E Diel, 1 Nëntor 2026

Carina Icking, një rrëfim për krenarinë ballkanase

Gjithçka ka lindur prej kureshtjes. Ashtu si edhe shumë të huaj të tjerë, në fillimet e shekullit XX, edhe Carina Icking u është drejtuar vendeve të Ballkanit, me një aparat fotografik në dorë për të fotografuar dhe për të sjellë detaje prej një rajoni që shumë pak e njohin në të vërtetë, ose e njohin thjesht dhe vetëm për trazirat që ka kaluar e vazhdon të kalojë. I patën thënë se Ballkani është i frikshëm... Por për të pak rëndësi kishte. Ishte kjo një arsye më shumë për të sfiduar të gjithë dhe për të parë nga afër gjithë çka ndodh në të vërtetë aty, edhe tani në fillim të shekullit XXI. Carina, e cila prej disa vitesh i është kushtuar fotografisë, dëshironte të dokumentonte nëpërmjet një kolazhi fotografik gjithë sa syrit prej fotografeje do t‘i bënte përshtypje në një rajon që ende vazhdon të mbetet i panjohur për botën perëndimore. Ajo e dinte se edhe kohët e fundit Ballkani ka qenë i lëvizshëm, herë-herë edhe shpërthyes në një kuptim. Kërkonte një përgjigje për pyetjen: Çfarë fshihet aty? Çfarë të përbashkëtash dhe ndryshimesh kanë këto vende e njerëzit nga njëri-tjetri? Për këtë arsye ka lënë pas Gjermaninë dhe ka vizituar Kroacinë, Bosnjën, Malin e Zi e në fund edhe Shqipërinë. Ka shkelur një pjesë të mirë të qyteteve dhe fshatrave të këtyre vendeve. Nuk pati frikë dhe nuk kishte përse. Ballkani ishte e kundërta e gjithë sa pat dëgjuar në fillim. Aspak i frikshëm, përkundrazi. Mikpritja e sinqeriteti ishin në vend të parë. Asaj, sidomos këto dy vlera i kanë rënë shumë në sy. E ndërsa buzëqesh, thotë se edhe mënyra e veçantë se si ende jetojnë nëpër fshatra i ka bërë mjaft përshtypje, një mënyrë jetese që në Gjermani e kanë lënë pas prej kohësh. Në sytë e saj, fshati ka mbetur ende shumë tradicional në Ballkan, herë-herë i paprekur prej ndryshimeve apo prej të rejave që e shtyjnë botën para. Aty nuk ka teknologji moderne, e as modë të fundit. Në zona të caktuara gjen ende veshje tradicionale dhe kjo të bën akoma më shumë përshtypje. E ndoshta edhe ka të drejtë. Ndërkaq Carina mendon të kundërtën për qytetin. Ai ka ecur me hapa prej gjiganti. Tirana sidomos i bën vërtet përshtypje. "Është e vrullshme", thotë dhe kjo i pëlqen mjaft. Ashtu si për një pjesë të mirë të vendeve me të cilat është njohur dhe do të njihet, edhe për Shqipërinë, fotografja nga Gjermania nuk kishte dëgjuar shumë. Pak, por edhe ato nuk ishin fjalë të mira. "Nuk duhet të shkosh në Shqipëri. Nuk ka ndonjë gjë interesante për të parë aty", kështu i kishin thënë. Por Carina vërtetoi të kundërtën. Shqipëria është shumë interesante, ka vende e njerëz të bukur, me të cilët ia vlen të njihesh, sikundër edhe vendet e tjera që ka vizituar. Ajo nuk ka paragjykime, nuk i kishte as kur nuk i njihte nga afër vendet e Ballkanit. Nuk i pëlqen të flasë shumë. Lë fotografinë të rrëfejë të gjitha ndjesitë që ka provuar e gjithë sa ka parë. Përse të shtojë fjalët mbi imazhet? Do të ishte e tepërt ndoshta. Që Ballkani nuk është i frikshëm, këtë me siguri që do ta përcjellë ngado, që vendet të cilat i përkasin kanë zakone, tradita, kulturë e vlera, edhe këtë do ta përcjellë me siguri. Por Carina një detaj e vlerëson më shumë prej Ballkanit: krenaria që ndihet kudo. Edhe aty ku ka varfëri, edhe aty ku mbizotëron luksi, ajo e ka hasur te çdo njeri, në çdo portret, ngado. Carina Icking është shumë e kujdesshme karshi detajeve. Fotografitë e saj nuk janë peizazhe prej turisteje e joshur nga bukuritë e natyrës. Portretet njerëzore dhe gjithë sa fshihet pas tyre janë ato që i interesojnë më shumë se gjithçka. Ndaj në qendër të kësaj ekspozite të veçantë janë njerëzit. "Njerëzit", kështu edhe titullohet ekspozita. Qysh kur ka nisur të fotografojë Carina i ka pasur në qendër të punës ata. Edhe në ekspozitat që ka çelur në vendin e saj, në Gjermani. Njerëzit kanë pasur më shumë rëndësi për të. Ajo arrin t‘i pasqyrojë ata në momentet kur kanë lënë mbrapa çdo kërcënim, frikë, edhe gëzim dhe lejojnë aparatin të hyjë e të bëhet pjesë e jetës së tyre të përditshme. Fytyrat shumë shprehëse të njerëzve nga Ballkani japin mundësinë të thellosh njohuritë për jetën e vështirë, e cila është ulur këmbëkryq përmes teknologjisë moderne për t‘u bërë kështu më e dukshme për të gjithë. Gjatë udhëtimit të saj fotografik, ajo ka realizuar me mijëra shkrepje aparati dhe në Tiranë ofron vetëm një pjesë të tyre. Gjithçka e ndien nëpërmjet fotografive të saj, në ekspozitën që ka çelur në ambientet e shoqatës kulturore shqiptaro-gjermane "Gap Free", (German-Albanian partnership for realizing effective exchange). Është vetëm pjesa e parë e një "hulumtimi fotografik" të cilin do ta shtojë më vonë me të tjera imazhe nga të tjera vende. Deri më 31 shtator, ekspozita do të qëndrojë e hapur për të gjithë dashamirësit që duan të prekin nga afër fotografitë e Icking, të cilat pasqyrojnë mjaft qartë përshtypjet e artistes nga Ballkani, duke sjellë mënyrën e jetesës dhe zakonet e popullsisë ballkanike. Carin Icking është duke zbatuar një projekt 9-mujor, në kuadrin e së cilit ajo nuk do lërë vend të Ballkanit pa vizituar dhe fotografuar. Pasi të ketë përfunduar gjithçka dhe pasi ekspozita të ketë shëtitur në të gjitha vendet ballkanike, Icking ka menduar që gjithë galerinë e personazheve nga Ballkani t‘i bëjë të njohur edhe në Gjermaninë e saj, që më shumë se një veprimtari në fakt, ajo do të përcjellë si një kundërpërgjigje për të gjithë ata që kanë menduar apo flasin keq për një rajon, të cilin në të vërtetë nuk e njohin mirë, apo e njohin përciptazi mes gojëdhënash të fryra me apo pa dashje. Dje, artistja gjermane u largua në Shqipëria. Të tjera vende e njerëz e presin. Për të, Ballkani është ndryshe.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›