ushqimeve dhe të naftës pasi produktet e tjera të shportës kanë mbetur me çmime të qëndrueshme. Megjithatë presionet inflacioniste mbeten të përmbajtura. Ekonomia shqiptare rezulton me një rritje pozitive por të ngadaltë .Kjo rritje i detyrohet eksporteve. Kërkesa e fundit ka bërë që këto të fundit të rriten me 11.6 % në terma vjetorë. Kjo përbën një impuls tepër pozitiv sepse nga ana tjetër ul deficitin e eksporteve me 5.2 % në terma vjetorë. Ajo që ndikon në këtë rritje pozitive kaq të ngadaltë është kërkesa e brendshme e cila është tepër e ulet. Pasiguria ekonomike e tremujorit të dytë të vitit ka bërë që konsumatorët të kursejnë më shumë gjithnjë në kontekstin e krizës së përgjithshme. Investimet e huaja direkte do ishin thelbësore për një injeksion të ri të ekonomisë, shprehet Fullani, por edhe këto kushtëzohen nga kërkesa dhe nga kujdesi i bankave për të dhënë kredi. Guvernatori shprehet se ky ngërç do të zgjidhej duke provokuar politika të cilat nxisin investimet e huaja direkte. Duhet të ketë një bashkëpunim të ngushtë mes bizneseve dhe sistemit bankar dhe këto të fundit duhet të krijojnë të gjitha mundësitë dhe lehtësitë për kredidhënie. Fullani garanton se Banka e Shqipërisë krijon të gjitha kushtet për bizneset që të nxisë kredidhënien. Politika fiskale shprehet Fullani ka një karakter konsolidues. Të ardhurat fiskale rriten edhe pse me një normë të vogël. Deficiti vlerësohet 29 % më i ulët se një vit më parë duke bërë kështu që të kemi një qëndrueshmëri afatgjatë. Shpenzimet buxhetore janë reduktuar me 0.4 % në terma vjetorë ndërsa të ardhurat buxhetore janë rritur me 3.7 % të paktën për 8 muajt e parë të vitit. Ndërkohë që në lidhje me zhvillimet monetare Fullani konfirmon se oferta e parasë ka qëndruar në nivelet e muajve të mëparshëm duke pasur një rritje vjetore me 8.4 % në muajin korrik. Kjo vlerë na tregon dhe për kërkesën e ulët të sektorit të brendshëm të ekonomisë. Edhe tregu ndërbankar ka njohur ulje të normave të interesit duke shënuar vlerën më të ulët të saj në korrik të këtij viti. Të njëjtin fat ka pësuar dhe tregu primar i letrave me vlerë. Pritet të krijohen lehtësira për kushtet monetare dhe kjo do përcillet dhe reflektohet njëkohësisht në çdo hallkë të sistemit financiar. Çdo gjë do të kryhet në përputhje me të gjitha mekanizmat e transmetimit të politikës monetare. Guvernatori në lidhje me zhvillimet që pritet të ketë ekonomia në të ardhmen nuk ndryshoi asgjë nga fjala e tij muajin e kaluar. Ai përsëriti se fatkeqësisht duke pasur një kërkesë të dobët, rrjedhimisht dhe një konsum të tillë dhe investime private në rënie, aktiviteti në vend pritet që të mbetet i ulët.
Nëse i bëjmë një skaner deklaratës së guvernatorit gjykojmë se fakti që treguesit e rritjes ekonomike së paku nuk janë në rënie edhe pse nuk janë në rritje që mund të gjykohet e rëndësishme, të paktën ky është një alarm pozitiv. Ekonomia do të vërtitet rreth të njëjtës trajektore por pa bërë hapa prapa. Mbetet për t’u shpresuar që ekonomia e vendeve në rajon dhe më gjerë të ketë një rritje të kërkesës për produktet tona. Kështu eksportet regjistrojnë rritje, në të njëjtin kah rriten të ardhurat që hyjnë në buxhet, duke zvogëluar kështu sa më shumë deficitet e krijuara. Qeveria duke mbështetur bujqësinë do të bëjë që të kemi më shumë produkte vendi dhe nga ana tjetër më pak produkte të importuara, më pak kosto importi, më pak shpenzime si për financat e shtetit ashtu edhe për ato personale. Që bankat të krijojnë kushte të përshtatshme dhe lehtësuese, ashtu siç edhe guvernatori bëri thirrje në deklaratën e tij mbetet të shpresojmë që këto të fundit të zgjidhin problemet e likuiditetit të cilat në fakt janë të importuara nga banka vendet e së cilës janë prekur thellë nga kriza. Duke u zgjidhur nyja e problemeve që ka përfshirë dhe bankat, këto do ta kenë më të lehtë të krijojnë kushte sa më lehtësuese kuptohet gjithmonë nëse janë likuiditetet e mjaftueshme për të dhënë kredi për bizneset. Në këtë mënyrë ekonomia mund të fillojë “të zgjohet” dhe të performojë në kushtet e saj optimale. Por ashtu siç është shumë e njohur, ekonomia do të kalojë brenda një kohe e cila është e ndryshme në ekonomi të ndryshme, disa faza të cilat njohin rritjet, boomin ekonomik që është niveli më i lartë i mirëfunksionimit të ekonomisë por edhe rënien, fazën gjatë së cilës ekonomia pëson rënie ose mbetet në nivele të cilat nuk janë në rritje të konsiderueshme,fazë në të cilën nëse i referohemi fjalës së guvernatorit është ekonomia shqiptare në këto momente.
Por le te shpresojmë që investimet e huaja të krijojnë atë që krijon “një mish i huaj” në përgjithësi, të krijojnë një reaksion në ekonomi, të sigurt se ky reaksion do ketë veç premisa pozitive, çka do të ngjallë interesin e konsumatorit dhe kështu gjithçka do të rrjedhë ne terma normalë. Megjithatë një rritje e ekonomisë do regjistrohej nëse dhe ekonomia e vendeve në rajon do stabilizohej, sepse duke qenë në kushtet e një shkëmbimi të vazhdueshëm mallrash dhe shërbimesh, gjithçka reflektohet dhe ndikohet nga ky faktor. Fakti që Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi ende të mbajë një normë të pandryshueshme interesi, kjo na lë të mendojmë se nuk jemi në kushte të një gjendjeje kritike. Një situatë neutrale na bën optimistë që ekonomia do të kryejë hapa të vegjël por me tendencë pozitive, rritjeje në kushtet e një konteksti global që është gjithnjë e me sfidues.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›