E Shtunë, 31 Tetor 2026

Promovohet zyra e UNESCO-s në Berat

Përfaqësues të organizatës për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore mbarëbotërore, UNESCO, dje në mesditë kanë promovuar zyrën e UNESCO-s dhe kanë prezantuar eksperten e kësaj zyre në Berat, në kuadrin e programit "Kultura dhe trashëgimia për zhvillimin social-ekonomik". Pas kësaj ceremonie me përfaqësues të UNESCO-s dhe pas takimit me kryetarin e Bashkisë së Beratit, Fadil Nasufi, koordinatori i programit të kësaj organizate, për Shqipërinë, Stephan Dompke, ka prezantuar eksperten e kësaj zyre Anjezka Volovitz, nga Polonia, e cila do të punojë deri në finalizimin e projekteve të UNESCO-s për objektet e dosjes së Beratit. Zoti Dompke, tha se puna e ekspertes do të konsistojë në një sistem kompleks marrëdhëniesh, në kuadrin e programit. Duke filluar nga dita e sotme, zonja Volovitz dhe zyra e saj, do të punojë në Berat, për koordinimin e punës së të gjitha strukturave, të cilat kanë akses në fushën e trashëgimisë kulturore. Gjithashtu, kjo zyrë do të merret me trajnimin e personelit dhe drejtuesve të institucioneve kulturore e drejtuesve të zonave arkeologjike, që në të ardhmen do të angazhohen me menaxhimin e vlerave të trashëgimisë kulturore dhe qendrave historike, pjesë e dosjes së UNESCO-s, sistemimin e komplekseve muzeore, për promovimin e vlerave historike e kulturore të qytetit të Beratit etj. Krahas tyre, koordinatori i programit të përbashkët UNDP dhe UNESCO, Stephan Domke, bëri të ditur disa nga pikat e këtij programi për Shqipërinë, si përfshirjen e 60 pronarëve të ndërtesave historike në marrjen e fondeve për restaurimet dhe përdorimet e reja të pronave të tyre, trajnimin e 60 punonjësve të zonave të trashëgimisë kulturore, me praktikat e ruajtjes, sigurisë dhe menaxhimit të vizitorëve, trajnimit të 20 profesionistëve për ruajtjen dhe mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, përgatitjen e 25 guidave udhëtimesh në zonat kulturore, përgatitjen e 3 mijë prodhimeve filmike shqiptare, të dixhitalizuara, që do të vihen në dispozicion të publikut vendas e të huaj, trajnimin e 30 artizanëve vendas për zhvillimin e produktit, të biznesit dhe marketingut etj. Sipas tij, nga ky program do të mbështeten financiarisht vetëm 4 qendra kulturore shqiptare në botë dhe se buxheti i përgjithshëm i këtij programi do të jetë 3.260 000 (milionë) USD.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›