E Shtunë, 31 Tetor 2026

Restaurohen per here te pare ne Shqiperi objektet prej qelqi

Pas 20 vitesh mungese të një laboratori të mirëfilltë të restaurimit të objekteve të ndryshme arkeologjike, tashmë pranë Institutit të Monumenteve po punohet për ndërtimin e një rrjeti laboratorësh për konservimin e objekteve prej qelqi, metali, druri dhe qeramike. Drejtori i këtij institucioni, Apollon Baçe na bën me dije se është e domosdoshme që objektet e rralla që ndodhen në muze të ndryshëm arkeologjik të restaurohen me metodat bashkëkohore.
Ndërkohë që interesant është fakti që për herë të parë në Shqipëri po restaurohen objektet prej qelqi. Ka nisur puna për kualifikimin e stafit nga restauratorja e njohur e objekteve arkeologjike Cristina Passeri e cila është kujdesur edhe për restaurimin e një hinke ceremoniale që i përket shekullit të 3-të.
“Jam këtu për të dhënë eksperiencën time për restaurimin e objekteve prej qelqi me metodat më të fundit që aplikohen në Europë. Ndërkohë që ky objekt autentik ka ardhur në laborator nga një muze arkeologjik. Ka qenë mjaft i komplikuar për t’u restauruar, pasi shumë kohë më parë ka qenë ngjitur jo siç duhej. Fillimisht nga shumë copëza është integruar në një. Pra këtu kemi të bëjmë me dy sisteme të ndryshme restaurimi”, u shpreh Passeri.
Gjithashtu koordinatoria e projektit Edlira Çaushi thotë se “kjo eksperincë është mjaft e vyer për ne restauruesit. Fillimisht e kemi aplikuar me objekte eksperimentale dhe jo origjinale për të mos riskuar”.
Vitin që vjen do të nisë puna për ngritjen e rrjetit të laboratorëve të resturimit gjë që do të shpëtojë shumë objekte unikale nga degradimi.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›