E Shtunë, 31 Tetor 2026

Promovohet monografia për dëshmorët e Hanit të Elezit

Në ambientin e Bibliotekës Kombëtare dhe Universitare është promovuar libri “Flakadanët e lirisë” për Dëshmorët e Kombit të Komunës së Hanit të Elezit, e cila ngërthen në vete sakrificën e popullit tonë për liri, e në veçanti kontributin e dëshmorëve për çlirimin e atdheut nga pushtuesi serb.

Në këtë përurim ka marrë pjesë edhe veprimtari i njohur i çështjes kombëtare, Adem Demaçi, i cili ka thënë se po përkujtohen edhe një herë dëshmorët të cilët me vetëdije ranë për lirinë dhe për të drejtën e gjithë njëzimit dhe të popullit tonë.

“ Lufta jonë që u bë me gjak dhe sakrifica të mëdha ende nuk ka përfunduar. Tash duke përkujtuar vazhdimisht heronjtë e dëshmorët tanë që të mos e harrojmë të kaluarën, që të dimë se kush kemi qenë dhe ku kemi qenë, duhet të përpiqemi që ta bindim Evropën, të bindim botën se ky popull ka të drejt të jetë i barabartë me popujt tjerë dhe që do të jetë i barabartë me popujt tjerë”, ka thënë Demaçi.

Ndërsa, anëtari i Këshillit botues pranë Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve në Hanin e Elezit, Shaban Qupi, ka thënë se në luftën çlirimtare nga treva e Hanit të Elezit kanë rënë trembëdhjetë dëshmorë, të gjithë intelektual që morën pjesë në tri ushtritë çlirimtare.

“Monografia në fjalë ngërthen në vete sakrificën e popullit tonë për liri, e në veçanti kontributin e maksimal të dëshmorëve për çlirimin e atdheut nga pushtuesi serb”, ka thënë ai.

Kurse, ish komandanti i UÇK-së, pranë brigadës 164, tash kryetari i Komunës së Hanit të Elezit, Rufki Suma ka folur për angazhimet e luftëtarëve të lirisë në pjesën e Hanit të Elezit, duke thënë se amaneti i dëshmorëve është përmbushur pjesërisht me çlirimin e Kosovës, megjithatë mbetet të angazhohemi për ta përmbushur amanetin e tyre, i cili ishte bashkimi kombëtar.

Me nga një fjalë rasti, të pranishmëve, u është drejtuar edhe kryetari i Familjeve të Dëshmorëve, Xhavit Jashari dhe zëvendësministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Berat Luxha. /kosovapress/

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›