E Shtunë, 31 Tetor 2026

Baleti Zhizel premiere ne Teatrin e Operas dhe Baletit

Baleti “Zhizel”, me në qendër forcën e dashurisë, do të rikthehet pas disa vitesh në skenën e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit, nga koreografi Agron Aliaj dhe më një kast të madh balerinësh.

Baleti me dy akte me muzikë të Adolphe Adam është i ndërtuar mbi motivet e një legjende të lashtë gjermane me koreografi të J.Perrot, J.Corrali, M.Petipa dhe do të shfaqet për publikun mbrëmjet e datave 22 deri 15 dhjetor.

Kësaj here, “Zhizel” do të ngjitet në skenë e TKOB-së nga koreografi që e vuri atë për herë të parë në skenën shqiptare në vitin 1988. Në një prononcim për mediat, koreografi Aliaj u shpreh se në këtë rivënie të baletit “Zhizel”, ai do të vijë më madhështor, duke angazhuar më shumë artistë. “Nëse me parë ai ishte me gjashtë apo tetë çifte kërcimi, sot ai vjen me gjashtëmbëdhjetë çifte në aktin e parë, do të jenë 30 vajza në aktin e dytë që do të kërcejnë, duke krijuar kështu një bukuri estetike”, tha Aliaj.

Në rolin e Zhizel do të jenë solistet Enada Hoxha dhe Odeta Dishnica me partnerë në rolin e Albertit, Gerd Vason dhe Evis Nallbanin. Ndërsa në role të tjera do të performojnë: Dion Gjinika, Sokol Zhugri, Greta Hushi, Ledia Sulaj, Fatjon Lito, Alisa Gjoni, etj.

“Zhizel” do të interpetohet jo vetëm nga solistë të TKOB-së, por edhe nga nxënësit e rinj të Shkollës së Baletit, nën drejtimin e Luan Shtinos. Skena dhe kostumet e shfaqjes që ka lënë gjurmë në shumë skena të botës do të jenë nga Shaban Hysa.

Drama e baletit ka në qendër dashurinë. Një vajzë e re 15 vjeçe dashuron për herë të parë, por ajo zhgënjehet, sepse ai që hiqet si fshatar është në të vërtetë princ. Edhe në botën e përtejme, ajo vazhdon ta dashurojë pavarësisht se ai e gënjeu. Lufta e vilisave është e tillë që ata duan ta shkatërrojnë këtë dashuri dhe pas vdekjes, por forca e madhe e dashurisë bën që të triumfojë, megjithatë ajo është një hije rreth tij.
“Zhizel” është vënë në skenën shqiptare, për herë të parë në vitin 1988 nga Agron Aliaj, rivënia e dytë është vënë po nga Aliaj në vitin 1998 me protagonistë Enada Hoxha, Gerd Vaso, Eno Birko, Ambeta Toromani. Ndërkohë që vënia e fundit në skenën e TKOB-së është ajo e vitit 2001.

Ky balet është shfaqja e fundit e stinës artistike për Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit, i cili do t’i përmbyll shfaqjet e tij me “Grand Ballo”, traditë prej vitesh për festat e fundvitit.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›