Paratë e krimit, bllokohen 2.5 milionë euro
Mbi 2.5 milionë euro janë bllokuar në bankat shqiptare, para të cilat kanë ardhur nga aktiviteti kriminal. Kjo shifër evidentohet në raportin 10-mujor të prezantuar dje në Komisionin Parlamentar të Sigurisë. Në listën e bllokimeve janë edhe llogari bankare, si dhe pasuri të patundshme të cilat janë vendosur për shkak të aktivitetit kriminal. “Vlen të përmendet që në muajin maj 2009, si rezultat i bashkëpunimit të frytshëm me homologët dhe i veprimeve të shpejta të Drejtorisë se Analizës dhe Teknologjisë se Informacionit për analizim dhe shpërndarje të informacionit u bë e mundur marrja, analizimi dhe shpërndarja në kohë e të dhënave të rëndësishme financiare për një grup të strukturuar kriminal, mbi bazë të të cilave institucionet e tjera ligjzbatuese kanë filluar procedimin penal ndaj tyre. Përveç shpërndarjes në kohë të informacionit, DPPPP arriti të bllokonte një shumë prej 2.5 milionë eurosh, para këto të fituara nga veprimtaria kriminale e trafikut të qenieve njerëzore dhe shfrytëzimit të prostitucionit”, - thuhet në raportin e dorëzuar dje në Komision. Sipas raportit, në rastet e referuara pranë Njësisë së Përbashkët Hetimore të Prokurorisë Tiranë, vepra penale e origjinës ka qenë trafiku i drogës, trafiku i qenieve njerëzore, korrupsioni etj. “Po kështu, në raste të referuara bëjnë pjesë edhe individë, të cilët kanë përdorur kredi bankare si kopertura për burimin e të ardhurave, të gjeneruara në fakt nga kryerja e veprave të ndryshme penale. Për herë të parë në muajin qershor 2008, është kryer arrestimi i parë nga Policia Gjyqësore, bazuar në një hetim penal të iniciuar mbi bazën e referimit të kryer nga DPPPP-ja, e cila është një risi tjetër që nga krijimi i NJIF shqiptare”, - thotë raporti.
Prokuroria
Drejtori i Drejtorisë së Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave, Arben Doçi, deklaroi dje në Komisionin Parlamentar të Sigurisë se kërkohet më shumë bashkëpunim në shkëmbimin e informacionit me prokurorinë. Ai tha se nga drejtoria janë bërë denoncime për aktivitetet e dyshimta për pastrim parash apo evazion fiskal, por që më pas nuk është kuptuar se ç’ka ndodhur me ndjekjen penale të personave të denoncuar. “Me kalimin e kohës, me rritjen e kapaciteteve dhe numrit të prokurorëve, të oficerëve të Policisë Gjyqësore, besoj do të zbatohet edhe ky detyrim ligjor, i ligjit 9917 për parandalimin e financimit të parave dhe terrorizmit që e ngarkon jo vetëm prokurorinë, por çdo institucion shtetëror që të japë feeback pranë Njësisë së Inteligjencës Financiare”, - deklaroi Doçi. Ai tha më tej se ligji i ri lejon hapësira konkrete për goditjen e krimit financiar. “Kemi mundësinë që na jep ligji që për 72 orë të bllokojmë çdo transaksion, çdo depozitë që na raportohet si e dyshimtë nga subjektet e ligjit apo nga institucionet e tjera. Këtë punë ne e kemi bërë në disa raste. Pikërisht në këtë 10-mujor 18 herë ne kemi nxjerrë urdhra bllokimi. Janë bllokuar 36 llogari bankare. Janë bllokuar 3149843 euro nga ana jonë, 20 mijë dollarë, 75285 lekë dhe 1060 metër katrorë truall”, - tha më tej Doçi.
Urdhra Bllokimi
Viti 2007 Viti 2008 10-Mujori 2009
Urdhra Bllokimi 0 5 18
Llogari bankare të bllokuara 0 45 36
Bllokuar EUR 0 504,934 3,149,843
Bllokuar USD 0 486,046 20,000
Bllokuar LEKE 0 952,032 75,285
Bllokuar truall 0 0 m2 1,060 m2
Sekuestruar nga Prokuroria e Gjykata 0 0 2,729,843 EUR
Rastet e referuara në organet e zbatimit të ligjit
Viti 2007 Viti 2008 10-Mujori 2009
Prokurori 2 26 59
Polici për investigim të mëtejshëm 5 46 117
T O T A L I 7 72 176
Risia e ligjit, kontroll çdo transaksioni mbi 1.5 milionë lekë
Miratimi një vit më parë i ligjit për parandalimin e krimit financiar ka bërë të mundur që Drejtoria të ketë më shumë kompetenca dhe informacion për transaksionet e dyshimta. Sipas ligjit të ri, është e detyruar që të raportohet çdo transaksion që bëhet me lekë në dorë mbi 1.5 milionë lekë të reja. Disa risi të tjera të ligjit janë edhe ulja e pragut të raportimit të transaksioneve të vlerave nga 20 milionë lekë ne 6 milionë lekë, rritja e numrit të subjekteve raportuese, zgjerimi i kuadrit të masave parandaluese që duhet të ndërmerren nga institucionet financiare e jofinanciare në lidhje me politikat e parandalimit të PP/FT-së, masa këto që parashikohen të ndërmerren jo vetëm nga subjektet e ligjit, por dhe nga autoritetet mbikëqyrëse e licencuese të tyre etj.