E Diel, 1 Nëntor 2026

SHBA zbulon sasi të mëdha minerali në Afganistan

Vlera kobaltit, arit dhe hekurit mendohet të jetë 1 trilion dollarë

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë zbuluar burime minerare në Afganistan, me vlerë prej rreth 1 trilion dollarësh. Vlera e kësaj pasurie mund ta revolucionarizojë ekonominë e vendit të varfër dhe ndoshta mund t’i japë ndryshim edhe vetë fatit të luftës.

Afganistani njihet prej kohësh si një vend me nëntokë të pasur veçanërisht me metale si bakri dhe hekuri, por sasia e këtyre rezervave që gjenden në nëntokën afgane duket se është shumë më e madhe nga sa mendohej më parë. Sasi shumë të mëdha kobalti, ari dhe hekuri që gjenden në nëntokën afgane mund ta shndërrojnë këtë vend në një qendër të zhvilluar minerare. Zyrtarët afganë mendojnë se sektori minerar do të jetë tani shtylla kurrizore e forcimit të ekonomisë shumë të brishtë afgane dhe do të krijojë ndërkohë mijëra vende pune për të gjithë. Ekonomia është aktualisht e dominuar nga paratë që i janë dhënë këtij vendi nga ndërkombëtarët në formën e ndihmave humanitare. Ato nuk kanë mjaftuar asnjëherë dhe kanë qenë gjithmonë burim krizash. Ndërsa zhvillimi i një industrie të begatë minerare mund të japë shumë shpresa për shtimin e shanseve të afganëve për pasuri dhe prosperitet dhe dalje nga varfëria. Por sigurisht që kësaj i duhet paraprirë me ngritjen e infrastrukturës. Sipas një deklarate të gjeneralit amerikan në Afganistan, Petraeus në të përditshmen amerikan “New York Times”, në Afganistan ka një potencial të jashtëzakonshëm nëntokësor. Harta e mineraleve dhe vendeve ku gjendeshin ato është bërë me shumë kujdes nga rusët gjatë viteve ‘80, por këto pasuri nuk janë shfrytëzuar kurrë më parë në të mirë të popullit të Afganistanit. Pasi zbuluan të dhënat sovjetike, Shtetet e Bashkuara të Amerikës nisën një sërë vëzhgimesh ajrore në vitin 2006, duke përdorur matje gravitacionale dhe instrumente të sofistikuara. Të dhënat dolën se ishin shumë premtuese. Gjeologët që janë marrë me këtë çështje prej kohësh janë në përfundim të studimeve në terren dhe janë optimistë për ardhmërinë e vendit nëse do të dinte që t’i shfrytëzonte siç duhej pasuritë e nëntokës.

#

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›