E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pronarët e Gërdecit, komshinj me kryeministrin

Adresa e shtëpisë së pronarëve të kompanisë “AlbaDemil”, sipas NIPT-it të deklaruar në Tatime, është në rrugën “Mustafa Matohiti”, në të njëjtën rrugë që banon dhe kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha. Dy pronarët e kësaj kompanie, Mihal Delijorgji dhe Partick Henri III, kanë deklaruar këtë rrugë si adresë të banimit të tyre, pa dhënë hollësi të tjera, siç është pallati, shkalla apo apartamenti. Nga investigimi ynë në atë rrugë, na rezultoi se i vetmi pallati ri i banuar dhe me standard është pallati ku banon kryeministri. Përveç tij është dhe një pallat në fund të rrugës në daljen për te rruga e Elbasanit. I vetmi numër telefoni që është vendosur në këtë faqe të NIPT-it është një celular, i cili del i lirë, por gruaja pas receptorit deklaron se s’ka lidhje me këtë firmë, duke mos pranuar të identifikohet. Me sa duket, prokuroria ende nuk e ka sekuestruar atë, ose është deklaruar fals nga pronarët.

Duke kërkuar në këtë rrugë për adresën e mundshme të pronarëve, disa frekuentues të rregullt të një bari poshtë pallatit të kryeministrit na thanë se në atë rrugë e ka shtëpinë Mihal Delijorgji. “Unë nuk e di, ku banon ekzaktësisht”, - thotë një prej tyre, por e kishte parë shpesh që, kur vinte këtu, ushtari i Gardës i hapte vend për parkim. Kjo do të thotë se ai banonte diku këtu afër dhe këta të Gardës e njihnin.

Në adresat e deklaruara në katin e parë, në pallatin ku banon kryeministri, nuk gjendet as emri i Delijorgjit, as i Patrik Henrit, megjithëse ky i fundit, dhe nëse ka banuar aty, ka banuar me qira. Pallati përfund rrugës që i përket ndërtimeve të vjetra mund të jetë ndërkohë dhe pallati ku mund të ketë banuar Delijorgji. Po emri i tij tani është bërë i frikshëm dhe askush nuk të jep sqarime. Një grua, banore e pallatit, tha se ai dikur ka banuar aty, por i ndodhi një vjedhje dhe iku. Në përpjekje për të na ndihmuar të gjenim apartamentin e tij, ajo iku thuajse e frikësuar.

Sidoqoftë, prokuroria me siguri e ka identifikuar adresën dhe numrin e telefonit që është deklaruar në NIPT-in e kësaj shoqërie që është krijuar në dhjetor të vitit 2006 me seli në Gërdec, me adresë pronarësh tek e njëjta rrugë ku banon kryeministri, ka marrë gjithë lejet e mundshme me një shpejtësi rekord dhe rezulton që kryeministri dhe ministri i Mbrojtjes nuk kanë pasur kurrë dijeni për të.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›