E Diel, 1 Nëntor 2026

Promovimi zyrtar i librit Enver Hoxha te gazetarit te njohur Blendi Fevziu

Pas një shitjesh rekord, pas një interesimi shumë të madh tek studentët dhe qytetarët, pas një interes shumë të madh edhe në Kosovë. sonte në darkë u zhvillua tek Galeria e Arteve në kryeqytet, pritja zyrtare e promovimit të librit " Enver Hoxha" e gazetarit dhe analistit të njohur, Blendi Fevziu. Në eventin e transmetuar live nga ABC news, morën pjesë kryeministri Berisha, kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi, kreybashkiaku Basha, personalitete të njohur të politikën, artit, kulturës, medias si dhe ambasadorët e akredituar në Tiranë. Deri tani libri "Enver Hoxha" ka arritur në 32 mijë kopje të shitura.

Në këtë event, përveç mendimeve dhe vlerësimeve për librin, nuk munguan as batutat me kontekst politik. Në promovim ra në sy edhe prania e ish Kryeministrit dhe ish kryetarit të Partisë Socialiste Fatos Nano, I cili që në fillim u takua me zv. ambasadoren e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë dhe më pas me vet ambasadorin amerikan Aleksandër Arvizu. Ndërsa deputetët socialistë të pranishëm në promovimin e librit të Fevziut, me përjashtim të Arben Malajt , nuk patën kurajon të shkëmbenin qoftë edhe një shtrëngim duarsh kortezie me ish drejtuesin e tyre Nano. Krejt ndryshe do të ishte takimi Nano- Berisha. Kryeministri Sali Berisha, në bisedën me Nanon, nuk do të linte pa përcjellë me batuta edhe situatën brenda Partisë Socialiste. Nisur kjo dhe nga Kurbani i mendimit ndryshe në këtë forcë politike, Kastriot Islami.
Në hapje të eventit, Blendi Fevziu shprehu mirënjohje për të gjithë ata që kanë shprehur interes të jashtëzakonshëm për këtë libër i cili sjell fakte të pakontestueshme mbi diktatorin Hoxha. Për gazetarin Fevziu, ky libër u cilësua si një shtysë për hulumtimin e mëtejshëm të fakteve të historisë, me qëllimin që brezat që vijnë të njohin të vërtetën e pathënë.

Kjo është e para biografi e Enver Hoxhës bazuar në dokumentet e arkivave personalë dhe në rrëfimet e atyre që e njohën, me autor gazetarin Blendi Fevziu. Libri “Enver Hoxha” tenton të tregojë përmes dokumenteve dhe dëshmive të periudhës sesi ish- udhëheqësi komunist i shqiptarëve arriti të konsolidojë dhe të ndërtojë pushtetin e tij. Autori u ka kushtuar një rëndësi të veçantë dokumenteve, ku përmes tyre del qartë raporti i Hoxhës me kundërshtarët dhe sesi arriti t’i eliminonte një nga një. Figura e Enver Hoxhës në biografinë e parë të tij bazuar mbi dokumentet e arkivit personal sipas Blendi Fevziut, është ajo e një tirani të pashembullt, një prej fatkeqësive më të mëdha të këtij vendi, por padyshim një njeri me një talent të spikatur politik, edhe pse një talent kriminal. Në këtë libër është përfshirë edhe ditari personal i Enver Hoxhës, që ndodhet në Arkivin Qendror të Shtetit. Një ditar, që sipas autorit Blendi Fevziu ka rreth 7000 faqe. Ndërkaq, Fevziu rrëfen se ka ende shumë detaje mjaft interesante mbi ish-diktatorin, të cilat ai nuk i ka përfshirë në librin e tij, pasi nuk ka qenë tërësisht i sigurt në vërtetësinë e tyre. Abc news ka transmetuar live të gjithë eventin me opinone të shumta të marra nga gazetari Drini Zeqo. Tashmë shihet qartë që libri " Enver Hoxha" e gazetarit Blendi Fevziu ka marrë rrugën e suksesit, duke u kthyer padyshim në librin më të shitur në tregun shqipfolës.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›