Promovohet Psikovampirët e Hamid Peseschkian
është dikush në punën tuaj që bën sikur i di të gjitha dhe fut hundët kudo? është dikush që ju bën të ndiheni keq, sepse gjatë gjithë kohës shan dhe bërtet? Keni ndonjë të afërm apo mik të mirë, i cili sa herë i kërkoni mbështetje në vend që t’jua japë atë pa kushte, ju dekurajon? Me siguri që të gjithë gjendeni përballë tipave të tillë, që deri më sot nuk dinit se çfarë emri t’u vinit. Por tashmë ata e kanë një emër: “psikovampirë”. Thithës energjie që na bëjnë të ndihemi të dobët dhe të dëshpëruar. “Psikovampirët”, libri i autorit gjerman Hamid Peseschkian, i cili është njëkohësisht edhe themelues i psikoterapisë pozitive në gjithë botën, u promovua të dielën në ambientet e hotel “Tirana International”. I pranishëm për të ftuarit, dr. Peseschkian foli mbi këtë libër dhe më pas shpërndau libra me autografe për ta. “Psikovampirët” është publikimi më i ri i këtij autori, i cili është diplomuar për psikiatri, neurologji dhe psikoterapi në Universitetin e Mainzit. Ai është një nga themeluesit e psikoterapisë pozitive me filiale në mbarë botën (dega e Shqipërisë drejtohet nga Msc. Mirela Sula), si dhe një lektor i njohur dhe mjaft i preferuar në fakultetet brenda dhe jashtë Gjermanisë. Termi “psikovampir” është një krijim i dr. Peseschkian-it dhe ka lindur në kuadër të teorive të psikoterapisë pozitive. Pas psikoterapisë pozitive termi psikovampir është një risi në terminologjinë e psikologjisë aplikative. Bëhet fjalë për një term që përkufizon një kategori të caktuar njerëzish (por dhe situatash), që luajnë një rol vendimtar dhe të rëndësishëm në mirëqenien tonë psikologjike.
Psikovampirët janë njerëzit që në botëkuptimin e përditshëm do të perceptoheshin si të bezdisshëm, të padëshiruar, ndërhyrës, të tepruar. Tipa që na dekurajojnë, lodhin e mërzisin dhe që shpesh mendojmë se janë të parëndësishëm. Sipas teorisë së Peseschkian, ky nënvlerësim është një gabim i madh dhe fatal. Me kalimin e kohës, këta njerëz e këto situata që na ngjallin ndjenja pakënaqësie, bezdie dhe parehatie mund të gjenerojnë depresione të lehta e jo rrallë mund të shkaktojnë tragjedi.
#